Tryezë shkencore për 225-vjetorin e lindjes së Naum Veqilharxhit

Kultura

Tryezë shkencore për 225-vjetorin e lindjes së Naum Veqilharxhit

Më: 13 dhjetor 2022 Në ora: 16:44
Foto ilustrim

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka organizuar një tryezë shkencore në nder të 225-vjetorit të lindjes së Naum Veqilharxhit.

Akademik Emil Lafe, në kumtesën e tij “Parime kulturore dhe gjuhësore të Naum Veqilharxhit”, u shpreh se Naum Veqilharxhi ka qenë pa dyshim një fenomen në historinë politike dhe kulturore të Shqipërisë në mesin e shek. XIX.

“Unë mendoj se ky qe burizani e përçuesi i vetëm i zgjimit të ndërgjegjes kombëtare në atë kohë, titan ndërlidhës mes territ tokësor e qiellit të ndritun. Kushtrimi i tij nuk ra në vesh të shurdhët”, shkruan akad. Emil Lafe.

Prof. dr. Fedhon Meksi tha se Naum Bredhi-Veqilharxhi meriton një vend nderi në altarin e nacionalizmit shqiptar.

Naumi i takonte një familjeje me tradita në fushën e kulturës në përgjithësi dhe të shqiptarisë në veçanti. Gjyshi i tij Llazar Bredhi, ishte një nga veprimtarët e shquar për futjen e shqipes në kisha dhe shkolla.

Meksi renditi rrethanat e bashkëpunëtorët me të cilët Veqilharxhi luftoi për “zgjimin e vetëdijes” së shqiptarëve, e njëri prej tyre ishte Vangjel Zhapa i cili financoi hapjen e shkollave shqipe dhe botimet e abetareve të para.

Gjithashtu në këtë tryezë shkencore u tha se ishte porosi dhe modeli i Naum Veqilharxhit që besimet fetare në vend, të praktikoheshin në një mënyrë të veçantë, në mënyrën shqiptare, me tone të ulura, ku nuk ka vend ideja e përçmimit të bashkëkombësve të feve të tjera, duke i lënë vendin respektit të ndërsjellë.

Naumi vuri gurin e parë për rilindjen e kombit shqiptar, që do të përfshinte të gjithë shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë./atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat