Pse na e ndanë qytetin?

Kultura

Pse na e ndanë qytetin?

Nga: Kadri Tarelli Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 23:32
Kopertina e librit

Kadri Tarelli shkruan:

Nuk kemi luftuar për shtëpinë tonë, por për vendin tonë, dhe vendi ynë është gjithkund ku flitet gjuha shqipe e jetojnë shqiptarë, në trojet e tyre. Edhe kjo është tokë shqiptare.  Çerçiz Topulli

Para pak ditësh, miku ynë Sokol Demaku, me rrënjë e degë nga Drenica e Dardanisë, më dërgoi nga Suedia, librin e tij më të fundit “Pylli i çuditshëm”, si fillim i shkruar suedisht, e më pas edhe në shqip, apo i përkthyer në shqip, siç shprehet vetë autori.

Jo rrallëherë ndeshemi me një dukuri letrare të shkrimtarëve dhe poetëve. Është fjala për titullin në ballinë të librit, që shpesh zgjidhet për forcë e bukuri letrare, por që në vetvete mbulon pa dashje përmbajtjen, shumë herë tronditëse.

Kështu më ndodhi edhe me librin “Pylli i Çuditshëm”, ku titulli më shtynte drejt fantazisë dhe aventurave, për të menduar se është një libër i lehtë, mbase i shkruar për të rinjtë. Aq sa, që në faqen e parë u stepa, sepse e vërteta ishte ndryshe. Libri të përcëllon në duar!

Është një libër shumë i rëndë nga pesha e ngjarjeve, që nuk janë fantazi, por të jetuara para 23 vjetësh, gjatë luftës 1998-1999, dhe pas luftës për çlirim dhe mëvetësi të Dardanisë. Ngjarje që kulmojnë me peripecitë që solli udha e panjohur e shpërnguljes biblike drejt Bllacës, e më pas drejt qendrës Stankovec në Maqedoni. Por vuajtjet dhe tmerret nuk u ndalën edhe kur u rikthyen në Mitrovicë, tashmë të “çliruar”, por çuditërisht të ndarë më dysh. Të gjitha këto e lodhën trupin e shpirtin, aq sa u bën shkak për të nisur kalvarin e emigrimit drejt Suedisë, vendit mikpritës, vend i lirisë dhe qetësisë.

Pse ta fsheh tronditjen! U rihapën në kujtesë, plagët e atyre viteve më parë, që dhembin si atëherë, në ato kohë të egra lufte, gjaku dhe tmerri. Të gjitha, tashmë të përjetuara shpirtërisht dhe fizikisht, e të rrëfyera aq jetësisht, nga znj. Shaha, shqiptare nga Mitrovica Dardane. Jam duke besuar, se mjaft lexues apo lexuese, nëpër faqete këtij libri, nuk do të kursejnë pak lot hidhërimi e mallkimi, për ata që vuajtën e hoqën “të zitë e ullirit”, por edhe për ata që nuk e kursejnë luftën dhe terrorin, mbi të pafajshmit e pambrojtur.

E gjithë përmbajtja shpërfaqet që në faqen  e parë, ku thuhet aq thjesht, por që paralajmëron dramë dhe tragjedi për një qytet dhe për një popull të tërë, të torturuar, të përbuzur, të vrarë, e dhunshëm të përzënë nga trojet e të parëve. Besoj se e gjitha mund të përmblidhet në këto pak fjalë të thëna qetësisht e sinqerisht: “Unë quhem Shaha dhe jam nënë e tre djemve. Kjo është historia e jetës, që askush nuk dëshiron ta ketë. …..”. Ajo vazhdon në heshtje, filozofinë e jetës, - “Ti duhet ta pranosh atë që të vjen. …. Çdo ditë ishim në rrezik. Kur mbrëmja vinte, nuk e dinim si do ta mbijetonim natën. A do të jemi akoma gjallë në mëngjes?.

          Rrëfimi vazhdon i trishtë: - “Shumë gjëra kishin ndodhur gjatë viteve të luftës, por më pas, në kohën e re, jeta u bë ferr. “Këmbë zbathur kthehemi në atdhe. ….. Në Mitrovicë gjithçka ishte ndryshe. Këtu ishte policia serbe. …. Këtu kishte mbetur urrejtja, fara që shkaktoi luftën. Shtëpitë dhe pronat tona të shkatërruara. …. Me mijëra vjet kishim jetuar në qytetin, tani të ndarë më dysh. … Nuk e dinim kush e kishte krijuar kufirin dhe kush e kishte ndarë qytetin?”.

          I besoj plotësisht fjalët plot dhimbje të kësaj zonje të vuajtur, të mbetur vetëm me tre djemtë, pasi që kishte humbur edhe bashkëshortin e saj, të rrëmbyer e të zhdukur, pa nam e nishan. – “Këmishazitë ma kishin marrë burrin, më kishin marrë babanë e fëmijëve, …… si shumë të tjerë. Të varrosur pa e ditur askush se ku. Burri im nuk ishte i pari i zhdukur, as i fundit”, - shton Shaha, e drobitur e tronditur nga malli dhe halli.

          Të them të drejtën, unë si lexues e kam të pamundur të shkëputem aq lehtë nga rrëfimi dhe fjalët që rrjedhin “pelin” të hidhura, aq sa më pengon të bëj komente apo përgjithësime, siç ndodh për librat e tjerë.

          Poeti ynë i njohur Dritero Agolli, në një poezi të tij, shkruar kohë më parë, thotë: “Në vendin tim, në vendin tënd, /Një i çmendur, të gjithë i çmënd”.

Dhe Shaha, besoj pa e ditur se ç’ka thënë Driteroi ynë, e vazhdon më gjatë mendimin e saj, duke rrëfyer: - “Duhej ditur këtë, se kur të çmendurit sundojnë një vend, askush nuk mund të ndihmonte t’i jepte fund ferrit, që ata mund të planifikonin t’u bëni fëmijëve, grave dhe pleqve të pafajshëm”.

Vuajtjet e shkaktuara nga lufta dhe udha e mundimshme e emigrimit, i kanë dhënë rrëfimit shumë brumë filozofik dhe politik, për të nxjerrë përfundime, si kambana alarmi, që i kumtojnë botës dhe shoqërisë “Moderne”, se kohët shkojnë, por lufta rri “përgjon prapa derës”, përherë të shpërthejë, pa pyetur për pasojat dhe popujt: “Të çmendurit ishin zgjuar dhe po shëtisnin nëpër botë si fantazma”, - thotë Shaha në rrëfimin e saj tronditës, duke përsëritur si orakulli i Dodonës, se “lufta nuk sjell kurë paqe”.

Nuk ngulmoj të bind njeri, pasi çdokush nxjerr mësim nga këto pak fjalë të thjeshta, për një të vërtetë që po e përjetojmë me shqetësim edhe në ditë e sotme, pa kaluar as çerek shekulli nga lufta në Dardani. Kushdo e ka në majë të gjuhës pyetjen: A nuk po ndodh kështu edhe në luftën Rusi-Ukrainë, që po vazhdon ende, pa ditur se ç”përmasa do të marrë, kur dhe si do të përfundojë!? Psherëtima nuk e mbyt frikën dhe trishtimin: Mjerë popujt që përfshihen në vorbullat e saj të çmendura.

Autori, nëpërmjet fjalëve të personazhit Shaha, i le pak vend edhe zgjidhjes së halleve dhe problemeve me të cilat, në fillimin e tyre, u ndeshën të gjithë mërgimtarët, që gjetën strehë në Suedi.

Gjykoni këto pak fjalë: - “Duhet të ketë një vend edhe për mua diku në botë”, - Thotë Shaha, duke i dhënë kuptimin e vërtetë shprehjes, “Shpresa vdes e fundit”.

Askush nuk çuditet nga fjalët që do të lexojë në libër, pavarësisht se TV. dhe shtypi i kohës, kishin bërë punë të madhe në përditësimin e atyre ngjarjeve plot tmerr, luftë, varre masive, shtëpi e shkolla të djegura, puse të mbushur me viktima të mbytura, pasiguri, frikë, durim dhe trimëri. Ja sa sinqerisht thuhen këto fjalë:

- “Kishte njerëz që nuk më kuptonin. Ata nuk e dinin se çfarë do të thoshte në të vërtetë lufta dhe varfëria, … Sepse nuk i kishin përjetuar”. Dhe përfundimi, si një mësim i madh: “Duke u larguar dhe duke mos lexuar për të, nuk do të thotë se e keqja dhe e tmerrshmja ndalohen”.

Nuk e di ç’ forcë ka Sokoli, por ky libër duhet përkthyer edhe në Anglisht, për t’u lexuar në gjithë botën, pasi është një akuzë e hapur, ndaj luftës dhe dhunës, ndaj agresorit që vesh qyrkun e viktimës, ndaj mizorive të kryera kundër shqiptarëve në Dardani.

Urime dhe suksese autorit Sokol Demaku, duke shpresuar e mirëpritur edhe libra të tjerë po kaq të arrirë, letrarisht dhe vërtetësish.

Kadri Tarelli

Durrës. Vjeshta e tretë, 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat