Emri i Nënë Terezës frymëzim për shqiptarët

Kultura

Emri i Nënë Terezës frymëzim për shqiptarët

Më: 17 tetor 2022 Në ora: 16:24
Foto ilustrim

Në Prishtinë është hapur sot ekspozitë për nder të Nënës Terezë.

Ekspozita “Misionarja e bamirësisë – kujtimet e Nënë Terezës në Arkivin Shtetëror”, u hap sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe është përgatitur nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Arkivi Shtetëror i Maqedonisë së Veriut, me rastin e shënimit të 25-vjetorit të vdekjes.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, ka lindur në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe ka vdekur më 5 shtator 1997 në Kalkuta, Indi.

Ajo ishte e njohur për humanizmin dhe zemërgjerësinë e saj.

Nëna Terezë kaloi 45 vjet në shërbim të të varfërve, të të sëmurëve e jetimëve, duke ofruar dhe kërkuar ndihma për ta në mbarë botën.

Ajo njihet si shqiptarja e vetme deri tani, që ka marrë çmim Nobel.

Shumë objekte në trojet shqiptare u pagëzuan me emrin e saj.

Në vitin 2003, Aeroportit të Tiranës, iu dha emri “Nënë Tereza” dhe në hyrje të këtij aeroporti më 2007 u inaugurua edhe busti i saj.

Në vitin 2009 Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës u hap në qytetin e saj të lindjes, Shkup. Katedralja Romake Katolike në Prishtinë, Kosovë, është emëruar po ashtu me të njëjtin emër, kur filloi së ndërtuari në vitin 2011.

Ndërkaq në këto tri kryeqytete edhe sheshet u pagëzuan me emrin e humanistes shqiptare.

Një ndër universitetet në vendlindjen e saj mban emrin “Nënë Tereza”.

Ndër të tjera, humanistja shqiptare u shpërblye me çmime të ndryshme ndërkombëtare, si: Çmimi Ramon Magsaysay (1962), Çmimi Templeton (1973), Çmimi Balzan (1978), Çmimi Nobel për Paqe (1979), Çmimi Bharat Ratna (1980), Çmimi Medal of Freedom (1985), Qytetare nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1996), Dekorata Qytetar Nderi i Kosovës (1996).

Në vitin 2016, Papa Françesku e shpalli Nënë Terezën shenjtore duke e quajtur Shën Tereza, ndërkaq sivjet Vatikani ka përkujtuar 6-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës me një monedhë me fytyrën e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat