Fuqia e artit

Kultura

Fuqia e artit

Nga: Hejza Art Më: 22 prill 2022 Në ora: 12:58
Foto ilustrim

A kanë shqiptarët koncept, ide, vizion se si mund të përdoret arti si “mjet subversiv” për ta përmbysur një realitet politik autokrat, një politikë jo të shëndetshme për kombin dhe atdheun, një politikë që dëmton dhe rrënon çdo vlerë shoqërore! A e kanë përdorur ndonjëherë artin për ta kundërshtuar, për ta lodhur apo për ta kërcënuar pushtetin! Arti për krijuesin është po aq politikë sa vetë politika për politikanin.

Fuqia estetike laton çdo politesë të pushteteve, ndërsa politika (destruktive) nuk mund të paramendojë bashkëjetesë me estetikën dhe, si rrjedhojë, sidomos te shqiptarët, asnjëherë nuk kemi pasur mobilizim të fuqisë estetike për t’i shpallur “luftë” pushteteve për çlirim dhe liri intelektuale, ndërsa pushtetet gjithnjë kanë qenë të mobilizuar për ta “kontrolluar” fuqinë estetike dhe për ta diktuar lirinë intelektuale.

Kundërshtitë, rebelimet, revolucionet ishin, janë dhe mbeten inspirim për artin, të paktën nga renesanca e deri më sot, gjithnjë ia kanë përkujtuar masës shtegun e lirisë! Në luftë vrasja e armikut është rutinë, nuk shkakton ndonjë kënaqësi, kurse vrasja e inteligjencies, shkatërrimi i artit, zhdukja e gjurmëve kulturore, kapitullimi dhe zhdukja e fuqisë estetike, kjo po që paraqet “kulmin e të arriturave” të një sulmi armiqësor. Arti, në kushte paqe, shpesh di të bëhet mjet politik për të zgjidhur padrejtësi, për të fituar më shumë liri intelektuale, më shumë dinjitet njerëzor; për të ngritur zërin protestues kundër padrejtësive sociale, kundër eksploatimit social, kundër pushteteve nacionaliste, autokrate, kundër shkeljeve të lirive etj.

Artistët dhe krijuesit asnjëherë lirinë artistike nuk e konceptojnë dhe nuk e interpretojnë si diçka që u duhet atyre, si nevojë personale, por gjithnjë për lirinë artistike kanë folur si për një të drejtë absolute që i përket njeriut; arti pra, tërë fuqinë e vet e vë në funksion të lirisë dhe të drejtave të njeriut, për dallim prej politikës e cila lirinë dhe të drejtat e njeriut i nxjerr në arenën e luftës politike, i llogaritë synime ekskluzivisht të politikës! Ky është sheshi ku përplasen arti dhe politika, këtu është ajo vizë e hollë që ndanë artistin nga politikani!

Dhe, meqë shqiptarët asnjëherë nuk e provuan fuqinë e artit për përmbysje të realiteteve politike eksploatuese dhe diskriminuese, u detyruan që të partizohen e të provojnë me fuqinë e politikës! E lexuan drejt politikën që nuk e duron artin, por që “i fton” artistët që lirinë e tyre krijuese, por dhe të drejtat e njeriut t’i arrijnë vetëm përmes veprimtarisë politike në kuadër të partive! Artisti i popullit kalon dhe bëhet ushtar i politikanit të shtetit! Fuqia estetike këmbehet me “besnikëri partiake”.

Prandaj sot, shqiptarë, dinë më shumë fragmente fjalimesh të politikanëve se sa që e dinë komplet tekstin e himnit kombëtar; më shumë e dinë autorësinë e citateve politike “kombëtare” se sa e dinë autorin e himnit.

Te shqiptarët himni nuk perceptohet si fuqi estetike, si krijim shpirtëror, por si mjet kushtrimi. Se këndejmi, në luftë (në aktivitet) niset me himnin kombëtar, por nuk shkon për himnin si art kombëtar! Prandaj, shqiptarët derdhin miliona dollarë për t’i sponsorizuar partitë të cilat e kanë fuqinë e ekskluzivitetit në “çështje kombëtare e shtetërore”, ndërkohë që nuk e kanë fare për qejfi që ta sponsorojnë një aktivitet kulturor, një shfaqje, një libër, një koncert, një film, një veprimtari artistike e cila të vetmin motiv e ka që ta sensibilizojë opinionin për çështjet reale kombëtare.

Pjesëmarrja e politikanit në një event kulturor është më tepër reklamë se sa vetëdije, ndërsa pjesëmarrja e artistit të mirëfilltë në një event partiak është më tepër “lagështi kombëtare” se sa nder! Partisë nuk i intereson nderi i artistit, siç nuk i intereson as krijimtaria e tij, partisë i intereson nderimi si subjekt me “vetëdijë kombëtare”. Aty ku puqen vetëdija kombëtare dhe fuqia estetike, aty ngjizet identiteti kulturor i një populli!/HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat