Vargje të sinqerta, me dashuri të pastër

Kultura

Vargje të sinqerta, me dashuri të pastër

Nga: Skender Zogaj Më: 20 nëntor 2022 Në ora: 21:07
Foto ilustrim

I lindur më 1962 në Piranë të Prizrenit, Haki Latifi u rrit në një familje arsimdashëse, e cila shkollimin e fëmijëve e kishte preokupim kryesor.

Hakiu pas shkollës fillore kryen shkollën e mesme dhe studimet për Gjuhë e letërsi në SHLP të Prizrenit dhe emërohet arsimtar në shkollën e fshatit të lindjes.

Është koha kur regjimi policor e ushtarak serb i ndjek dhe i ndëshkon të gjithë shqiptarët që refuzojnë zbatimin e masave okupuese. Kësaj nuk i shpëton as Hakiu, i cili detyrohet të largohet nga Kosova dhe të vendoset në Zvicër.

Mësuesi i ri, i brumosur me idealet iluministe të Rilindjes kombëtare, menjëherë lidhet me qarqet e mërgimtarëve dhe i rreket veprimtarisë atdhetare, duke u bërë pjesë e lëvizjes së madhe demokratike të Kosovës në krye me liderin historik Ibrahim Rugova, i cili fton shqiptarët për “Liri e demokraci” me sloganin “Me laps në Evropë”. Kësaj fryme i gjegjet dhe i shërben fuqishëm Haki Latifi, duke qenë në fokusin e veprimtarive atdhetare në Zvicër e më gjerë, që detyrë jetike kanë për ta ndihmuar materialisht dhe njëkohësisht për ta forcuar përpjekjen çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës në mposhtjen e robërisë. Hakiu vihet i tëri në shërbim të lirisë së atdheut.

2.

Në shembullin e Rilindësve tanë, Haki Latifi e hap kuletën dhe e mpreh lapsin në shërbim të çështjes së atdheut.

Ndër të parët nis organizimin e mërgimtarëve për grumbullimin e ndihmave për bashkatdhetarët në Kosovë, që okupatori po tentonte t’i gjunjëzonte përmes urisë, e njëherësh është ndër më aktivët në organizimin e tubimeve protestuese në Zvicër e më gjerë, për t’iu kundërvënë propagandës agresive dhe gënjeshtare serbe kundër shqiptarëve. Për këtë qëllim, Haki Latifi ka dhënë kontributin të vlershëm edhe nëpërmjet të shkrimeve, publicistike dhe letrare, që pasqyrojnë botën e pasur shpirtërore dhe idealizmin e tij të flaktë kombëtar.

Shkrimet publici-stike lexuesit kanë pasur rastin t’ia lexojnë nëpër periodikun e kohës, ndërsa krijimet poetike të përmbledhura në vëllimin me titullin simbolik “Rrënjët e fisit të lashtë” tash po e shohin dritën e botimit nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Fidani” në Prizren.

Libri “Rrënjët e fisit të lashtë” është rezultat i entuziazmit krijues nën ndikimin e plotë të artit popullor, ndonëse autori kultivon vargje të lira, krejtësisht të përveçme, duke mos i përfillur as normat elementare teorike të poetikës. Pra, kemi të bëjmë me një poezi tepër individualiste të veçantë që është e afërt me shijen e lexuesve të rëndomtë. por është shumë diskutabile për lexuesit me formim të mirëfilltë letrar dhe specialistët e letërsisë.

Libri përbëhet nga shtatë cikle.

“Ëndrrat e kaltra” titullohet cikli i parë dhe i kushtohet prindërve, vëllezërve e motrave dhe njerëzve të dashur të rrethit familjar, që janë një zjarr i pashuar në zemrën e poetit kurbetçi. 

Cikli i dytë “Plisi dhe lule bozhuret” ka të bëjë me figurat heroike të Kosovës, si: Ibrahim Rugova, kolonel Ahmet Krasniqi, Sali Çekaj, Agim Ramadani, Tahir Zemaj, Fehmi Agani, Ukshin Hoti, Ukë Bytyçi, Ekrem Rexha e të tjerë burra që janë drita e lirisë së Kosovës. Te këto vjersha madhërohen vlerat kombëtare, siç është flamuri kombëtar: (“Hijerëndë ti valon dhe i bashkon/ Anembanë nipat e Dedë Gjon Lulit“ f. 50 ); ose kur shpreh urtësinë trimërore të heroit Agim Ramadani: (“I urtë, i qetë mes pëllumbave/ Stoik para plumbave / I lehtë me pendë e brushë/ I tmerrshëm ishe me pushkë. ” f. 55). Më shumë se për vlerën artistike autori gjakon që përmbajtjen ta bëjë sa më të gjerë, sa më të pasur e sa më të dobishme, prandaj në këtë cikël janë edhe disa vjersha që ruajnë kontinuitetin e traditës historike: “Plisi”, “Lidhja e Prizrenit”, “Kullat shqiptare”, “Beteja e Piranës”, “Martirët e Krushës”, “Kosova Republikë”, “Çlirimi i Kosovës”, “Flamuri dardan” etj.

Në ciklin e tretë “Rrënjët e fisit të lashtë” autori derdh mallëngjim për vendlindjen, natyrën e bukur, lumin, stinën e verës dhe bjeshkët, mbrëmjet e freskëta në fshatin e lindjes, por edhe çaste madhështore kujtimesh të ngulitura nga fëmijëria në kujtesën e autorit, siç është kujtimi për qerren me rrota gome, që për lexuesin e sotëm mund të duket si një kujtim absurdi, por që në të vërtetë vjersha ka të bëjë me kthesën e madhe tekniko-teknologjike shumë të rëndësishme për jetën rurale kosovare. Në këtë varg krijimesh hyjnë edhe: “Vrapuesja e Prizrenit”, “Vallja opojare” , “Lajmëtari”, “Në bjeshkë” etj.

Cikli i katërt “Loti i kurbetçarit” shpreh dhembjen shekullore të djalërisë shqiptare e cila që është detyruar të merr botën në sy për ta siguruar bukën e gojës së familjes, ndërsa cikli në vazhdim, i pesti “Një e vetme zemër” trajton motive intime dashurore, ku shquhen sidomos poezitë: “E ëmbël”, “Dasma jonë”, “Takimi në ëndërr”, “Takimi me drenushën”, “Përmallimi” etj.

Interesant është edhe cikli i gjashtë “Qiriu dhe errësira” ku autori trajton motive sociale, njeriun në kohë e në rrethana të pavolitshme jetësore, që shkaktohen për arsye të moskujdesit të duhur shoqëror. Autori me shumë dhembje qan hallin e të pastrehëve: (“Të pastrehët janë pa rrënjë/ bien, rrokullisen, askush nuk e di sa lëndohen… f. 143); ndërkohë që te poezia “Dhimbja” autori shprehet: (“Tash më mirë e di/ Si duhet dhimbjen me e pa/ Dhe më i fortë me u bë para vetes/ Lotin duke e fsheh/ Në thellësi të zemrës. f. 135). E bukur është edhe poezia “Përshëndetja e punëtorit”: (“Nga hekurishtja/ Një burrë vjen drejt meje/ Me rroba zhgjyrç, ecje të rëndë/ Me një shikim sfidues/ Kuvendon me veten… ” f. 140).

Vëllimi “Rrënjët e fisit të lashtë” përmbyllet me ciklin e bukur “Stina e qershive”, që përbëhet me poezi për fëmijë, të cilat autori pos temave të përgjithshme: stinëve të vitit, shkollës, gjuhës shqipe, pemëve e luleve, ka sistemuar edhe disa vjersha të zgjedhura kushtuar nipave dhe mbesave. Është kjo një mbyllje e mirë e librit të Haki Latifit, i cili po hyn në botën e madhe të librit me vargje të sinqerta dhe dashuri të pastër.

Prishtinë, shtator 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat