Arti dhe kultura e rezistencës deri në liri

Kultura

Arti dhe kultura e rezistencës deri në liri

Nga: Hejza Art Më: 2 prill 2022 Në ora: 09:28
“Valle rugovase”, foto nga Albanian Vintage Photography

Në Kosovën e robëruar çdo shqiptar (hiç kolaboracionistët) ka qenë “luftëtar” dhe nga ky aspekt, sot të gjithë, mbarë kombi, duhet të vlerësohet si “veteranë lufte”! Janë shpirtshitur ose le të zbutet pak – janë sharlatanë të gjithë ata që mendojnë se në Prishtinë nuk ka pasur luftë, siç nuk janë korrektë edhe ata që mendojnë se luftëtar janë vetëm ata (60.000 veteranë?!) që kanë rrezikuar ballë për ballë me okupatorin serb!

Është ofendim kombëtar nëse “veteranizmin” (tashmë te ne ka kaluar në “fenomen”) e konceptojmë si diçka që ka ndodhur pas vitit 1998-1999! Pjesëmarrja aktive në një luftë nuk duhet të shikohet si privilegj dhe përfitim, por si detyrim i cili të vetmin prioritet e ka sendërtimin e idealit kombëtar: lirinë, mëvetësinë dhe vetëvendosjen.

Është zhvilluar një proces i tërë, madje shumëdekadësh, i cili vazhdimisht e ka mbushur “thesin e rezistencës” derisa shpërthen dhe merr përmasat e luftës shqiptaro-serbe, në të cilën do të kyçen edhe shumë popuj që ia kishin dalë të ndërgjegjësohen për të drejtat elementare, natyrore dhe etnike të shqiptarëve. Ky ndërgjegjësim i ndërkombëtarëve nuk u arrit sapo krisi pushka e parë, por në këtë ndikuan mbase edhe zbardhjet e ngjarjeve dhe të angazhimeve kombëtare që morën vrull që pas Luftës së Dytë Botërore! As ngjarjet e viti 1968 dhe as ato të vitit 1981, nuk ndodhën si rezultat i rebelimit që nisi brenda natës! Siç nuk ndodhi brenda natës as rebelimi studentor i vitit 1998, pas së cilës, nuk pati më qetësim kombëtar deri në çlirim të plotë!

Janë shumë ngjarje, është arsimimi masovik i popullit, nxjerrja e pishtarëve popullorë që do t’i shpjegonin dhe do t’i mbanin të gjallë ndër breza ngjarjet historike që e kishin synim lirinë dhe pavarësinë kombëtare. Zhvillimet e brishta kulturor, angazhimi masovik i intelektualëve për të qenë artikulues i kërkesave të popullit, lindën edhe “disidentë” (apo kundërshtarë të pakompromis kundër “vlerave” të okupatorit) të cilët përmes formave të ndryshme të artit e brumosnin rezistencën popullore kundër armikut. Shkrimtarë që bashkë me studentët organizonin orë letrare sa për ta nxehur gjakun revolucionar të të rinjve.

Gazetaria shqiptare ishte shndërruar në “çetë luftëtarësh” që po e nervozonin së tepërmi armikun shekullor. Teatri ishte shndërruar në një “art alternativ” që nuk i bindej shablloneve të organeve ekzekutive serbo-jugosllave. “Njeriu prej dheut”, “Proka” dhe filmat e më pastajmë do të jenë mjaft kokëçarëse për okupatorin. Një repertor prej mijëra këngëve popullore u bënë “orakull i lirisë”! “Jeta e Re”, “Bota e Re”, “Rilindja”, “Zëri i Rinisë”, “Fjala”, “Kosovarja”, “Bujku” dhe gazetat e më pastajme private, u bënë, thjesht, lumenj të rrëmbyeshëm që idealin shekullor të popullit po e çonin drejt lirisë kombëtare. Nga këto vatra intelektuale dolën shkrimtarë që popullit i sollën kryevepra letrare. Letërsia metaforike (Anton Pashku, Rexhep Qosja, Ali Podrimja, Teki Dërvishi, Sabri Hamiti, Beqir Muslliu) po i hapte vend Letërsisë së Realizmit Magjik (Rexhep Qosja, Ymer Shkreli, Mehmet Kraja, Azem Shkrelit, Jusuf Buxhovi), e kjo “letërsisë urbane” e cila dominohej kryesisht nga poezia dhe tregimi i shkurtër (Agim Mala, Shaip Beqiri, Qerim Arifi, Feime Selim, Abdullah Konushevci, Milazim Krasniqi, Ramadan Musliu, Adem Gashi Basri Çapriqi, Lindita Alu, Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Xhevdet Bajra e shumë të tjerë). Arkeologjia, entologjia, folklori, u bënë motiv plus për t’ia bërë me dije armikut se këtu qetësi nuk ka deri në tërheqje të tij të plotë në kufijtë e vet shtetëror! Këta artistë e krijues kombëtarë me artin dhe kulturën e tyre që e bëjnë, do të jenë gardë e pathyeshme kundër përpjekjeve për t’i jugosllavizuar shqiptarët e Kosovës!

Pra, janë aktivitete të shumta kulturo-artistike, janë një aradhë e tërë e intelektualëve, të cilët, ia dolën që t’i shterrin të gjitha mjetet paqësore, t’i dëshmojnë botës se janë një popull tjetër, me kulturë e civilizim krejt ndryshe nga ai i okupatorit dhe se, gjithçka që donin ishte liria! Për këtë angazhim intelektual, të pasuar nga populli, pasuan dënime me burg serb për intelektualët, madje çdo i treti shqiptar i Kosovës kaloi nëpër burgjet serbe. Të gjithë ishin “kandidatë të mundshëm” për titullin “martirë të lirisë”, sepse kush mund të garantonte se mund të dilnin të gjallë! Ajka e inteligjencies shqiptare, Ukshin Hoti, u zhduk në burgjet serbe!

Edhe ato nëna që gatuan bukë për ushtarët, edhe ato motra që lanë rrobe të përgjakura të ushtarëve, edhe të gjithë ata që u përfshinë në logjistikë të luftës duhet të ndjehen, të paktën, moralisht “veteranë të luftës”! Secili e bëri punën e vet kombëtar. Dhe sot, që të gjithë janë të pajtimit se ndonjë përfitim simbolik nga kjo luftë duhet ta kenë ekskluzivisht invalidët, të traumatizuarit dhe “të ngratët” që në situata pas luftës nuk mund ta shijojnë normalisht lirinë për të cilën sakrifikuan më sublimen! Për të vdekurit satisfakcion shpirtëror do të ishte mos të njolloset gjaku i të rënëve, të përkujtohen përjetë për qëllimin e rënies së tyre.

Ramush Haredinajn nuk do ta bënte fare të pasur një pension veterani prej 180 euro, por do ta bënte madhështor çdo respekt e përulje para tij si vlerë e pakontestueshme e luftës. Këtë kategori të personave kombëtarë, si dhe të gjithë të tjerët, do t’i bënte madhështorë edhe më shumë gatishmëria e tyre për ta kuptuar se identiteti i tyre kulturor e kombëtar bazën e ka në një materie plot art e kulturë të paraardhësve të tyre rezistues. Pa artin dhe kulturën e rezistencës çdo popull do të gjendej në fillim të okupimit të vet shekullor dhe jo me një këmbë në pragun e lirisë! Ky fakt i duhet çdo populli që përpiqet ta dëshmojë civilizimin e vet! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat