Poezia e poetit Avni Çunaku

Kultura

Poezia e poetit Avni Çunaku

Nga: Zymer Mehani Më: 13 nëntor 2022 Në ora: 09:34
Foto ilustrim

Bashkë  me  poezitë  e  vëllimit  "ESHTRA  NË SHTEGTIM", të poetit Avni Çunaku, apo të shprehemi më saktë, në vargjet e tij kuptimplota, ne e takuam shpirtin e tij skofjar, por të shqetësuar për atdheun dhe kombin, të cilit  i  përket,  në  aktualitetin,  kundruall  andrallave  e dallgëve të jetës.  
Ky  krijues  sikur  s'gjen  rehati  në  këto  kohë  të pakohë,  nëpër  të  cilat  po  kalon  shoqëria  jonë,  prandaj vazhdimisht ai është në lëvizje, më tepër larg vendlindjes (vatrës). Prandaj dhe krijon vargjet e tij, ku thotë:
Natë e vonë, votra ime e unë u shuam larg nga ti 
Përplot rrugë të humbura, s’di kur shkoj as kur vi   
(poezia “Natë e vonë”)  
Po t'i grupojmë poezitë e këtij vëllimi, shihet fare qartë  se  ato  ndahen  në  dy  grupime:  në  poezi  atdhetare (siç janë poezitë për Dardaninë: “FJALA JOTE, DARDANI”, “NGA    KUSH    TA    SHPËTOJË    ZOTI    DARDANINË?!”,  “PËR  TY,    DARDANI”,  “DARDANI    E    TYMOSUR”etj.;  pastaj  për Çamërinë:  “PËR  TY,  ÇAMËRI”,  “ÇAMËRI,    DARDANI, SHQIPËRI”   etj.,  e  poezi    tjera  atdhetare:   “RRËNJA    E TRUNGUT  -  BUKA  JONË”,”  SHQIPNI  E  NDAME”,  “DUKE SHTEGTUAR  TOKËS  ARBNORE”,  “TOKA  ARBNORE”, “BËHU  VETVETJA,  SHQIPTAR”,  “SHQIPNI”,  IMI  ATDHE”,  “ MË FAL, TOKA IME” etj.) dhe në poezi malli e dhimbjeje (siç janë: “NË BRIGJET E DETIT”, “NGAPAK  FOLA ME TË GJITHË”, “NË DITARIN E KUJTIMEVE”, “NËPËR TYMNAJAT E  VARGUT  TË  SHEKUJVE”,  “POETI  THA”  e  ndonjë  tjetër). Këto  pastaj  plotësohen  edhe  me  poezi  me  motive  nga jeta në mërgim (siç janë poezitë “KËNGA E DHIMBJES SË  KURBETIT”,  “KURBETI”,  “NATË  E  VONË”  etj. ),  që plotësojnë mozaikun krijues të autorit, ngase edhe ai vetë jeton e vepron në mërgim.
Mendojmë  se  poezitë  me  temë  atdhetare,  nuk  ka pse  të  mungojnë  në  një  vëllim  poetik  të  poetit  Çunaku, aq  më  tepër  vargje  të  tëra  për  Dardaninë  tonë,  së  pari duke  e  njohur  shpirtin  shpërthyes  porsi  uragani  i pandërprerë të poetit, dhe së dyti, për faktin se edhe sot e gjithë  ditën  plagët  dhe  dhimbjet  e  Dardanisë  e  të  mbarë SHQIPËRISË NATYRALE kanë përmasa legjendare. Sido  që  të  jetë,  bindja  jonë  është  se atdhedashuria  është  lajtmotiv  i  poezisë  së  Avni Çunakut  (trinomi  Çamëri,  Dardani,  Shqipëri)  dhe  duke qenë  e  tillë,  ajo  është  shkruar  dhe  duhet  të  shkruhet prore,  ngase  dashuria  ndaj  atdheut  nuk  duhet  të  zbehet asnjëherë,  sepse  ajo  ia  kalon  çdo  dashurie  tjetër,  siç thotë Skënderbeut, sipas Barletit tonë, dhe ia kalon edhe dashurisë ndaj fëmijëve.
Si  për  të  na  bindur  për  këtë  që  thamë,  poeti Çunaku  lëshon  ca  vargje  të  arta,  që  duket  se  nuk  janë shkruar me ngjyrë, por me gjak:  
Shpirtin me Ty e eshtrat në shtegtim, Dardani 
Çerdhe për t’u ngohur e fole për lindje  
Je e vetmja Ti… 
(…)
Guri me shenja gjaku në kufirin Tënd  
Ti qëndro simbol trimërie 
E në oda të mëdha, mbushur përplot  
Të falen burrat me besë burrnie….  
(poezia “Fjala jote, Dardani”)
Prandaj në librin e tij, poezitë atdhetare, janë vetë  shpirti i poetit, që e mban atë të gjallë, i japin jetë dhe i japin  fuqi  për  të  ecur  përpara  në  udhën  e  lirisë  së Kosovës.
Poezi të tilla si: " PËR  TY,  DARDANI", " PËR  TY,   ÇAMËRI",  "  RRËNJA    E  TRUNGUT  -  BUKA  JONË",  etj, qëndrojnë  të  bukura  si  lulëgjaket  e  Kosovës  në  tokën  e saj të kuqëluar- pikagjak.
Motivi  atdhetar,  pra,  kësofare  është  më  kryesori  dhe poezitë atdhetare të poetit Avni Çunaku të bëjnë për  vete jo vetëm për përmbajtjen e thellë patriotike, me një  theks të veçantë aktual, por edhe për nivelin artistik, për  dinamizmin e brendshëm etj.
Tema  e  atdheut  dhe  motivi  atdhetar  në  poezitë  e vëllimit  “Eshtra  në  shtegtim”  të  Çunakut,  sikurse  te shumë  poetë  të  tjerë,  shpesh  do  të  plekset  me  motivin  e mallit  për  vendlindjen. Dhe kjo  është  krejt e  natyrshme, pasi që atdhe do të thotë vendlindje.  
Në shumë poezi, poeti Avni Çunaku, atë mall që e  djeg  porsi  eshkë,  do  ta  pasqyrojë  duke  e  kujtuar konakun, oxhakun, nënën, vëllanë, motrat, shokët, miqtë, agimet  e  zbardhëlluara,  mbrëmjet,  arat  me  grurë,  lumin me shelgjishte, fushat me lulëkuqe etj. etj.
Por poeti duket se është tepër i vëmendshëm ndaj ngjarjeve të kohës, pasi tërheq vëmendjen se:
S’kemi kohë t’i kalojmë motet në zhgënjim 
E kemi jetën tonë për të gjallëruar 
Dhe kemi braktisur prej kohësh çdo trishtim
(Poezia “KRISMA VRASTARE”)  
Për të na siguruar se:  
Kalorësit e kështjellës vigjlojnë me kujdes 
Nëpër dallgë t’tërbuara, me fanarin ndezë  
Shqetësimet e TRUNGUT seç i bartin në supe  
Si pishtarë lirie, krenarë e me besë 
Shtigjeve të gjakosura duke bredhë gjithnji 
Për TRUNGUN shqiptar, të çmuarën ETNI
(Po aty)
Struktura strofike e poezive të poetit Avni Çunaku
Pjesa  dërrmuese  e  poezive  të  vëllimit  "ESHTRA NË  SHTEGTIM"  kanë  strukturë  strofike  disavargëshe (jometrike),   por   aty   hasim   edhe   lloje   të   tjera strofash,  ndonjëherë   të   rimuara,   sikundër   që   hasim edhe   shumë  poezi   të   parimuara   dhe   pa   metër   të caktuar   ndërtimi,  ngase   autorit   s'i   pëlqen   ndonjë shabllon  për  ndërtim  të vargjeve.  
Poezitë  e  tij  janë  tejet  interesante,  qoftë  për figuracion, për fjalor të përdorur, për gjuhë të pastër, për ide, motive, tematikë e çështje.  
Ndonëse  poeti  ndërton  vargje  me  rima  të  pakta, prapëseprapë vargu i tij është muzikal dhe ka një fuqi të brendshme që e dëgjojmë me ëndje.
Ky poet  na  ka  dhuruar poezi  mjaft  origjinale  me laryshi  temash,  idesh  e  formash,  prandaj  kësofare  në botën  poetike  të  tij  hasim  nuanca  shumështresore,  ku përzihen  kohët,  ëndrrat  dhe  zhgjëndrrat,  dëshirat  e shpresat, gëzimet e zhgënjimet, vetëdija e ndërdija.
Ky  poet  nuk  ndalet  vetëm  me  përshkrime ngjarjesh,  dukurish  e  fenomenesh,  por  meqë  stili  i  tij është  i  gjerë  dhe  i  thellë,  ky  vazhdimisht  e  ndryshon këndin e kundrimit, me intensitet të shtuar të interesimit për çdo dukuri dhe fenomen, për çdo subjekt dhe objekt, për çdo detaj e tërësi.
Poeti  Çunaku,  pra  e  përdor  me  mjaft  siguri  dhe kujdes vargun, duke e shtjelluar me saktësi, pa e penguar spontanitetin e tij. Aty gjen figura të mjaftueshme, vërtet origjinale,  të natyrshme,  të  sakta  e  të qarta,  të kapshme, të  kuptueshme  nga  të  gjithë,  që  flasin  për  dëshirën pozitive  të  këtij  poeti  për  të  qenë  origjinal,  por  flasin edhe  për  kuptimin  e  drejtë  që  ai  ka  për  figuracionin poetik.
Poezia  e  Avni  Çunakut  merret  edhe  si  bisedë  e afërt,  e  ngrohtë,  miqësore  e  poetit  me  lexuesit,  duke marrë  herë  pas  here  edhe  karakter  revoltues.  Prandaj poezia  e  tij  shquhet  edhe  për  komunikim  të  afërt. Kryesisht   poeti   përpiqet   që   në   vargjet   e   veta   të përdorë  shprehje   të   përshtatshme,   të   marrura   shpesh edhe  nga gjuha jonë e përditshme popullore.
Kujdesi ndaj gjuhës  
Poeti  Avni  Çunaku  është  mjeshtër  i  fjalës  së bukur  artistike  dhe  si  i  tillë  depërton  me  magjinë  e  artit përgjithësisht, ngase është gjurmues, vizionar dhe krijues i denjë, që me vargjet e tij kapton shtigje të reja dhe hap botëra të reja imagjinare.
Ky  poet,  pra  në  punën  e  tij  krijuese  shquhet edhe  për  kujdesin  ndaj  gjuhës.  Pra,  edhe  për  punë  të fjalorit ky autor ka treguar një kujdes të veçantë. Fjalori i përdorur është mjaft i pasur, e mbi të gjitha, shprehës, i qartë dhe i saktë.
Nga  poeti  Avni  Çunaku  është  treguar  një  kujdes tejet i veçantë dhe unikal ndaj fjalorit dhe të të shprehurit poetik, sepse ai e di fare mirë se pikërisht fjalët janë vetë bazamenti  lëndor  për  ndërtim  të  poezisë.  Prandaj  duke qenë  i  vetëdijshëm  për  peshën  e  tyre,  s'do  mend  se Çunaku këtë fakt, siç duket, e ka marrë me seriozitet prej një artisti të denjë.


 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat