Ilir Manxura, një poet që lexohet me vëmendje dhe kënaqësi!

Kultura

Ilir Manxura, një poet që lexohet me vëmendje dhe kënaqësi!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 08:54
Ilir Manxura

Poeti Ilir Manxura( në facebook Ilir Man) është lindur dhe rritur në Maliq të Korçës. Këtu ka kryer shkollën e mesme në Maliq dhe më pas shkollën e lartë të infermierisë në Korçë. Në vitet e para 90, gjatë viteve të shkollës, u angazhua në rrethe letrare dhe bëri disa botime modeste tek disa gazeta lokale në Korçë. M[ 1998 emigroi në Francë si azilant politik dhe për një kohë të shkurtër fitoi edhe nacionalitetin francez. Në Francë ka kryer dy kurse profesionale një vjeçare. Pas përfundimit dhe prezantimit të diplomës ka punuar në shërbimin e gastro-enereologjise në një spital në Lyon. Që prej 2014 është i riangazhuar në rrjete sociale dhe disa media letrare me poezi dhe proza poetike. promovime libri në Gjevevë dhe Korçë. Poetët e tij më të preferuar, ndër ata shqiptarë, janë De Rada, Gjergj Fishta, Teodor Keko, Agim Doçi, ndërsa nga poezia botërore, Robert Burns, Charles de Baudelaire, Paul Verlaine, Victor Hygo...

Ilir

Është tejet i dhënë ndaj profesionit dhe punës së përditshme, sepse, krahas interesit pragmatist, financiar, e vlerëson si mision për t`i shërbyer njeriut! Sigurisht të qenurit fizikisht larg, nuk e pengon atë të jetë me mendje, zemër, krijimtari, poezi...pranë vendlindjes dhe njerëzve më të afërt të familjes si dhe miqve qysh nga fëmijëria e më vonë. Këtë distancë rreth 2475 kilometrash në linjë tokësore ai e “përshkon” brenda pak minutash nëpërmjet internetit dhe krijimtarisë poetike, cikleve të shpeshtë me vjersha. Pra, duke bërë edhe pak humor, nga sa ka rrëfyer dhe shkruar, Iliri ka 4 dashuri :Shqipërinë, gruan, mjeksinë, poezinë! Si specialist i fushës së mjeksisë ai e ka përjetuar dhe e përjeton me keqardhje kontrastin e ndjeshëm mes mjeksisë franceze, sipas vizionit dhe opinionit të tij, me një sistem shendetsor më të mirin në botë dhe mjeksisë në Shqipëri, mbetur shumë larg standartit francez.

Nga intervista që i ka dhënë gazetares Nikoleta Kovaçi më 20 mars 2020, më ka mbetur në mendje ky opinion i tij i sinqertë, shprehur në rradhët e mëposhtme: “Nuk mund të bëj dot një krahasim ndërmjet dy sistemeve shëndetësore në Francë dhe Shqipëri. Sepse ndonjëherë më duket sikur njësia matëse për këtë krahasim akoma nuk ekziston. Më vjen keq për këtë! Të siguroj që ka një profesionalizëm shumë të mirë të ekipit mjeksor në Shqipëri! Po! Ka shumë. Por nuk ka asnjë lloj organizimi, trajtimi, stimulimi financiar apo edhe moral. Ka një amulli totale në qarkullimin e pagesave apo rimbursimeve të pacientëve. Në Francë mjeku njeh emrin, diagnozën dhe kronologjinë e problemit dhe aspak gjendjen financiare apo kulturore të pacientit, racën apo çdo gjë tjetër që mund ta vendosë atë në konflikt interesi...!”

Një vëllim poetik mbush me DASHURI, JETË, POEZI...

me Ilirin ka ardhur nga një cikël i tij me poezi, futur në faqen e tij në facebook, rreth 5 vjet më parë. E lexova, si i thonë fjalës, me një frymë. Por, edhe me kënaqësi. Ishin vjersha koncize, por interesante për nga gjetjet e motiveve e nga titujt intrigues dhe shprehës, si dhe për nga veçanësitë tematike, poetizmi, lirizmi, figuracioni, strukturimi....Pastaj, për ta njohur pak më shumë si njeri e për disa të dhëna nga profesioni dhe jeta, lexova informacionet e pakta në faqen e tij të facebookut. Bëra një vlerësim të shkurtër e të sinqertë për ciklin me vjersha të Ilirit dhe ai nuk e vonoi mesazhin e tij mirënjohës. Kështu qysh nga ajo ditë u bëmë shokë në facebook e pas një kohe edhe MIQ.

Qysh nga kjo kohë u bëra një nga lexuesit dhe komentuesit e parë të cikleve me POEZI të Ilir Man-it. Duke qenë krijues me përjetueshmëri aktive qytetare, sociale dhe individuale, me kërkesa dhe përgjegjshmëri artistike, sidomos ndaj emocioneve dhe motiveve lirike, me mbizotërues ato për DASHURINË dhe FEMRËN, ndjesive më të rëndësishme jetësore e njerëzore, ai na ka dhuruar nga 2-3 cikle në javë. Nuk e teproj nëse shprehem se me çdo cikël ai ka ngjitur një hap më lart drejt majës më të lartë të MALIT TË POEZISË. Prandaj, sapo shikoja që futej një cikël i ri me poezi prej tij, e ndërprisja punën që kisha në dorë, leximin e një libri të një shkrimtari tjetër apo për shkrime të mia nëpër gazeta dhe romanin tim të ri. Më së shumti nuk jam zhgënjyer dhe penduar për këtë “sakrificë”, Çdo cikël ka qenë njeri më i bukur se tjetri.

Qenia lexues shumë i rregullt dhe i vëmendshëm më ndihmoi që të krijoja bindjen se Iliri po “vraponte” për t’u bërë POET. Të mirëkuptohemi, një POET bashkëkohor, sidomos i denjë edhe për POEZINË SHQIPTARE dhe atë franceze, ku jeton e punon prej rreth 24 vitesh si dhe i pëlqyer nga sa më shumë lexues, që e duan, njohin dhe shijojnë... poezinë. Pas disa vitesh krijimtarie dhe publikimi në rrjete sociale dhe gazeta letrare me cikle vjershash të mirëpritura nga lexues, poetë dhe kritikë letrarë, nga vera e vitit 2021, Ilirit iu mbush mendja apo iu bë mbarë t’i përmblidhte poezitë më të bukura, jo vetëm për atë, një një vëllim.

Librit i vuri titullin interesnxitës dhe shprehës “Lulet e fatit në kopshtin tim”.Sipas edhe parapëlqimit dhe profilizimit të vet vjershat i grupoi edhe për nga motivet, natyra dhe tematika në “Përmbajtja e jetës”(70 vjersha); “Sensuale”(10 vjersha);”Sociale”(5 vjersha);”HAIKU-Kujtesë”(5 vjersha) dhe “Poezi në frëngjisht”(11 vjersha). Jo vetëm nga ky libër, por edhe para e pas tij, është e dukshme se në tufën e madhe poetike të Ilir Manxurës mbizotërojnë ndjeshëm ato lirike, kushtuar dashurisë. Sipas gjykimit tim krejt subjektiv, Ilir Manxura është edhe një Lasgush modern, i dy dekadave të para të shekullit të 21 e dukshëm edhe francez, me ngjashmëri(aspak plagjiaturë) me Sharl Bodeler, Teofil Gote, Viktor Hygo. Pol Elyuar...

COPËZJETE

copëz jete, në labirinte rreshtash tek libri i saj, fillon e mbaron së shkruari. I hedh një sy shpejt e shpejt për ta rilexuar para se faqen e fundvitit të vendos në kasafortën e memories, E rilexoj. Vargje petalesh çelin dhe copëzjeta m’u bë një poezi me vargje që si gjethe vjeshte rrëzohen ashtu si pa u ndjerë në modesti. Tkurrje mendimesh mpleksen tek kjo copëzjetë si lule të paujitura në braktisje, Pastaj, buzëqeshje çliruese, puthje, Klithma sensuale që ankthe shtyjnë në ikje

......

Kjo copëzjetë që lulebotën poezi ma mëkoi me muzën e bekuar. Mbeti këtë ditë natë të fundvitit, thjesht si një prolog romani të harruar

Ilir Manxura është poet thellësisht dhe qartësisht njerëzor, qytetar, me dëshirë dhe angazhim për të emancipuar nëpërmjet artit, poezisë, njerëzores, të mirës, të bukurës, dashurisë... së pari vetveten, pastaj lexuesin, sa më shumë njerëz dhe forca politike në vendlindje dhe përtej saj...

Pra, ai nuk i shikon dhe vlerëson vjershat e tij thjeshtë si shfryrje artistike e lëmshit të ndjesive të tij individuale për t’u njohur sa më shumë si poet nëpër faqet e mediave letrare...Nëpërmjet humanes dhe të të bukurës jetësore dhe artistike, nëpërmjet imazheve të krijimit apo fantazisë si dhe metaforikës dhe simbolikës me sens mase poeti na jep plot poezi që kur i përfundon së lexuari herën e parë, e ndjen se është e nevojshme t’i lexosh edhe një herë tjetër, në ato minuta apo disa orë e ditë më vonë. Mes këtij vëllimi të Ilir Manxurës gjen dhe të tërheqin vëmendjen poezi origjinale, prekëse, meditative, dedikuese, filozofike, lirike, disa deri me doza të lehta dhe të pranueshme erotizmi, të cilat në fund të fundit karakterizojnë ekzistencën njerëzore, realititetin, shprehin marrëdhëniet e poetit me natyrën dhe njerëzit, që e rrethojnë.

Ky vëllim me poezi shquhet për intensitetin e fortë përjetues dhe emocional, për stilin ekspresiv të dhimbjeve që mbart dhe shkakton “Dashuria”, personifikuar tek shoqja e jetës apo edhe krejt si një krijim gati i gjallë, i fantazisë artistike e poetike të autorit. Shumica e vjershave në këtë vëllim mund të interpretohen edhe si bashkëbisedim intim dhe i sinqertë i poetit me veten, lexuesin, shoqërinë, kohën..., por, pa menduar dhe pa u përpjekur ta shikojë lexuesin nga lart e nga larg..., si një profesor studentin nga katedra.

Mesazhi kryesor që i bashkon poezitë lirike dhe ato sociale të përfshira në vëllimin “Lulet e fatit në kopshtin tim” të Ilir Manxurës mund të përmblidhet në pak rradhë në këtë frazë: jeta, dhimbja e dashuria, ekzistojnë, mbijetojnë, rilindin, lulëzojnë, në çdo kohë! Edhe kur ka mot me diell të kthjellët e të ngrohtë, edhe në ditë e netë me borë e ngrica, me shi e rrebeshe, me ujëra të qeta e të rrëmbyeshëm, të pastra e të ndotura...Edhe në vila e pallate njerëzish shumë të pasur e të plotpushtetshëm, edhe në shtëpira fare të thjeshta, pa bollëk në mobilim e pajisje, por me pasuri shpirtërore, për nga ndjesitë njerëzore, sidomos miqësia, dashuria, dëshira për ta gëzuar jetën me aq sa i është dhuruar nga fati e nga realiteti...!

ANKTHI I POETIT

jam në ankth dhe ankthi në kafaz më mban të vetëburgosur. “Mos fol”! Më thotë dhe më shfaq imazhe të një bote të egër me sharlatanë, hajdutë e njerëz të vrerosur. “Mos u ndje!” Më thotë për njerëz që vuajnë që të ngrohtë s’ndjejnë e të hanë s’kanë. “Se ata, dinë vetë t’ia dalin mbanë”. Eh! Por jam poet e marrtë e mira dhe në shpirtin tim, një botë të pastër dua ta mbroj, I vetëburgosur në kafazin e ankthit tim, rrugën do ta gjej dhe me kafazin e ankthit do të fluturoj, Pastaj në vargje, pra... Vetëm në vargje, të gjitha këngët e një bote të mbarë do t’i akordoj

Poezitë e Ilir Manxurës të bëjnë përshtypje pozitive edhe për përpjekjen e suksesshme e të lavdërueshme artistikisht të autorit për të bërë skanerimin e zemrës dhe shpirtit të poetit e të njeriut të dashuruar, për të zbuluar kënaqësitë, vuajtjet dhe të fshehtat e tij, në gjithçka që e rrethon...ose edhe vetëm tek DASHURIA dhe FEMRA, tek NATYRA dhe BOTA...! Tek ky vëllim, Ilir Manxura ka në qendër Njeriun, vetveten si njeri e si poet, dashurinë, femrën, që është sinonim apo bartëse e saj, në tërë kompleksitetin e ndjesive që e shoqërojnë. Poezitë përshkohen nga një sistem stilistikor dhe vargëzues i larmishëm, nga ritmet e brendshme, intonacioni muzikor, figuracioni i pasur dhe jo i sforcuar e i kërkuar, rrëfimi i çlirët poetik... Në to nuk janë përdorur strofat 4,6,8... vargjëshe dhe rimat..., por strukturimi me vargje të lira, asimetrike edhe për nga numri i rrokjeve dhe vargjeve.

Por, shumica e vjershave të këtij vëllimi kanë një ritëm dhe rimim të brendshëm, nëpërmjet përkujdesjes së lavdërueshme ndaj fjalës, figurës, tekstit të shprehur dhe nëntekstit të nënkuptuar, nëpërmjet reales, imazhit konkret apo fryt të fantazisë artistike. Duke lexuar poezitë e Ilir Manxurës, sidomos ato lirike, të dashurisë, të shkon ndërmend të pyesësh vetveten dhe autorin: edhe tani që është në këtë moshë, në prag të moshës së tretë dhe me një familje të mrekullueshme, me një grua që e dashuron si në vitet e para të lidhjes së tyre, është vërtetë kaq i dashuruar sa shpreh apo nënkuptohet nëpër vjersha?

Kjo të imponohet nga fakti se vjershat janë të sinqerta, si këngë apo serenata origjinale korçare për dashurinë. Iliri i këndon dashurisë me ndjenjat dhe fjalët më të sinqerta dhe më shprehëse..., si një djalosh i dashuruar përjetsisht, që nuk ndjenë as lodhje, as ngopje e velje, as pendim nga “torturat” dhe vuajtjet e dashurisë...!Disa nga vjershat, sidomos ato të grupit Sociale e të HAIKUT-Kujtesës, kanë edhe karakter meditativ, deri me doza të lehta e aspak lodhëse psiko-analize dhe filozofimi, pa ua zbehur poetizmin dhe pa ua rënduar apo mjegulluar mesazhin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat