Frika

Kultura

Frika

Nga: Dibran Demaku Më: 1 shkurt 2023 Në ora: 21:59
Dibran Demaku

Frika është instikt që vjen nga bota shtazore.Dhe si duket ne njerëzit e kemi trashëgim nga të parët tanë,që shkenca thotë se janë majmunët. Dhe doemos duhet të jetë kështu,sepse bota shtazore jeton e vepron vetëm me instikte,ndërkaq ne njerëzit përveq instiktit kemi dhe ndërgjegje. Veçse jeta ka treguar se sado të ndërgjegjshëm që të jemi e bartim si dhuratë nga të parët tanë instiktin e frikës!-po më thonte pas takimit të shtatë të tetë apo të nëntë me te.

Në të vërtetë atë person apo atë njeri e njihja në distancë shumë më herët.E kisha parë sa e sa herë tek shëtiste rrugëve të qytetit si i humbur me një shikim të trishtuar. Se e mundonte diçka e rëndë në jetën e tij të varfër e kuptonin të gjithë ata që e shihnin tek zvarriste këmbët rrugicave të qytetit me atë shikim të trishtuar dhe me fytyrën kurrë të gëzuar.

Një ditë kur e kisha shumë afër sa thuajse po na prekeshin supet(i isha afruar me qëllim) i fola.Tash nuk më kujtohet se cila ishte fjala e parë që ia thash,sepse ai nga ajo fjalë e imja u trondit aq shumë sa të krijohej përshtypja se e kishte kafshuar gjarpëri. Njëherë më pa gjatë dhe si me mos besim. Mimika e fytyrës nuk i ndryshoi fare,ashtu siç nuk i ndryshoi as shikimi i trishtuar. Nga afër ia vërejta sytë e tij disi si pa jetë,të cilët nuk dihej nëse shihnin apo nuk shihnin fare.

Nga ai shikim i trishtuar i tij,unë tashmë po e gjykoja vetën se përse i fola dhe ia prisha atë qetësinë e tij shpirtërore.Se ia kisha shqetësuar botën shpirtërore e kuptova në momentin kur e dëgjova tek turfullonte si një kalë i azdisur. Në atë moment pata frikë se do të më sulmonte keq,por pas pak çastesh (çaste që tash nuk e di nëse zgjatën me sekonda apo minuta) fytyra e tij e kërleshur si e ndonjë ujku kur bëhet gati që t’a kafshojë viktimën,ndryshoi dhe u qetësua. Tash shikimi i tij i humbur në largësi u drejtua në mua,dhe për herë të parë ia pash sytë të cilët tregonin se ishin të vuajtur, tepër të vuajtur.

Deshi të shtonte diçka,por një kollë sikur i rrëmbeu frymën.

Se nga më erdhi një dëshirë që ta ftoja që të pinim nga një kafe bashkë në lokalin që ishte vetëm pak metra para nesh.

Duke e zënë nga krahu i thash:-Eja miku im të pimë nga një kafe bashkë,në këtë lokalin që kemi përpara!

Në atë moment ia pash dy pika lot që i dilnin nga sytë e tij.Pikat e lotit po i zbrisnin faqeve,ndërkaq u dëgjua një zë i mekët që i shpërtheu nga kraharori.

-Ti po më quan mik mua që as më njeh dhe as më di se cili jam dhe nga jam?!-dhe me anën e jashtme të dorës së djathtë po i fshinte lotët që po i rridhnin faqeve të fishkëta.

-Ne njihemi tashmë,miku im,edhepse as nuk t’a di emrin as nuk ma di emrin.

Më shikoi gjatë dhe sikur nguronte të hynim në lokalin që tashmë e kishim aq afër,aq afër.

Kishim hyrë në lokal dhe kishim porositur dy kafe.

-“Për mua një të idhët,tepër të idhët,sepse e idhët,tepër e idhët është jeta ima!”-i kishte thënë porosinë kamarierit,që tashmë kishte ikur dhe do të kthehej me kafetë e porositura.

Nuk po dija se nga të kapja bisedën.Porosia e tij thënë kamarierit që t’i sillte një kafe të idhët,tepër të idhët,sepse e tillë ishte jeta e tij,sikur m‘i kishte ngulfatur fjalët në grykë.

Meqë heshtja e rëndë  në mes nesh po zgjaste shumë,tepër shumë dhe meqë unë nuk po nxirrja asnjë fjalë nga goja,ai befas ktheu shikimin nga unë.Më pa edhe një herë nga koka dhe tek këmbët dhe pastaj shikimin e dretjoi nga dera e lokalit tek po hynin dy të rinj, vajzë e djalë të kapur dorë për dorë dhe të qeshur.

Pastaj shikimin e ktheu sërish nga unë dhe krejt papritmas shpërtheu:-Jeta dhe frika.Apo frika dhe jeta.Njeriu nuk duhet të ketë frikë jetën.Duhet ta jetojë jetën pa frikë,sepse po pati frikë jetën do të jetojë kështu si unë,apo më mirë të them do të zvarritet kështu siç zvarritem unë!Dhe heshti.

Tash e kisha radhën unë,por sado që mundohesha të nxirrja fjalë nga goja,ato nuk po dilnin se nuk po dilnin.

Nga ai moment i rënd,tepër i rënd,më shpëtoi prania e kamarierit i cili na i solli kafetë e porositura.

Prania e mospranisë,se nga më erdhi ky titull në mend e që sigurisht e kisha lexuar diku dhe tash po i përshtatej gjendjes sime.Në atë moment edhe isha edhe nuk isha në praninë e mospranisë.

Miku im përballë pasi e shijoi një gëllënkë nga kafeja e hidhur,sikur u ndje pak më mirë apo si të them më i liruar nga ndonjë barrë e rënd shpirtërore.Siç duket kafeja e idhët u taku me idhësinë e jetës së tij dhe për një çast sikur e mundi atë idhtësinë shpirtërore.

-Nuk do të them se cili jam dhe nga jam,por do të të rrëfej se si përfundova kështu dhe këtu!-e nisi ai rrëfimin e tij,rrëfim i cili siç duket do të ishte i hidhur dhe i zi si kafeja në filxhanin që mbante përpara.

Pak më parë të thash se njeriu jetës nuk duhet të ia ketë frikën,sepse po ia pati frikën do të përfundojë kështu siç kam përfunduar unë!

Dikur mendoja se isha njeriu më i lumtur i planetit.Kisha një grua të mrekullueshme me dy fëmijë si yje...por filloi ajo luftë e mallkuar dhe lumturia ime,jeta ime u kthye përmbys.Lufta përveç të këqijave të tjera na e nguliti në mendje edhe frikën.Nisëm të iknim sa andej-këtej.

Dhe ngado që iknim ndeshnim polic e ushtarë të armikut.Ata talleshin me ne me ikjet tona.Dhe jo vetëm që talleshin,por na rrethonin si bagëtitë në stallë duke bërë çfarë të ua donte qejfi me ne.Ne ndërkaq heshtnim dhe mendonim se si të shpëtonim kokën.

Ata na ndanin nga fëmijët e gratë tona,na tubonin në një vend dhe na detyronin që t’i këndonim këngët e tyre,na detyronin që t’i lavdëronin udhëheqësit e shtetit të tyre dhe që t’i shanim tanët...

Kur filluan bombardimet e avionëve të Nato-s ne menduam se shpëtuam.Dhe filluam të brohorisnim për avionët që godisnin caqet udhtarake dhe civile të armikut.Shpresuam se goditjet e avionëve do të detyronin armikun tonë që të dorëzohej.

Por…po iknin ditë e javë e armiku ynë nuk po dorëzohej as nga goditjet e avionëve,përkundrazi policët,paramilitarët e ushtarët e tij vetëm sa po egërsoheshin dhe egërsinë e tyre e derdhnin mbi ne.Na,kur them na e kam fjalën për popullin,sërish po iknim nga sytë-këmbët.Sa zinim vend në ndonjë luginë malore,na duhej që të iknim edhe nga aty,sepse pas na vinin policët,paramilitarët e ushtarët e armiku që të na rrihnin,gjakosnin e vrisnin…

U lodhëm e u dërmuam sa nga ikjet andej-këtej,sa nga gjithë të këqijat që na i bënte armiku.E ai kishte vendosur të na zhdukte nga faqja e dheut…

E ndërpreu rrëfimin dhe shikimin e ktheu nga dritarja në anën e majtë tek mezi po dëpërtonin ca rreze të diellit vjeshtak.

-Vazhdoje rrëfimin,miku im, sado i idhët dhe i trishtuar qoftë ai,sepse po dua që edhe unë të jem pjesë e dhimbjes sate.Pastaj sa më shumë që ta shkarkosh atë dhimbje do të lirohesh paksa nga ajo peshë e rënd shpirtërore?!

-I shikova ato rreze të diellit që meszi po e depërtojnë xhamin e asaj dritareje dhe po më ngjajnë në rrezet e atij dielli pranveror të asaj dite kur ndodhi tragjedia ime dhe e familjes time!-ma ktheu ai me një zë të përvajshëm dhe vazhdoi:-Ishim lodhur duke fjetur jashtë pa shtrojë e mbulojë dhe atë mbrëmje të kobshme së bashku me gruan time vendosëm që natën ta kalonim në shtëpinë tonë,që për habinë tonë kishte mbetur a pa djegur nga forcat armike.Puthuajse të gjitha shtëpitë e fshatit tonë ishin djegur vetëm shtëpia jonë dhe një tjetër kishin shpëtuar.

Fjetëm atë natë në shtëpinë tonë dhe na u duk sikur kishim jetuar në shtëpi të mbretit.

Gruaja ishte zgjuar më herët dhe po mundohej që paksa t‘i Rendite gjërat që i kishin kthyer përmbys ata që kishin qëndruar me javë të tëra në shtëpinë tonë,pas ofenzives së radhës.

Kur u ngrita nga shtrati,nga xhami i dritares së palarë moti mezi depërtonin rrezet e atij dielli vjeshtak.Fëmijët ende po flinin.Nuk desha që të ua prishja gjumin edhepse krimbi i një frike po më gërryente përbrenda.Nuk di nëse kishin kaluar sekonda apo minuta kur po mendoja për krimbin e frikës që siç thash sikur po më gërryente përbrenda,kur dera e dhomës u qa përgjysmë dhe në te sikur u vizatuan ato fytyra të tmerrshme të bishave armike.Nuk kisha kohë të ngritesha nga vendi sepse tre bisha armike m’u sulën përmbi dhe sa nuk më nxorën frymën derisa po m’i lidhnin duar e këmbë.Dy të tjerë e kishin zënë time shoqe nga krahët dhe po e shtrëngonin pa mëshirë.Nga krisma e derës së qarë u zgjuan fëmijët që filluan të qanin me britma.

Dy bisha tjera i morën fëmijët nga shtrati dhe i shtrëngonin me tërë forcën.Ata po qanin e bërtisnin me shikimin nga unë dhe sikur kërkonin ndihmë që t’i shpëtoja nga bishat.Por unë nuk i shpëtoja dot nga bishat as ata as time shoqe që e kishin shtrirë në shtrat dhe dhe pasi e kishin lakuriqësuar gjuheshin mbi të herë njëri herë tjetri.Dhe derisa qëndronin mbi trupin e time shoqeje shikonin nga unë dhe zgërdhiheshin.Pasi bënë çfarë deshën gruas sime të shtrirë në shtrat,e cila nuk po lëvizte fare njëra nga ata ia futi një plumb në kokë.

Stërpikët e gjakut nga koka e sime shoqeje të çarë nga plumbi ranë në fytyrën time dhe të fëmijëve që po piskitnin si të çmendur.

Nuk di se përse nuk u çmenda nga tërë ajo katrahurë që po ngjante para syve të mij.

Njëri nga bishat fare gjakftohtë ju afrua dy fëmijëve të mijë,që dy bisha po i shtrëngonin pa mëshirë,ua dha nga një plumb kokës.

-Moooooos!-sesi më doli një zë nga gryka që më ishte terë krejt.

-Të ia japim edhe këtij një plumb në kokë?-u ndie zëri i njërës nga bishat.

-Jo,se plumbi e shpëton nga vuajtjet.Ndërkaq ne duam që ky të vuaj dhe të ju tregojë terroristëve shqiptarë se çfarë i gjenë kur ngrenë krye kundër shtetit tonë!…

-Ik, nga sytë këmbët,dhe tregoju atyre terroristëve tuaj se çfarë do t’i gjenë të gjithë po nuk ulën kokën nën urdhërat e shtetit tonë!-më kërcënoi njëra bish derisa po më zgjidhte këmbë e duar.

…dhe unë ika.Ika dhe shëtova.Por,çfarë m’u desh ai shpëtim?Çfarë më thuaj?!-dhe lotët që i dolën nga ata sy pothuaj të tharë i zbritnin faqeve të mbuluara nga qimet e parruara nuk dihet se kur…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat