“T’baj be me pleq t’Tërrnavës”

Kultura

“T’baj be me pleq t’Tërrnavës”

Nga: Zymer Mehani Më: 7 maj 2022 Në ora: 07:39
Nazmi Shaban Raçi

(Shkrim për filantropin e kohës dhe për atdhetarin Nazmi Shaban Raçi-20. 05.1943-07. 05. 2017, me rastin e përvjetorit të shkuarjes në amshim)
1.
Po e nis këtë shkrim timin me thënien e moçme “T’baj be me pleq t’ Tërrnavës”, që edhe sot e gjithë ditën mund ta dëgjojmë nëpër trevën e Llapit e të Gallapit, që  na bën për të kuptuar se historikisht fshati Tërrnavë i komunës së Podujevës ka pasë burra të fjalës e të besës  nëpër etapa të caktuara të kohës. I tillë ishte dhe mbeti gjer në fund të jetës së tij edhe filantropi i kohës dhe atdhetari i denjë Nazmi Shaban Raçi.
2.
Tërrnava-vendlindja e filantropit të kohës Nazmi Shaban Raçi

Ky fshat  shtrihet rreth 14 km. në jug të Podujevës dhe është relativisht i madh  më tepër i takon tipit të fshatrave të shpërndarë. Ka një sipërfaqe prej 9223783 m2. Është i banuar me popullsi shqiptare vendëse dhe muhaxhire.  Familjet shqiptare muhaxhire, që u vendosën këtu, në dhjetor 1877 dhe në janar 1878, janë përfaqësuese të 10 vendbanimeve të Toplicës, të Leskovcit e të Jabllanicës. 

Sot, fshatin Tërrnavë e përbëjnë këto familje: Raçët (të përkatësisë fisnore Krasniqi), Zagragjët (të përkatësisë fisnore Kelmend), që kanë ardhur nga fshati Zagragjë, afër Ivan Kullës; Statovcët (të fisit Sop), të ardhur nga njëri prej tre fshatrave Statovc, rrethi i Toplicës; Podvoricët janë të ardhur nga fshati Dumosh dhe i përkasin fisit Thaç. Dy familje kanë migruar në Turqi e disa në Prishtinë; Vllahitë (të përkatësisë fisnore Shkreli); dy familje kanë migruar në Turqi, kurse disa të tjera jetojnë në Prishtinë; Restelicët kanë ardhur nga fshati Restelicë, rrethina e Leskovcit; Vllasalitë janë të fisit Kelmend dhe kanë ardhur nga fshati Vllasë, rrethi i Toplicës; Mehanët janë të fisit Kelmend, të ardhur nga fshati Mehanja e Toplicës; Tullarët i përkasin fisit Retkocer dhe kanë ardhur nga rrethi i Toplicës.

Një familje është shpërngulur në Turqi, kurse disa të tjera jetojnë në Prishtinë; Zhinipotokët kanë ardhur nga  Leskovci. Dy familje kanë migruar në Shqipëri e dy në Turqi, disa jetojnë në Prugovc, dy në Mazgit dhe disa në Prishtinë; Xhakollët, janë të përkatësisë fisnore Kelmend dhe kanë ardhur nga Xhakja e Toplicës. Jetojnë 2-3 familje në fshat. Të tjerat janë shpërngulur në Fushë-Kosovë, në Prishtinë dhe në Podujevë. 

Sot në Tërrnavë jetojnë edhe  Hysenovitët, Kuletët e Vanovcit (Ahmetovitët), Qerimajt (Begollët); Selovitët (Murseli, Avdiu); Kuletët (Lamovitët, Bejtovitët etj.) dhe Begovitët. Pas Luftës (1999) nga fshati Tërrnavë shpërngulet një pjesë e mirë e banorëve, si pasojë e shkatërrimit të vendbanimeve të tyre dhe vendosen nëpër qendra urbane (në Prishtinë, në Podujevë, në Fushë-Kosovë) e gjetiu  .
Pra Tërrnava është fshat i rajonit të Llapit dhe shtrihet në anën e majtë të magjistrales Podujevë-Prishtinë. Tërrnava është fshat i vjetër, që pë rmendet në dokumentet osmane dhe sllave në vitin   1455. 

3.
Familja Raçi e Tërrnavës (dhe e Prishtinës)

Në këtë fshat pra prej kohësh jeton edhe familja Raçi, një familje buajre, e urtë e punëtore.

Kur e përmendim  këtë familje, bëjmë fjalë për njërën nga familjet emblematike të fshatit Tërrnavë, e cila gati për një shekull u përball me sakrifica të shumta. Këtu u lind edhe protagonisti i këtij shkrimi, Nazmi Raçi, më  20. 05. 1943. Ishte djali i babë Shabanit dhe i nënë Halimes (e cila ishte nga Sharbani). Nazmiu kishte edhe 5 vëllezër: Faiku (vëllai i madh), Ruzhdiu, Fehmiu, Sadriu dhe Kadriu.
Shkollën fillore Nazmiu e kreu në Tërrnavë (deri në klasën e katërt) dhe në Lupç (prej të pestës gjer në të tetën). Shkollën e mesme teknike e kreu në Prishtinë, pas përfundimit të së cilës menjëherë u kyç në punë, sidomos në tregti gjatë gjithë jetës së tij. Familja e tij, asnjëherë s’reshti së ndihmuari popullin dhe vendin kur e kërkonte nevoja, prandaj shquhet si dje, ashtu edhe sot për humanitetin e sakrificën  nëpër breza, deri te epoka zahirpajazitase e ademjashariane e UÇK-së, që ia solli lirinë e plotë vendit tonë. Të gjithë vëllezërit, por edhe Nazmiu ishin të angazhuar në Aksionin për Pajtim të Gjaqeve gjatë viteve 90 të shek. XX. Lokalet e shitores “Migjeni”, që ishin pronë e Nazmiut u shndërruan në seli të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për Llap, pastaj aty u hap edhe punkti i SHH “Nënë Tereza”, ku u ndaheshin banorëve  ndihma ushqimore dhe të mira të tjera të nevojshme për t’ua zbutur sado pak gjendjen e vështirë menjëherë pas luftës së vitit 1999.

Nazmiu sidomos e ndihmoi Shkollën e Tërrnavës (para luftës quhej JETA ERE e pas luftës SHFMU “Shefki Kuleta”), shumë herë me lëndë djegëse për sezonin dimëror, ndërsa për mësimdhënësit prore dhuronte pako me shkumësa falas......
Lista e ndihmave të familjes së filantropit Nazmi Raçi dhënë bashkëfshatarëve të tij, por edhe meseve të tjera në Llap e më gjerë  është shumë e gjatë...

Nuk mjafton as një mal me fjalë për t’i thënë dhe për t’i shkruar të gjitha veprimtarit humanitare të Nazmi Raçit dhe të familjes së tij për popullin, ngase populli ynë ishte në gjendje të pavolitshme ekonomike dhe në një okupim klasik, deri para dy dekadash, e njerëzve u duhej idarja...

Pra familja e nderuar dhe e respektuar e Shaban Raçit, (babai i Nazmiut) i dha një kontribut të çmuar çështjes kombëtare ndër breza.
Familja e gjerë Raçi sot jeton në fshtin Tërrnavë dhe në Prishtinë, e nderuar dhe e respektuar nga të gjithë.
I urti, bujari e atdhetari Nazmi Shaban Raçi pat ndërruar jetë më 07. 05. 2017, në Prishtinë. Trupi i tij prehet i qetë në varrezat e Arbërisë në Prishtinë.

Zoti e pastë shpërblyer me xhennet këtë njeri të mirë!

Respekt Familjes së Tij dhe djemve të Tij!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat