Një visar i çmuar i poezisë gojore arbëreshe

Kultura

Një visar i çmuar i poezisë gojore arbëreshe

Nga: Vlash Prendi Më: 3 prill 2022 Në ora: 16:38
Vlash Prendi

Një nga problemet themelore qe ka shqetësuar studiuesit tanë, ka qënë edhe ҫështja e emigracionit, historia e emigrimit të shqiptarëve gjatë periudhave të ndryshme të historisë dhe ruajtja e traditave, dokeve dhe zakoneve nga shqiptarët e vendosur në vende të ndryshme të botës, por sidomos në Itali. Nga studimet e ndryshme, del në pah se shqiptarët u detyruan të largoheshin nga trojet e tyre, fill pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, që të mos binin nën thundrën e pushtuesit osman. Siҫ bëhet me dije, kjo shpërngulje është bërë ritmike nga shek.XV dëri në shek. XVIII. Duhet theksuar se emigrantët shqiptarë të larguar nga trojet e tyre u vendosën kryesisht në Italinë Jugore – Kalabri dhe në ishullin e Sicilisë, ku u integruan shpejt dhe ruajtën me fanatizëm gjuhën dhe zakonet e të parëve të tyre. Nga ana tjetër, studiuesi i njohur Eqerem Ҫabej, na ban me dije se arbreshët nuk ruajtën vetëm gjuhën dhe zakonet tradicionale shqiptare, por edhe mbiemrat, orenditë shtëpiake, kostumet popullore etj. Ndër të tjera Ai thekson:”…Prej fushës së etnografisë, nga objektet e kulturës materiale, siҫ janë orenditë shtëpiake dhe kostumet e grave…kështu qëndron puna edhe ne doket e zakonet, të cilat përndryshe janë ruajtur mirë, me figurat popullore dhe përrallave dhe emrat e tyre…”. Këtë fakt mjaft domethënës, e kanë vënë re edhe mjaft studiues të tjerë të kësaj fushe si Kolë Kamsi, Prof. Gjovalin Shkurtaj, apo Nasho Jorgaqi, të cilët e studiuan me seriozitet këtë fushë dhe parashtruan problemet e rëndësishme të ruajtjes dhe kultivimit të traditave dhe vlerave shpirtërore të këtyre pakicave.

x x x

Një nga studiuesit më të shquar shqiptarë të kësaj fushe, mbetet prof. Anton Nikë Berisha, i cili punoi dhe jetoi për një kohë të gjatë në horën arbëreshe dhe njohu mirë arësyet e shpërnguljes, traditat, vlerat shpirtërore dhe zakonet e të parëve, si dhe përpjekjet për ruajtjen me fanatizëm të tyre. Anton Nikë Berisha lindi në fshatin Dobërdol më 7 gusht 1946. Studimet i nisi shkollën fillore të fshatit Ujmirë - Dobrovodë të komunës së Klinës dhe më pas në qytetin e Prishtinës. Në vitin 1971 mbaroi studimet në Fakultetin Filozofik, Dega gjuhë - letërsi shqipe, në Universitetin e Prishtinës, ndërsa më 1976 përfundoi studimet e rregullta pasuniversitare pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Zagrebit dhe mori titullin: Magjistёr në fushën e filologjisë. Po në këtë Universitet, më 1981 mbrojti tezën e doktoraturës shkencore. Në korrik të vitit 1973 Prof. Anton Berisha u emërua në Departamentin e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku punoi për disa vite. Në vitin 1991 ai u largua në Itali dhe një vit më vonë nisi të japë leksione në gjuhën shqipe në Universitetin e Kozencës në Kalabri. Në vitet 1978 - 1979 realizoi një specializim pasuniversitar në ish RF të Gjermanisë, Universiteti i Gëtingenit me bursë të i DAAD-së. Në Institutin Albanologjik të Prishtinës punoi nga viti 1973, si bashkëpunëtor shkencor dhe këshilltar shkencor. Në vitin akademik 1992 – ‘93 mbajti seminare mbi linguistikën e përgjithshme dhe atë indoeuropiane në Katedrën e Albanologjisë së Universitetit të Mynihut. Ndërsa nga nëntori i vitit 1993, punon si profesor në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në departimentin e linguistikës, Fakulteti i Letërsisë dhe i Filozofisë, në Universitetin e Kozencës në Kalabri, ku për shumë vite me radhë ka qënë profesor i letërsisë shqipe.

Prof. Anton N. Berisha ka botuar një numër të konsiderueshëm veprash studimore si: “Mundësi interpretimi”- “Rilindja”, Prishtinë 1979, “Teksti poetik” - vështrime dhe kritika, “Rilindja”, Prishtinë 1985, “Veçanti ligjërimesh poetike”, “Eurorilindja”, Tiranë 1996, “Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, “Shpresa”, Prishtinë 2001, “Çështje teorike të letërsisë”, “Faik Konica”, Prishtinë 2005, “Njëmendësia e fjalëve” - mundësi interpretimesh letrare, “Shpresa” dhe “Faik Konica”, Prishtinë 2006, “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” - Cosenza 2008, “Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij” - mbi këngët kreshnike shqiptare, “Faik Konica”, Prishtinë 2008, “Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës dhe të Fishtës”, SHB “Arbëria 07”, Tiranë 2011, “Larmi vëzhgimesh letrare”, “Faik Konica”, Prishtinë 2012, “Ligjërime rreth tekstit letrar poetik”, me bashkëautor L. Berishën, “Faik Konica”, Prishtinë 2017, “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe”, “Faik Konica”, Prishtinë 2017, “Estetika dhe estetika e letërsisë”, me bashkëautor L. Berishën, “Faik Konica” 2018. Profesor Berisha është autor i një sërë monografishë, ku mund të përmendim ato për Aristotelin, Buzukun, Budin, De Radën, Fishtën, Zef Skiroin, Ernest Koliqin, Martin Camajn, Arshi Pipën, Mark Krasniqin, Francesco Solanon, Azem Shkrelin, Rifat Kukajn etj.

Një nga veprat më të rëndësishme e prof. Anton Nikё Berisha dhe me vlera të veҫanta në llojin e vet, është “Antologji e poezisë gojore arbëreshe”, botuar në Kozencё tё Italisё në vitin 1998, nën kujdesin e prof. Franҫesko Altimarit, ku hidhet dritë në përpjekjet e arbreshëve të Italisë, sidomos të atyre të Kalabrisë për të ruajtur gjuhën dhe zakonet e të parëve të tyre. Duke qëndruar për një kohë të gjatë pranë tyre, duke marrë pjesë në ceremony të ndryshme gëzimesh dhe hidhërimesh, duke komunikuar vazhdimisht me ta, prof. Anton Berisha është më afër këtij realiteti dhe e njeh mirë jetën dhe përpjekjet e arbreshëve të Italisë për të ruajtur dhe transmetuar brez pas brezi gjuhën e nënës dhe traditat më të vyera të kombit tonë. Duke njohur mirë metodologjinë e studimit dhe vështrimit të fakteve, njësive dhe këngëvë folklorike, autori nuk e ka patur shumë të vështirë mbledhjen dhe klasifikimin e njësive folklorike nga goja e arbreshëve, pasi dy vjet para botimit të kësaj vepre të rëndësishme, pikërisht në vitin 2017, prof. Anton Berisha pati botuar librin “Hyrje në historinë e letersisë gojore shqipe, “Faik Konica”, Prishtinë 2017, një vepër e munguar në teorinë e letersisë shqipe.

Letërsia gojore ka vlera të veҫanta edhe për faktin, se shpesh herë ka ndriҫuar fakte dhe ngjarje historike për të cilat nuk janë gjetur fakte historike të shkruara, kjo edhe për arësye se gjuha e folur lindi para gjuhës së shkruar. Pikërisht këtë arësye pati parasyshë edhe autori që iu pervesh punës për të gjurmuar dhe mbledhur poezinë gojore të arbërëshëve. Termin letërsi gojore, e ka përdorur i pari Paul Sebillot më 1881, na thotë prof. Arben Prendi, por ai e konsideronte letërsinë gojore si pjesë të veҫantë brenda termit folklor. Letërsia gojore përfshinte sipas tij, tregimet, gojëdhënat, këngët popullore, fjalët e urta, gjëagjëzat, përfshinte atë tërësi e cila përbënte një pjesë të të kulturës për argëtim, për të gjithë ata që nuk dinin, apo nuk kishin kohë të përdornin librat…Por prof. Berisha i ka vënë vetes një detyrë teper të vështirë, pasi veҫ shfrytëzimit të literaturës, punës nëpër arkiva, mbledhjes së këngëve në terren, i duhet edhe transkriptimi i tyre, për ti sjellë para lexuesit sa më të qarta. Autori është marrë kryesisht me këngën popullore të dasmës, pasi kjo gjini është ruajtur më me fanatizëm nga arbreshët, pasi kënga ë dasmës bazohet në rite, dasmat janë më të shpeshta dhe këngët transmetohen brezpas brezi, sepse janë më të thjeshta, emocionale dhe me melodi të kuptueshme, prandaj duhen mbledhur, ruajtur dhe transmetuar brezave të ardhshëm këto visare të pavdekshme të kulturës sonë popullore.

Ndër më të lashtat këngë rapsodike, që është gjetur në formën e shkruar, ardhur deri në ditët tona, mbetet kënga e Pal Golemit, e cila daton para vitit 1690 dhe shënuar nga prifti arbresh N. Katalano. Më pas kemi edhe dorëshkrime të tjera të rëndësishme, por duhet përmendur F. Avati me 15 këngë arbreshe të Siҫilisë dhe De Rada me veprën”Rapsodi të një poemi arbëresh” më 1866, e cila mbetet përpjekja më serioze për të mbledhur dhe sistemuar folklorin arbëresh të kohës. Kjo tregon se edhe te arbëreshët nuk ka munguar dëshira për të ruajtur dhe dokumentuar vlerat shpirtërore të trasheguara qe nga koha e “motit të madh”.

për t’u vlerësuar dhe njeherit për t’u përgëzuar inisiativa dhe përkushtimi i prof. Anton Nikë Berisha, për të cilën ka investuar jo pak, në djersë dhe në kohë për të mbledhur, dokumentuar dhe kodifikuar këtë pasuri të paҫmuar qe rrjedh nga shpitri i një populli, i cili nuk e harron kurrë origjinën e tij arbërore, por e kujton përmes historisë, dokumentave dhe këngëve. Këngët e mbledhura dhe pasqyruar në këtë vëllim me shumë vlera, janë të thjeshta, të bukura, tingëlluese, vazhduese të denja të këngëve tradicionale shqiptare. Poeti popullorë i ka krijuar vargjet, ndoshta në menyrë spontane, por duke përdorur të gjitha rregullat kryesore të metrikës si rrokjet, rimën, ritmin, tingullin, harmoninë e vargut etj. Kjo nuk është e vështirë të kuptohet, pasi vargjet janë të rregullta dhe të bukura: “Sot më duall njëdiell i bukur, / djalin rritenj tue kënduar, / e i thom: bir, u bëfsh jatrua! / Oj bi’, oj bi’ / djalë i bukur i mëmës ti...! Siҫ vihet re nga këto vargje, përdorimi i figurave stilistike lartëson figurën e djalit, prandaj edhe portreti i tij përshkruhet plot mall dhe dashuri. Në të njëjtin varg dhe stil, i këndohet edhe vajzës, ku poeti popullor derdh gjithë arsenalin figurative, për të treguar dashurinë e nënës për vajzën e saj: “Vashëz t’bukur ҫë m’ka mëma / nëng m’ e ka nemenu hëna, / është si dielli kur del / bukuria e mëmës vet! Vash e bukur dhja si fat / mëma t’nxier ka ajo fash; / nat e dit ajo të këndon, / vashez mbjatu të t;martonj! / Oj bi’, oj bi’, / fata mëmës më je ti! Këto këngë të bukura, janë ninulla, të cilat u këndohen fëmijëve, por përmes vargjeve duket qartë ngjashmëria me ninullat që këndonin dikur nënat tona.

Duhet theksuar se lidhjet e letersisë gojore me artin, e kanë zanafillën që në antikitet, kur krijimtaria artistike përbënte truallin e temave të krijimtarisë gojore, duke u përdorur me qëllim progresiv. Krijimtaria gojore lidhet edhe me mitet, pasi në shumë raste, ose u kushtohet atyre, ose synon të mitizojë figurat të cilave u këndohet, sepse poeti popullor e hymnizon personazhin, të cilit i këndon: “Oj lulëz t’bukur ҫë më nxier ghaxhia, / ashtu t’bukura m’ i ka bilat qo grua! / Ti mb’ at anë e u ka kroi Piruks, / shkilqen ti mall e m’duke ill’ i drits!...Doj t’isha ajir i holl ti t’rrinja pran, / ti t’frinja nd’ata ball, kur vrap të bën. / Ti, portoghale me skorcin e holl, / nga or e nga momend je e zënur fill”. Këto janë këngë reale, mbështeten në relitet, paҫka se nuk mungojnë figurat letrare mbi të cilat ndërtohet e gjithë lënda. Qysh në kohët më të lashta Aristoteli i dallonte krijuesit që e përshkruanin jetën ashtu siҫ ishte dhe të tjerë që e përshkruanin ashtu siҫ duhet të jetë. Në rastin e dytë, krijuesi dilte jashtë realitetit dhe si rrjedhim poezia i humbte vlerat, prandaj poezia gojore arbëreshe mbështetet në reelitet dhe vjen para nesh e freskët dhe plot emocion. Kjo, për meritë të padiskutueshme të studiuesit të mirënjohur dhe shumëdimensional prof. Anton Nikë Berisha.

Përmes veprës “Antologji e poezisë gojore arbëreshe”, shohim se krijimtaria gojore shpesh shoqërohet me rite, zakone, apo fenomene gjithmonë në zhvillim. Tё tilla ishin kёngёt qё pasqyronin fenomenin e rritjes sё fёmijёs, tё burrnimit, tё ndryshimit tё statusit civil, ose kёngёt qё u kushtoheshin etapave qe ndiqen nё njё veprimtari tё caktuar, qё pёrbёnin rite tё ndryshme dhe që pasqyroheshin jo rrallë në vargje popullore, siҫ ёshtё “Kёnga e brumit”: “Se ti vashёza ghajdhjare, / sa ghajdhjare aqё e dlir, / ҫё m’gjeshёn ata brum, / gjeshe fort e ngure shum…”. Tematika është e larmishme, sepse disa këngë përcjellin dukuri të ndryshme të jetës së njeriut dhe natyrës, por edhe ngjarje të rëndësishme që ndodhin në jetë. Në librin “Letërsia gojore shqiptare”, Arben Prendi thekson se: “Njeriu primitive, në përpjekje për të krijuar një vision për botën rreth tij dhe për ta zotëruar atë, ka mundësi të ketë krijuar dhe ritet, të cilat i ka shoqëruar me këngë e valle”. Në këtë kontekst, mund të mendojmë se këngët që mbështeten në rite, janë të periudhes së paganizmit, kur njeriu besonte në fuqinë mistike të fjalës dhe veprimeve të matura që e shoqëronin atë. Por në letersinë gojore arbreshe dominojne këngët e dashurisë, ku vendin kryesor e zë bukuria e vajzës, sharmi i saj, magjia për t’u dukur e bukur, pasqyrimi përmes vargjeve i vlerave shpirtërore dhe njerëzore. Ky fakt, nuk është i rastësishëm, pasi ajo konsiderohet si burimi i jetës, prandaj i këndohet me aq pathos, duke u thurur himn jo vetëm bukurisë fizike, por edhe asaj shpitrëroje dhe cilësive morale. Ja si shprehet poeti popullor arbresh: “Bridh një vash me një moll’, / me një moll’ cukarine / - Ndë luan, luan ti vash, / se mollen u kam të t’marr. / Molla ime s’mirriet, se ësht e ëmbël e s’ ghaghiet…”. Këto këngë, janë në vetvete pasqyrim artistik i asaj pjese të shqiptarëve që u detyruan të lënë trojet e tyre, por të ruajnë në mendje dhe zemër traditat më të bukura të kombit tonë, i asaj pjesetë jetës shpirtërore dhe material të arbreshit, i asaj pjese ku spikat harmonia e individuals me shoqëroren, të lodhura dhe të gërshetuara artistikisht. Personifikimi is ë bukurës, është kudo, por heroi e kërkon dhe e gjen tek bukuria njerzore, prandaj poeti shkruan: …Kjo buza jote ësht si një brethëz e kuqe / e faqet e tënde jan si di bubuqe. / Ndë kta sheshe jam prë me shprishur lule, / se mbrënda na rrin me të bukurat kopile. / Pullas i lart me me ato vitriata, / se brenda ësht e bukura si drita…”. Ja një këngë në duet djalë – vajzë që mund ti gjesh moterzime të shomta në këngën tonë folklorike, “Moj ti pulza këmbalashe, / ҫë kërkon ndër ata sheshe? / U kerkonj nj’ degez moll, / mirrem mua se jam e holl. / “Moj ti pulza këmbalashe, / ҫë kërkon ndër ata sheshe? /u kerkoj nj’ degez dardh, mirrem mua se jam e bardh…”, madje edhe numri rrokjeve, rima dhe ritmi ngjasojnë së tepermi me këngët tona. Në këtë vëllim me njësi të poezisë gojore arbëreshe, një vend të veҫantë zënë edhe këngët historike, sidomos ato që u kushtohen figurave të shquara të kombit tonë. Nuk mungojnë edhe këngët për Gjergj Kastriotin - Skёnderbeun, Pjeter Shinin, Pal Golemin, apo Nikë Petën, ndoshta dhe jo aq të panjohura në folklorin tonë. Përmes figurave të thjeshta artistike përshkruhet bukur lufta, trimëria dhe fitoret e korrura në luftë me turqit. Në këtë këngë për Skënderbeun, këndvështrimi i autorit është interesant: “… - se ju akolëzit e mi, / cilit zemra m’i thot / të m’sjell Skanderbekun / o t’gjall, ot’vëdeku, / Gjith e gjegj’ e s’u përgjen, / u përgjegjë pra Ballabani, / i arbreshi rrinegat…”. Ndërsa tek “Kënka e Pal Gollemit”, autori na njeh me momentet e fundit, amanetet që le heroi para vdekjes. Aq shumë e deshi Pali Arbninë, sa dëshiron t’i tmerroje armiqtë edhe i vdekur, prandaj u le shokёve porosi: “… - se ju shokë, e ju vllazër, / u ju truhem aqë fort, / të më bëni varrin tim, / aq të gjerë sa të glatë, / e në kriet e varrit tim, / të më bëni një parathirë, / të më lidhni të mburzërinë, / e nëkëmbë të varrit tim, / të më lidhni armëzëtë…”. Mandej vijojnë disa këngë që i perkasin baladave të rinjohjes, ku vend të veҫante zënë këngët “Kostanddini i vogëlith”, “Kostandini dhe Gharendina”, “Ollimbia dhe Vllastari” etj, të njohura edhe në folklorin tonë. Ky fakt tregon se këngët popullore të Kalabrisë, ku jetojnë një numër i konsiderueshëm arbreshësh, ngjasojnë më këngët tona dhe janë ndërtuar mbi parametrat artistike të letersisë sonë gojore. Mbledhësi i tyre, prof. Anton Berisha më vullnetin dhe shijen e një folkloristi të spikatur, ka gjurmuar dhe mbledhur për vite me radhë këto thesare të paҫmuara, duke na dhënë vëllimin më të plotë të poezisë gojore arbërëshë. Prof. Berisha i është përmbajtur kriterit për ta regjistruar dhe shkruar me besnikëri këngën, ashtu siҫ këndohet në horën arbëreshe, kjo është bërë duke respektuar edhe menyrën e të folmes sipas krahinës, prandaj këngët në tekst jepen në gjuhët shqip dhe italisht. Kjo vepër tepër e vyer, është një punë e suksesshme e prof. Anton Berisha, në bashkëpunim më katedrën e gjuhës shqipe të Universitetit të Kozencës në Kalabri, është sukses i padiskutueshëm i folkloristikës shqiptare, duke qëndruar denjësisht në radhën e poezisë sonë gojore popullore.

VLASH PRENDI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat