Çabej i mirëvlerësuar, por jo tabu

Kultura

Çabej i mirëvlerësuar, por jo tabu

Nga: Muharrem Abazaj Më: 14 nëntor 2022 Në ora: 12:00
Autori Muharrem Abazaj

Këto vitet e fundit ka një rritje të interesit për identitetin tonë kombëtar. Kjo është e kuptueshme, sepse lidhet me atë ringritje të kombit shqiptar në këtë fillim shekulli. Krahas studiuesve të fushave të ndryshme, shumë gjuhëtarë kanë dalë në mbështetje të tezës së prejardhjes pellazgjike të gjuhës shqipe, duke sjellë në të njëjtën kohë, shumë dëshmi konkrete që provojnë vazhdimësinë gjuhësore pellazgo – iliro – shqipe. Mirëpo, kjo tezë vazhdon të kundërshtohet me forcë nga ana e drejtuesve të Akademisë së Studimeve Albanologjike me pretekstin se kjo tezë është hedhur poshtë nga E. Çabej. gjë që është bërë shkak për një polemikë të ashpër pro dhe kundër tij.

Është e nevojshme të përcaktohet drejt një qëndrim që duhet mbajtur për figurën e E.Çabejt me qëllim që të zgjidhet ky ngërç studimor.

Si gjuhëtar, mbështetës i tezës së prejardhjes pellazgjike të shqipes dhe njëkohësisht si ish student i tij, do të shpreh mendimet e mija.

Çabej, së bashku me Aleksandër Xhuvanin, Kostaq Cipon, Ahmet Gashin, Vasil Vunjaun, Kolë Papariston, Sotir Papahriston, Sotir Kuneshkën, Minella Karajanin, Hysni Babameton, Gjergj Cancojan etj, i përket atij brezi arsimtarësh të shkolluar jashtë Shqipërisë që punuan në dy periudha: para dhe pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi–fashistë. Para Çlirimit Çabej punoi si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në gjimnazet: Shkodër, Tiranë, Elbasan, Gjirokastër. Krahas mësimdhënies në këtë periudhë ai është marrë edhe me studime shkencore si dhe me botime të nevojshme për shkollën e mesme. Bie në sy një interesimi i madh i tij, jo vetëm për gjuhësinë, por edhe për letërsinë dhe folklorin. Kjo duket qartë edhe nga titujt e botimeve të tij të kësaj periudhe, ku krahas studimeve thjesht gjuhësore ka botuar edhe studime nga fusha e folklorit dhe e letërsisë, ose edhe studime me karakter të përzier gjuhësor e letrar. Nga studimet thjesht gjuhësore të asaj periudhe mund të përmendim:

1. Tekste italo-shqiptare (1935).

2. Elemente dialektore nga Italia.

3. Marrëdhëniet midis shqipes dhe rumanishtes.

4. Shprehje dhe frazeologji paralele në gjuhët ballkanike.

5. Atlasi gjuhësor shqiptar.

Nga fusha e folklorit dhe e letërsisë mund të përmendim ndër të tjera:

1. Kënga e Lenorës në poezinë popullore shqiptare.

2. Zakone dhe doke të shqiptarëve.

3. Konstandini i vogëlith dhe kthimi i Odiseut.

4. Për gjenezën e literaturës shqipe.

5. Kulti dhe vijimi i hyjneshës Diana në Ballkan.

Nga studimet me karakter të përzier (gjuhësor, letrar dhe folklorik) duhen përmendur sidomos “ Studime italo - shqiptare “dhe teksti për shkolla të mesme “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe.”(me pjesë të zgjedhura),ku jepen njohuri për gjuhët e botës, gjuhët indoevropiane dhe gjuhën shqipe. Ky libër ka shërbyer si tekst shkollor. Këtu jepen edhe disa njohuri për shkrimtarët e vjetër shqiptarë të shek XIX.si dhe pjesë të zgjedhura nga këta autorë.

Në periudhën pas Çlirimit aktiviteti i tij pedagogjiko – shkencor ka qenë shumë intensiv, duke anuar më tepër nga ai shkencor. Fillimisht ai punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, dhe njëkohësisht edhe si pedagog në shkollën e lartë. Si punonjës shkencor, krahas studimeve individuale ai bashkëpunoi me mjaft studiues të tjerë si me Aleksandër Xhuvanin, në përgatitjen e monografisë për parashtesat dhe prapashtesat e gjuhës shqipe, me një grup studiuesish punoi për fjalorin serbo – kroatisht – shqip si dhe hartimin e 13 terminologjive për shkenca të ndryshme. Bashkëpunoi me redaksitë e revistave shkencore të ish Institutit të Shkencave dhe Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, mori pjesë aktive në komisionet përgatitore të konferencave dhe sesioneve shkencore të organizuara nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë si dhe në komisionin përgatitor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Nga fusha e fonetikës dhe të gramatikës historike Çabej ka botuar një mori artikujsh e studimesh si:

1. Mbi disa rregulla të fonetikës historike të shqipes,

2. Disa aspekte të fonetikës historike të shqipes në dritën e gjuhës së Gjon Buzukut, Për historinë e zanores ë në gjuhën shqipe, Trajtimi i zanoreve iniciale te Gjon Buzuku, Diftongje dhe grupe zanoresh të shqipes, për historinë e konsonantizmit në gjuhën shqipe, Disa mendime mbi nazalizimin e shqipes etj. Këto studime janë ribotuar më 1988 në një vëllim më vete nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me titullin: “E, Çabej, Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe“. Ndërsa nga fusha e gramatikës historike vlen të përmendim: “ Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe”, “ Problemi i nyjave të shqipes”, “Çështja e gjinisë asnjanëse ”etj.

Angazhimi më i madh i punës shkencore të tij u përqendrua në problemin kyç të përcaktimit të identitetit tonë kombëtar, në origjinën e gjuhës shqipe. Në grupin e gjuhëtarëve shqiptarë që kontribuuan për zbulimin e prejardhjes së shqipes: M.Domi, Sh. Demiraj, O/Myderrizi, J. Gjinari, etj. E . Çabej mori përsipër të udhëheqë këto studime

Në atë kohë ekzistonin disa teza për prejardhjen e shqipes: teza e prejardhjes së shqipes nga pellazgjishtja, ajo nga ilirishtja, nga thrakishtja, nga thrako – ilirishtja etj. Në përpjekjet për përcaktimin shkencor të prejardhjes së shqipes u organizuan mjaft veprimtari të rëndësishme si sesione shkencore, konferenca, kuvende etj. Çabej, jo vetëm mori pjesë në të gjitha komisione përgatitore të këtyre aktiviteteve, por edhe ka mbajtur referate me peshë duke mbrojtur me këmbëngulje tezën e prejardhjes nga ilirishtja të shqipes si:

1. Ilirishtja dhe shqipja, kumtesë e mbajtur në sesionin shkencor Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve, Tiranë, 1969.

2. Problemi i vendit të formimit të gjuhës shqipe, kumtesë e mbajtur në Kuvendin e Parë të Studimeve Ilire, 1972.

Ai përzgjodhi të dalë në mbrojtje të tezës së prejardhjes së shqipes nga ilirishtja, pasi shihte mbështetje të fortë të saj nga faktet e shumta që vinin nga historio – gjeografia, arkeologjia, etnologjia etj. Çabej ishte i bindur se shqiptarët ishin pasardhës të ilirëve dhe rrjedhimisht gjuha shqipe duhej të rridhte nga ilirishtja. Por kjo vazhdimësi duhej provuar gjuhësisht. Duheshin paraqitur materiale të shkruara të gjuhës ilire dhe të krahasoheshin ato me shqipen e sotme. Kjo gjë nuk u arrit, pasi nuk u bë e mundur të gjendej qoftë edhe një material fare i shkurtër i shkruar me gjuhën ilire. Këtë boshllëk të madh Çabej u përpoq të mund ta kompensonte me shkrimet e autorëve të vjetër të shqipes. Ai studioi me themel autorët e vjetër, veprat e të cilëve ruajnë mjaft elemente gjuhësore arkaike. Një punë të madhe bëri ai sidomos për studimin e gjuhës së Gjon Buzukut, veprën e të cilit edhe e ribotoi të transliteruar dhe të transkriptuar. Studioi gjithashtu edhe tekstet e autorëve të tjerë vjetër si Bogdanin, Budin etj.

I bindur se me materialin gjuhësor të këtyre veprave nuk mund të arrihej të provohej vazhdimësia gjuhësore iliro – shqipe, ai iu drejtua etimologjisë. Fillimisht u mor me analizën etimologjike të shumë emërtimeve të lashta (emra vendbanimesh, emra njerëzish, malesh, lumenjsh etj.), me bindjen se këto emërtime të lashta ishin bërë me gjuhën e banorëve të lashtë të këtyre trojeve. Në këto analiza ai arriti në një përfundim shumë të rëndësishëm: zbuloi vazhdimësinë gjuhësore të ardhjes së trajtave të emërtimeve të lashta në trajtat e sotme mbi bazën e ligjeve fonetike të shqipes. Përmes etimologjisë ai arriti të identifikojë një numër të konsiderueshëm fjalësh të cilat ishin fjalë të trashëguara të gjuhës shqipe, sepse nuk figuronin në asnjë gjuhë tjetër indoevropiane.

Këto fakte i shërbyen atij si një armë e fortë për të kundërshtuar pikëpamjet e disa studiuesve të huaj, sidomos pretendimet e ballkanologut të njohur G. Vajgand, i cili e shtynte djepin e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe më në lindje, në brendësi të Ballkanit, larg brigjeve të Adriatikut, duke mohuar vazhdimësinë etno - gjuhësore iliro – shqiptare. Faktet gjuhësore të paraqitura nga Çabej, të mbështetura fort edhe nga mjaft studjues të njohur të huaj si : G.Majer, N Jokli, F. Miklosiç, V. Jagiç, V. Majer – Lybke, Petersen, etj, disa prej të cilëve kishin qenë profesorë të tij, bënë që të pranohej teza e prejardhjes nga ilirishtja të gjuhës shqipe. Kjo ishte një arritje e madhe për kohën, sepse u pranua autoktonia e shqiptarëve në këto troje dhe vazhdimësia gjuhësore ilirishte – shqipe.

Çabej ishte i ndërgjegjshëm se faktet gjuhësore të gjetura deri atëherë, nuk ishin të mjaftueshme për të provuar shkencërisht vazhdimësinë gjuhësore iliro – shqipe, prandaj ai deklaronte: “Duke përmbledhur ç’u tha për burimin e shqipes. me çështjet që dalin përbrenda tij, dhe rrugët që janë ndjekur e metodat që janë zbatuar për të arritur në një zgjidhje, me një vështrim objektiv do të thuhet se janë sqaruar disa anë, disa pika janë zbërthyer, po ky problem në thelb mbetet gjer më sot i pazgjidhur “’Hyrje në Historinë e Gjuhës Shqipe”. f.73.

Në pamundësi për të shfrytëzuar materiale të shkruara në gjuhën shqipe përpara shek.XVI, ai vazhdoi me këmbëngulje punën e tij me etimologjinë. Hartoi një vepër voluminoze disa vëllimëshe “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, ku arriti ta shtojë më tej sasinë e fjalëve të fondit të trashëguar të shqipes, por shumë fjalë të shqipes, të cilat i dilnin në dy burime: në shqip dhe në gjuhë të tjera si latinisht, greqisht, sllavisht etj. ai i vlerësonte si me burim nga këto gjuhë të huaja, pasi ato gjuhë për të ishin më të lashta se shqipja.

Cili ka qenë qëndrimi i Çabejt për tezën e prejardhjes pellazgjike të gjuhës shqipe? Ka qenë dyshues dhe mospërfillës. E ka kundërshtuar me të gjitha mënyrat, por shumë argumente të tij janë të paqëndrueshme. Arriti ta bëjë të papranueshme këtë tezë dhe ta heqë përfundimisht nga agjenda e studimeve albanologjike.

Teza e prejardhjes pellazgjike të gjuhës shqipe e ka fillimin shumë të herët. Ajo gjeti një mbështetje shumë të fuqishme gati nga të gjithë përfaqësuesit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kjo tezë mbisundoi ndaj tezave të tjera të prejardhjes së shqipes, aq sa në tekstet shkollore shqiptare deri në vitet ‘50 të shekullit të kaluar, thuhej: “ne shqiptarët jemi stërnipër të pellazgëve.”

Nuk ka asnjë dyshim se Çabej i ka njohur pikëpamjet e shumë studiuesve të gjuhës shqipe për tezën pellazgjike, si të rilindësve tanë, të bashkëkohësve të tij dhe të studiuesve të huaj.

Ai i ka zhvlerësuar totalisht ato. “Në shekullin e kaluar u përhap shumëkund hipoteza se shqiptarët ishin stërnipërit e pellazgëve. Kjo hipotezë a teori, e themeluar në tryezë të dijetarëve të huaj, pati jehonë të gjerë në lagjen e poetëve e shkrimtarëve shqiptarë të Shqipërisë e të Italisë” (po aty fq.7). Si mund të rrafshohet me një të rënë të lapsit një punë kaq e madhe e rilindësve tanë? A mos vallë Sami Frashëri ka qenë poet ëndërrimtar? Ai njihet si një shkencëtar i madh jo vetën nga ne shqiptarët. A mund të shprehej kështu ai pa qenë i bindur?“ Po të ngrihej një pellazg, unë do të flisja me të si me një toskë a me një gegë”( Shqipëria, ç’ka qenë, ç’ është dhe çdo të bëhet”.

Edhe për studiuesit bashkëkohorë të tij, që mbështesnin tezën pellazgjike, ai mbajti të njëjtin qëndrim: injorues.

Kumtesën e vetme që doli në mbështetje të tezës pellazgjike në Kuvendin e Studimeve Ilire, të referuar nga S. Konda, e kaloi në heshtje, duke e zhvleftësuar tërësisht atë.

Një qëndrim kontradiktor mbajti ai ndaj përfaqësuesit më në zë nga studiuesit e huaj që mbështesnin tezën pellazge ndaj J.Hahnit. Ai e pranon tezën e Hahnit, por i heq asaj thelbin shkencor, vazhdimësinë pellazgo - ilire. Sipas tij “tezat e Hahnit, i cili shihet me të drejtë si ati i albanistikës, që epirotët e makedonet përbënin thelbin e fisit tireno – pellazgjik e që ilirishtja është pellazgjisht, në një kuptim më të gjerë, në këtë vështrim të përgjithësuar, nuk mund të mbahet) (po aty, f. 91).

Bazën kryesore të kundërshtimit të kësaj tezë ai e sheh tek mungesa e dokumenteve gjuhësore të pellazgjishtes. “Së paku të kish një material, qoftë ky fare i shkurtër, që të thuhej me siguri se i përkiste pellazgjishtes, pasi dija nuk ka arritur në qartësi” (po aty f.73). Ky arsyetim është shumë i pranueshëm. Askush s’mund të gjykojë për diçka të cilën nuk e njeh. Përderisa për këtë gjuhë nuk kishte asnjë të dhënë, ai nuk mund ta pranonte atë. Mirëpo ky fakt, nuk mund ta shpinte atë në një përfundim të tillë: “sepse pas gjithë gjasave, ilirishtja e pellazgjishtja janë gjuhë të ndryshme.” (po aty f.73) pasi ai vetë pat deklaruar se: “trakishtja e ilirishtja janë pothuajse gjuhë të panjohura për ne.” (po aty.f.73). Probabiliteti i ngjashmërisë apo ndryshimit midis dy objekteve të panjohur varion nga 0 deri në 100%. Kjo do të thotë që mundësia e ngjashmërisë, vazhdimësisë gjuhësore pellazgo – ilire, është në përqindje të njëjtë me pamundësinë e ngjashmërisë, vazhdimësisë midis tyre. Edhe pse i pasigurtë, ”pas gjithë gjasave”,, - thotë ai, - del në këtë përfundimin se pellazgjishtja është gjuhë e ndryshme nga ilirishtja, përfundim që është krejt i paqëndrueshëm. Duke qenë i pasigurtë për këtë përfundim, Çabej përpiqet ta tejkalojë atë me një fakt tjetër. Ai thotë se gjuha ilirishte ishte klasifikuar si një gjuhë që i përkiste familjes gjuhësore indoevropiane, kurse pellazgjishtja ishte një gjuhë e panjohur, ende e painkuadruar në këtë familje gjuhësore. “Hahni, asqë nuk e shtroi pyetjen nëse pellazgjishtja ishte gjuhë indoevropiane. Kjo e natyrshme për atë kohë.’’ (po aty f.37).

Edhe ky arsyetimi i fundit mund të duket i pranueshëm, por kurrsesi nuk mund të merrë vlerën e vërtetësisë. Pse? Po, çfarë gjuhe ishte atëherë pellazgjishtja? Vërtet se nuk kishte material njohës për të, por edhe në mungesë të tyre, ashtu si ai gjykonte për ilirishten, mund të gjykonte edhe për pellazgjishten. Nuk mund të besojmë se Çabej nuk e njihte pikëpamjen e dijetarit të shquar Ë. Xhons (1746 – 1794), sipas të cilit ka ekzistuar një gjuhë e lashtë, e cila është zhdukur, prej së cilës rrjedhin të gjitha gjuhët indoevropiane. Kjo ide e hershme u pranua më vonë nga elita gjuhësore e kohës dhe shërbeu si bazë për studimin e mëtejshëm të gjuhëve të kësaj familjeje. Këtë gjuhë Hahni dhe shumë studiues, ndër ta edhe rilindësit tanë, e quajtën pellazgjishte, sepse kështu e kanë emërtuar edhe autorët e lashtësisë. Duke qenë se pellazgjishtja është mëma e gjuhëve indoevropiane, kuptohet se s’ka si të mos jetë edhe vetë ajo një gjuhë indoevropiane. Me këtë duam të themi se nuk mund të pranohet përfundimi i Çabejt se ilirishtja është e ndryshme nga pellazgjishtja, me që kjo e fundit nuk është gjuhë indoevropiane. Nuk arrijmë të kuptojmë pse Çabej nuk pranonte ta linte të hapur shtegun për mundësisë e ekzistencës dhe të qenit e pellazgjishtes si një gjuhë indoevropiane.

Për të përforcuar idenë e pamundësisë së kësaj vazhdimësie gjuhësore pellazgo - shqipe, Çabej shkon edhe më tej.

“Në formimin gjuhësor të shqipes, ashtu si dhe në ato të gjuhëve motra, përveç lëndës indoevropiane, që përbën bazën, vihet re dhe një komponente, sado e pakët, jo indoevropiane”. (po aty f.87).

Ai arrin ta dallojë qartë këtë “komponentë” të lashtë të gjuhës shqipe, por nuk preferon të shprehet se kjo mund të jetë komponentë e gjuhës pellazge, por e emërton atë si të një gjuhe” jo indoevropiane, …“mbeturina e një substrati etnik e gjuhësor që gjetën të parët e shqiptarëve në viset ku zunë vend (po aty.f.87).

Me këtë fakt duket sikur Çabej pret çdo mundësi për të parë afri apo vazhdimësi gjuhësore iliro – pellazge, pasi të parët që “gjetën” ilirët në këto troje, i sheh si një popull që s’ka asnjë lidhje me ilirët. Në këtë përfundim Çabej ka arritur duke u mbështetur tek të dhënat historiko - arkeologjike për të cilat nuk mund të flasim me kompetencë. Por, nuk ka asnjë të dhënë nga historianët e lashtësisë që në këto troje, ku kanë banuar ilirët, të ketë qenë vendosur ndonjë popull tjetër. Ndërsa, arkeologët dhe historianët tanë, të mbështetur në të dhëna arkeologjike, kanë dalë me dy qëndrime të ndryshme: një pjesë pranon se ilirët janë ardhës në këto troje dhe gjetën këtu një popull tjetër që ata e emërtojnë parailir, kurse pjesa tjetër i përmbahet pikëpamjes së ilirët janë autoktonë në këto troje. Nga ky qëndrim lidhet edhe vijimësia etniko -gjuhësore ose jo e ilirëve me banorët e lashtë të këtyre trojeve, me pellazgët. Në Kuvendin e Studimeve Ilire, arkeologu ynë i njohur N. Bodinaku, në kumtesën e tij “Migrimet e periudhës së bronzit të hershëm dhe roli i tyre në formimin e etnosit ilir” ndër të tjera shkruan: “Sidoqoftë, një fakt del me një qartësi të veçantë, se këto gjetje të periudhës së vonë eneolitike në Shqipëri, kështu të fragmentuara e të papërfillshme siç janë në krahasim me elementet e tjera kulturore vendore, nuk mund të kuptohen e të interpretohen ndryshe, veçse si elemente të ardhura në rrugë të tërthortë… Asnjë fakt më tepër nuk mund të sillet për periudhën eneolitike të vendit tonë që të mund të shërbejë dhe si provë arkeologjike për praninë kulturore, e aq më pak etnike të popullsisë stepike” (të ardhur nga stepat, shën.yni).

Këto kohët e fundit, Akademia e Studimeve Albanologjike (Instituti i Arkeologjisë) botoi librin e arkeologut të njohur Luan Përzhita, i cili provon me argumente të pakundërshtueshëm autoktoninë e ilirëve në këto troje. Duke konfirmuar kështu vazhdimësinë etnike pellazgo–ilire.

Sigurisht që edhe ilirët kanë ardhur në këto troje në periudha shumë më të lashta nga koha kur përmenden nga historianët e antikitetit, sepse jeta njerëzore nuk është provuar se ka lindur në këto troje, por edhe ilirët, ashtu si shumë popuj të tjerë: epirotët, maqedonët, helenët, etruskët, mesapët, frigët etj. janë fise me prejardhje pellazge. Prandaj, edhe për këtë fakt Çabej, ndryshe nga shumë studiues të tjerë, nuk do as të hamendësojë se paraardhësit e ilirëve mund të kenë qenë pellazg. Çabeji ka zgjedhur të mbështet tek pikëpamja e atyre historianëve dhe arkeologëve që kanë mbështetur tezën se para ilirëve në këto troje ka ekzistuar një popull tjetër jo ilir, duke “vulosur“ përfundimisht pamundësinë e vijimësisë etno – gjuhësore pellazgo – ilire.

Mendimet kontradiktore të tij për tezën pellazgjishte i shohim fare qartë edhe kur ai e hedh vështrimin në mundësinë e sqarimit të plotë të prejardhjes së shqipes.

“Nga këto rrethana pyetja nëse ekzistojnë mundësi të një sqarimi në të ardhmen lidhet me mundësinë e pasurimit te materialit, po edhe me përmirësimin e metodës së punës.” (po aty f.73).

“Nga gjuhësia pritet më një anë zbërthimi i mbishkrimeve mesapike, e në tumbat e panumërta të Trakisë në Bullgarinë Lindore nga ku mund të dalin mbishkrime trake të reja. Në krahinën qendrore të Italisë, kanë banuar etruskët, gjuha e të cilëve u ka rezistuar gjer më sot përpjekjeve të gjuhëtarëve për ta interpretuar… (po aty f.75).

…mesapishtja, si i vetmi dialekt i ilirishtes që dokumentohet me mbishkrime, mbase është caktuar të luajë rolin e një çelësi për të hyrë sadopak në errësirën e shkallës antike të shqipes. Ndërsjelltas edhe shqipja mund të bëhet një ditë çelësi kryesor në zbërthimin e mbishkrimeve mesapike.” ( po aty f.55)

Çabej e ka ditur fort mirë se në territoret ku janë gjetur këto mbishkrime, si në Itali, në Thrakën Lindore etj. nuk kanë banuar ilirët, por fise me prejardhje pellazge. Edhe nuk e pranoi asnjëherë tezën e prejardhjes pellazgjike të shqipes, intuita shkencore e orientonte atë drejt së vërtetës.

Janë pikërisht këto mbishkrime të cilat sot i kemi të deshifruara në gjuhën shqipe që e zgjidhin përfundimisht problemin: shqiptarët stërnipër të pellazgëve, nipër të ilirëve dhe vazhdimësinë gjuhësore pellazgo - iliro - shqipe

Cili do të ishte qëndrimi i drejtë që do të duhej të mbahej ndaj E. Çabejt?

Çabeji duhet të vlerësohet për përpjekjet e tij për ngritjen e arsimit të lartë pedagogjik shqiptar. Ai duhet të vlerësohet edhe për përpjekjet që bëri për zbulimin e prejardhjes së gjuhës shqipe, por nuk duhet që të fetishizohet, të kthehet në një mit, sepse realisht Çabej nuk arriti ta zbulojë prejardhjen e shqipes dhe rrjedhimisht gjenezën e shqiptarëve, megjithëse i pat vënë vetes detyrë të hartonte historinë e gjuhës shqipe, ai, librin e tij, ku pasqyroi të dhënat që mundi të zbulojë për këtë histori, e titulloi jo histori por “Hyrje në Historinë e Gjuhës Shqipe”.

Vetëkuptohet se nuk është i drejtë qëndrimi që ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë Akademia e Studimeve Albanologjike ose trupat pedagogjike të Fakulteteve Filologjike në mosvlerësimin ose dhe pengimin e gjetjeve të reja që shpien në vërtetimin e tezës pellazgjike, vetëm e vetëm duke i parë këto gjetje si “një kundërvënie ndaj Çabejt”. Vetë Çabej nuk do ta pranonte këtë qëndrim. Ai do të donte që përpjekjet për zbulimin e prejardhjes së gjuhës shqipe të vazhdonin derisa ajo të zbulohej plotësisht.

Duhet, pa humbur kohë, të fillojë puna për organizimin e një diskutimi të gjerë institucional për të zbuluar përfundimisht prejardhjen e shqipes dhe njëherazi etnogjenezën e kombit shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat