Libri në kohë lufte

Kultura

Libri në kohë lufte

Më: 25 gusht 2022 Në ora: 15:43
Foto ilustrim

Në ditën kur rusët filluan ta bombardojnë edhe qytetin e Lvivit të Ukrainës dhe kur bombat ruse shkatërruan bibliotekën nacionale më të mirë në Ukrainë, asociacionet e bibliotekave nacionale evropiane nisën një peticion me kërkesë që rusët të mos i bombardojnë bibliotekat e popullit ukrainas! Në rajon ishin dy biblioteka që refuzuan ta nënshkruajnë këtë peticion, ajo e Serbisë si dhe Biblioteka Popullore Universitare e Maqedonisë së Veriut!

Siç merret vesh, këto ditë, në Bibliotekën e Shkupit qenka emëruar drejtor një shqiptar! Është moment shumë i mirë që kjo Bibliotekë të shkëputet nga ato biblioteka nacionale që përkrahin agresionin rus mbi Ukrainë.

Zonja e parë e Ukrainës, zonja Zelinska, ka ngritur një iniciativë shumë domethënëse për popullin e vet kudo ku gjendet aktualisht! Nëpër biblioteka nacionale të popujve që kanë strehuar aktualisht refugjatë ukrainas, ka kërkuar që të hapen këndet e librit ukrainas! Këto ditë, një kënd të tillë e hapi edhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Është mirë që këtë gjest ta përsërisin edhe Biblioteka nacionale e Shkupit dhe ajo e Prishtinës!

Nuk bëhet fjalë këtu për ta promovuar librin ukrainas, letërsinë e këtij populli. Thjesht, është një gjest i vullnetit të mirë për t’ia sjellë librin ukrainas refugjatëve të këtij shteti që kanë gjetur strehim e ngrohtësi ndër vendet dhe popujt e këtij rajoni! Shqiptarët kanë arsye që sa më parë të kontaktojnë me ambasadën ukrainase nga ku do të kërkonin që edhe Biblioteka e Shkupit dhe ajo e Prishtinës të përfshiheshin në projektin e Zonjës Zelenska, që libri ukrainas të gjente këndin e vet edhe në këto biblioteka!

Një ditë, kur do të normalizohet situata, bibliotekat shqiptare, ministritë respektive për diasporën tonë, ministrat gjegjës, apo cilido institucion shtetëror, do të kishte mundësi më reale që në bibliotekat ku jetojnë shqiptarët e Ukrainës, të kërkojnë që të ketë kënde të veçantë për librin shqip!

Këtu edhe mund të ndizet ajo shkëndijë e ndërgjegjësimit të institucioneve tona shtetërore që ta shtyjnë edhe më tej projektin e Zonjës Zelenska! Këto institucione diasporën tonë nuk guxojnë edhe më tej ta shikojnë si votë, apo si devizë, nuk guxojnë të kërkojnë gjithnjë prej tyre, ndërkohë që nuk u afrojnë asgjë! Ja një ide origjinale ukrainase të cilën duhet ta elaborojnë institucionet përkatëse shqiptare, por edhe subjektet politike shqiptare që jetojnë në viset e tyre etnike! Nëpër vende të ndryshme të Evropës, atje ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, bibliotekat nacionale apo edhe ato lokale, janë të furnizuar me një fond qesharak të librave në gjuhën shqipe. Ndërsa kjo nuk ndodhë me librat e popujve të tjerë të Ballkanit!

Është obligim kombëtar i institucioneve shtetërore apo i subjekteve politike shqiptare që ta kenë brengë edhe librin shqip atje ku jeton dhe vepron komuniteti shqiptar nëpër vendet evropiane. Përfaqësitë tona diplomatike në Evropë dhe gjetiu, është mirë që “t’i inspektojnë” bibliotekat dhe ta evidentojnë fondin e librit shqip! Të kërkohet që të hapen këndet e librit shqip dhe të furnizohen këto biblioteka! Është e tmerrshme pritja e pushimeve verore që në vendlindje fëmijëve t’u blihen libra për të lexuar në shqip! Nuk ka shtëpi botuese shqiptare që nuk do të ofronte tituj nga botimet e veta për t’i shpërndarë nëpër biblioteka ku jeton dhe vepron diaspora jonë. Mungon vetëm iniciativa e institucioneve shtetërore për të bërë diç për diasporën e vet. Ndërkohë që, edhe nën bombardimet intensive ruse mbi Ukrainë, në kohën e një luftë të tmerrshme, në kohën kur çdo cent është jetik për t’i mbijetuar luftës, dikujt i shkon mendja që të ndajë nga buxheti i luftës edhe për librin e vet, të cilin mendon ta shtrijë gjithandej ku përkohësisht janë strehuar refugjatët ukrainasë! Një popull që e do librin kurrë nuk ia kthen shpinën lirisë! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat