Dita e mësuesit dhe shkollës shqiptare

Kultura

Dita e mësuesit dhe shkollës shqiptare

Nga: Remzi Basha Më: 7 mars 2023 Në ora: 13:27
Më mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe

Dita e Mësuesit është festa jonë kombëtare e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve. Deri në fillim të viteve '90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të dalluar shpërbleheshin me dekorata të larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit.

Më mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte reptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull.

Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi te madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies,për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshem ne luftën për liri dhe pavarësi.

Cila është Dita Botërore e Mësuesit? Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, në vitin 1994, ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit, për të përkujtuar nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 tetor 1966. Po në këtë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-së, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893 - 1984) hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit.

Nënat dhe mësuesit meritojnë dhurata

Emine Imeri nga Kosova parashtron pyetjen ”Çfarë dhuratash preferojnë adoleshentët për Ditën e Mësuesit - 7 Marsin dhe Ditën e Nënës – 8 Marsin?”. Adoleshentët nuk i harrojnë festat e 7 Marsit dhe 8 Marsit

Një nga datat më të shënuara në historinë e popullit shqiptar është edhe 7 Marsi – Dita e Mësuesit. Më pak se një javë na ndanë nga kjo festë dhe nga 8 Marsi - Dita e Nënës. Çfarë dhuratash do të japin në këto festa adoleshentët, mësoni nga anketa e zhvilluar me disa prej tyre.

Arben Zymeri: Për festën e 7 Marsit, arsimtarit tim kujdestar ia kam blerë një stilolaps dhe e shfrytëzoj rastin t’i përshëndes të gjithë mësimdhënësit e mi. Gjithashtu, pa harruar edhe mësuesin tim të parë, të cilit i përkulem me dinjitet dhe respekt, se meritë e tij dhe e gjithë mësimdhënësve të mi është kjo që unë jam deri këtu ku jam tash. Na gëzon fakti që menjëherë të nesërmen kemi edhe festën e 8 Marsit dhe pikërisht për këtë kemi përgatitur disa dhurata për profesoreshat dhe për nënat tona.

Feti Zeneli: Nuk ka njerëz më të përkushtuar se sa mësuesit, të cilët bëjnë të pamundurën që nxënësit e tyre të trashëgojnë atë dije të akumuluar që do t’u hapë dyer dhe horizonte të reja për jetë. A ka dashuri më të madhe se sa dashuria dhe sakrifica e mësuesit ndaj nxënësit dhe nxënësit ndaj mësuesit. Unë, kujdestarit tim për Ditën e Mësuesit ia kam përgatitur një dhuratë, një stilolaps, të cilin e kam gravuar. Të gjithë mësimdhënësit e mi i dua shumë, mirëpo kujdestarin e klasës e veçoj prej tyre. Është një fakt i hidhur për mësimin në ditët e sotme, ku pjesa dërmuese e mësimdhënësve tanë jetojnë në skaj të varfërisë për shkak të pagës së ulët mujore që kanë. Profesioni i mësuesit është human. Po të mos kishim mësues, nuk do të mund të ishim kështu siç jemi, prandaj mësuesi e meriton një respekt të veçantë dhe mbi të gjitha stimulim në pagë.

Fahrije Hamiti: Nuk ka mbetur shumë ditë nga Dita e Mësuesit dhe Dita e Nënës. Në këto dy data do të dhurojmë dhurata më të mira për mësuesit, nënën, motrën. Unë i kujtoj me ëndje ditët e para të shkollës, ku mësuesja më mori pranë vetes dhe më shoqëroi me nxënësit e tjerë. Po ashtu, shumë shpesh kujtoj edhe Abetaren, ku arrija që me mësuesen dhe me familjen time të mësoj shkronjat e para të alfabetit. Nga tërë këto vite kam arritur të mësoj shumë nga mësimdhënësit e mi, të cilëve u falënderohem shumë. Për Ditën e Mësuesit kam zgjedhur kujdestarin tim për t’i bërë një dhuratë simbolike. Ndërkaq, për Ditën e Gruas, nga një dhuratë simbolike do t’ua bëjë nënës dhe motrës sime. Nëna dhe mësimdhënësit janë ata që kanë investuar më shumë se kushdo tjetër në edukimin dhe suksesin tonë në jetë dhe nuk duhet kursyer asgjë për ta.

Alban Hamiti: Dita e Mësuesit më kujton mësuesin tim të parë, i cili më dha shumë dituri. Ai ishte dritare e hapur për mua, se më mësoi shumë gjëra. Në ditën e mësuesit shpalos kujtimet e mia të ëmbla për mësuesin tim të dashur të klasës së parë. Çdo festë klasa jonë është organizuar, ka tubuar të hollat dhe i ka blerë kujdestarit të klasës një dhuratë. Kjo festë është e veçantë edhe për ne nxënësit, siç është festa e nënës, 8 Marsi, që me ndonjë dhuratë modeste i gëzojmë nënat dhe motrat tona.

Fikrete Zeka: Padyshim se edhe unë si çdo nxënës tjetër kam përgatitur dhurata për mësimdhënësit e mi, por edhe për profesoreshat, sepse tani menjëherë pas 7 Marsit vjen 8 Marsi dhe është festa e gruas. Mësuesit janë ata që përpiqen të japin maksimumin e tyre për ne. Dihet mirë se në çfarë kushte kanë punuar mësimdhënësit tanë, të cilët ende në këto ditë po ballafaqohen me probleme të tilla. Është mëkat për udhëheqësit tanë të institucioneve, të cilët nuk po bëjnë sa duhet për përmirësimin e pozitës financiare të mësimdhënësit. Fushën e arsimit e kanë lënë shumë anash, prandaj edhe vullneti u mungon disa nga mësimdhënësve tanë. Mirëpo, sido që të jetë ata po mundohen që të na pajisin me dituri, të na bëjnë të pavarur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat