Poezitë e Tokës së Shenjtë

Kultura

Poezitë e Tokës së Shenjtë

Nga: Visar Zhiti Më: 11 mars 2023 Në ora: 08:33
Eda dhe macja në rrugë, në Tiberias, Izrael, nëntor 2022.

TË ZBRESËSH NË TOKËN E SHENJTË

TEL AVIV, RRETHINË…

Ç’janë këta kryqe të mëdhenj nëpër erë

mbi Tokën e Shenjtë?

Avionët. Sa herë ulen poshtë,

aq herë një Krisht ngrihet lart në Qiell.

Erdhëm dhe ne të shohim gjurmët

e Ringjalljes, e ndjeva që trupi

m’u mbush me ato gjurmë

si me copëza ndriçimesh

në një festë tronditëse.

U bëra rruga që del

nga rrethinat e Tel Avivit

për të vazhduar më përtej, ku fillon Bibla.

Pemët e ullinjve janë mbushur

me sy të rinj që të vështrojnë

me dhimbje, sidomos kur je shqiptar,

kështu m’u duk. Kemi plagë të njëjta,

holokaust, përndjekje…

burgun e Krishtit…

Që nga kohët e vështira

mbeti ai shtrëngim duarsh

si Mali i shenjtë i Tomorrit,

si lumi Jordan… Po unë kam etje,

dua ujë… dhe gota m’u bë plot me verë.

Peshku mbaroi, na tha kamerieri,

teksa në pjatën bosh m’u shfaq

një goxha peshk.

Në njërën anë të pllajës

shoh kopetë e deleve të kullosin diellin

e paradites,

në anën tjetër një kope me tanke

hijet e pasdites.

Ç’janë këta kryqe të mëdhenj

nëpër erë mbi Tokën e Shenjtë?

Avionët. Sa herë ngrihen lart,

aq herë një Krisht zbret nga Qielli

me krahët e hapur.

Mësona, o Biri i Zotit,

si t’i kthejmë tanket në dele?

Dhe nxitoj të hap njërin nga ungjijtë

të gjej se ç’ke thënë pikërisht këtu, ku jemi…

Rrugës, 8 nëntor, 2022… Po 8 nëntor ishte,

kur më arrestuan dikur në vendin tim… dhe shikoja

hijen e Krishtit në muret e burgut…

PAGËZIM I RI

Lumi Jordan,

e di, buron nga agsholet qiellore

dhe derdhet në shpirtin prej toke

të njeriut,

ja, si tani mbi trupat tanë.

Mbështjellë jemi me këmisha të gjata

në ngjyrën e ndjenjave,

në çastin e bardhë të pagëzimit.

Shoh fytyrën e Edës time,

që e mbuluan ujrat tre herë

dhe doli me fytyrën e Madonës,

nga flokët e gjatë pikonin bulëza drite.

Edhe unë me fytyrën time isha,

e zhyta tre herë në rrjedhën e shenjtë

dhe dola me fytyrën e Hyjit,

nga flokët e gjatë pikonin bulëza drite.

Kujtesa e ujit,

plot me pasqyrime të Krishtit,

të nxjerra mbi brigje… që përhapen

bashkë me erën

si përtëritja e premtimeve

nëpër ditët pelegrine pa mbarim…

Buzë lumit Jordan, 9 nëntor, 2022

* * *

Kërkoj kësaj rruge

të gjej një sandale të Krishtit,

se Ai këtej shkoi… ja, gjurmët

si zemra të vizatura mbi rërë

nga duar të dashuruara.

Rendin veturat… trenat… dëshirat…

Sandalet e tij janë…

Po këtu Krishti ishte i zbathur si fjalët.

Ik kënga ime, ashtu zbathur dhe ti

dhe mos u kthe!

Po gjete ndonjë sandale, aty qendro

si një zog hebre në folenë e tij.

Shoh lart sandale që fluturojnë...

Kush po ecën nëpër Qiell?

Betlehem, 14 nëntor 2022

PLLAJA E SHKRETËTIRËS

Ç’zbardhëllen ashtu tej në pllajë?

Të jenë dele të shndërruara në gurë?

Të jenë gurë që do të bëhen dele?

Nuk janë kryqe ato ndanë rruge,

por shtylla elektrike.

Kanë venë dhe reklama,

me mirazhe burrash dhe grash që qeshin,

kaq shumë Adamë dhe Eva pa fund,

u zbardhëllejnë dhëmbët

më shumë se mermeret e tempujve larg.

Çudi që s’e kishim kuptuar

që kjo është mrekullia…

Masada, 14 nëntor 2022.

NË FUSHËN E BARINJVE,

TEJ NË BETLEHEM…

Të ecësh pa u ndaluar

nëpër Tokën e Shenjtë

në kërkimi të Birit…

Pelena resh të bardha

mbështjellin të qarat prej foshnje

të shiut…

Në anë kanë mbetur

të mbërthyera si kryqe

stinë dhe troje,

fjalë dhe heshtje të vjetra.

Një varrezë na pret përpara.

Vetëm me ringjalljen Tënde

mund të ecë e qetë jeta

mespërmes epitafeve prej mermeri.

* * *

Paraditja - Izrael,

Pasditja - Palestinë.

E njëjta e diel

Sovranshëm ndrin.

Manteli i Jezusit

Eshtë era që fryn.

Xhami autobuzit

Ka lot apo brymë?

Dhe rruga si gjarpër

Në Edenin parajsor.

Ky kufi kaq afër,

Këpute me dorë!

Shkretim dhe plehra,

Manastir mbi shpate.

Teleferik në humnera

Ç’i bashkon dy fate?

E dritës psherëtimë

Nga çdo portë del.

Tani – Palestinë,

Pastaj - Izrael.

Mes nëntori 2022

NË SHPELLËN E LINDJES

Te Shpella të shkojmë,

ku lindi Biri i Hyut.

U çuam herët, pasmesnate. Do ta gjejmë

drejtimin nga yjet

që bien andej me shkrepëtima

si fishekzjarre ditlindjeje.

Kodërzat, kupolat… si bark i fryrë gruaje…

Të gjatë rreshtat, të gjatë, me pelegrinë

nga e gjithë bota. Po ata para nesh,

mos kanë ardhur para një jave

dhe ata para tyre para një viti?

Ka një mijë vjet që ecim,

dy mijë vjet e më shumë...

për të mbërritur te kjo shpellë.

Mbi kryet tona si u gjend ky tavan bazilike

si një qiell nate?

Po këto kolona të larta që hovin anëve

për të mbajtur qiellin? Kjo kriptë sipër Shpellës?

Me ç’urdhër u ngritën të gjitha?

Të Helenës, nënës së perandorit Kostandin,

dëgjoj një zë.

Ou, po ky është ilir, nga viset e mia,

më vjen të thërras.

Ja, ja, guva, - barku i Maries.

E vogël hyrja, duhet të biesh më gjunjë

për t’u futur brenda!

Shpellë moj, e lindjes së Jezusit,

Kishë-lindje, që lëkundesh si djep,

Psalme shpirti si nga fundi i pusit

me ujë bekimesh, të lutem, më jep!

Po ç’u bë varësja e Edës time, ku i ra

Medalja Mrekullibërëse e Shën Mërisë?

Mos ia mori një dorë foshnje

siç bën kur luan me gushën e mamit të vet?

Po, po, doçka e Jezusit ta këputi

zinxhirin e hollë të ndjenjave,

nuk e pe? E puthi dhe ja, ku e ka lënë,

mbi një napë, nga ato që mbështillnin qingjat,

kur lindnin,

me një të tillë mbështollën

dhe Jezusin foshnjë.

Ai po qesh.

Bir, që na solle këtu, për t’u ndjerë më shumë

baba dhe nënë,

At’jon! – shungëllon ajri në Betlehem.

Mes shkulmeve të natës doli një hënë

si gjiri i Maries.

Jeta do qumësht përherë si foshnja,

që lëvrin duart, luan me hënën

dhe buzëqesh sërish.

…rruga si kordoni ombelikal…

...toka si djep na lëkundet, si djep… toka…

Dhe themi midis nesh fjalë të mëdha:

Një erë e re, pas Krishtit, mori atë buzëqeshje,

këtu nisi historia e buzëshjes së botës…

Shpellë,13 nëntor 2022,

nga ora 3.06 deri në orën 5.05 pasdite,

Betlehem, Palestinë…

E MADHËRISHME GAMILE E PALESTINËS

E madhërishme gamile e Palestinës,

Ku shkon ashtu me çap të rëndë?

Të vetmet lule të shkretëtirës

Janë në qilim mbi kurrizin tënd.

Sa e trishtuar je pranë turistëve,

Pesë dollarë një shëtitje me ty.

Me ç’fjalë arabe në gjunjë bie?

Dhe rrëkenë e lotit ç’ta heq në sy?

Të rrjepur gjunjët me plagë të thata,

Profil i zgjatur – emblemë durimi!

Nga toka ngrihesh mbi këmbët e gjata,

Si gdhendje e hijshme në dru ulliri.

Mos bjerë në gjunjë, gamile, për mua,

Jo, nuk hipi! Dhe pse na mban?

S’e duroj durimin tënd të nënshtruar

Dhe loti i kafshës prapë është human.

Gjithnjë më e lodhur mbart fatin tënd

Apo mallkimin e shkretëtirës?

Kurrëkund nuk shkon me atë çap të rëndë,

E madhërishme gamile e Palestinës.

Jeriko, West Bank… nëntori 2022.

DETI I VDEKUR

…të vdekurit tanë…

si me ujin, me vajtime i kemi larë

në Ballkan.

Sot pasdite ishim në një Det të Vdekur,

që na lante ne, të gjallët.

Me baltën në breg,

lyenim trupin dhe fytyrën.

Mos donim të ribënim veten nga balta

si në ditën e parë të jetës?

Ashtu shkuam te klubi më i ulët në botë,

Kalia Beach, nën nivelin e detit, 14 nëntor 2022.

JERUZALEMI NË MBRËMJE

Dritat e kësaj nate,

të gjitha përreth meje

mahnitshëm

si qirinj

në duar murgeshash të bardha.


Ballkoni im - frymëzim karuseli,

avitet të shkojë

në një tjetër ballkon.

Ç’drita djegin më shumë,

janë plagë prej Krishti.

Sido të ndiçojnë, njëlloj nuk janë dritat,

ja, ato të universitetit me të spitalit,

të Sinagogës me ato të shatërvanit,

të klubit të natës me njollën e dritës

në ballin e një të çmenduri,

dritësira e puthjes së fundit te dera,

fenerët e alarmuar të një makine policie,

shkëlqimi që frushullon,

që s’e dimë nga na erdhi,

që na ngjan me qirinj pa mbarim

në procesionin e mbarimit të vjeshtës.

Ballkoni tjetër si një frymëzim karuseli

avitet të vijë te ballkoni im.

I magjishëm ky çast pezull

mes një ylli dhe një mace hebreje,

e shtangur nga drita e një ledhatimi.

Hotel Ambasador… nëntor 2022

DARKA E FUNDIT

Darka e Fundit,

sa e pafundme,

çdo mbrëmje…

SPAZMA POETIKE

NË BURGUN E JEZUSIT

Zbres shkallët e gurta

në errësirë

dhe gjej më shumë dritë,

…një si fron

të thurur me vetëtima…

* * *

Me prangat e Jezusit

ndjehem më i lirë.

Vij rrotull

si në qelinë time.

Ajrin e zymtë mbush

me biblën e poezisë.

* * *

Këtu lidhën Jezusin

Te kjo shtyllë e gjysmuar.

që s’duroi dhe u këput

nga tronditja dhe turpi.

Invalide mbeti si mëkati.

* * *

Sipër është

Pallati i Sundimtarëve.

Bie shi që nga atëhere.

Duar si të Pilatit

zgjaten, por nuk lahen

kurrë.

* * *

Udha e Kryqit.

Ndalesa nr. 13,

lexon Eda ime…

Krishtin e zbresin

nga kryqi.

Kokën e Tij

të përgjakur

vë Eda në prehër.

* * *

Shkëmbi i Golgotës

i çarë

si zemër tragjedie.

Me xham e kanë mbuluar

si një arkivol në Kishë.

* * *

…vdekja është gjallë…

…atëhere s’paska vdekje…

* * *

Një degëz ulliri

kam ndër dhëmbë,

e brej si ankthin

dhe një pemë tani

në Kodrën e Ullinjve

kullon gjakun tim…

* * *

Trupi u bë violinçelë,

krahët - tastierë,

flokët - harqe.

Eda ime

me tre Marie të tjera

krijuan një kuartet

rekuimesh të shenjta.

* * *

Ti që do të flasësh

në heshtje a në altar,

Fjala është dhe e fundit

kur të ketë ngjallur varre.

Pa datë, andej-këtej..

DIÇKA PËR PËRJETËSINË

Të përjetshëm

janë veç kafshët dhe tiranët.

Kafshët s’e dinë

që ekziston vdekja,

Tiranët e dinë se është

gjithmonë e tjetrit.

Vdekja është e barabartë

dhe në padrejtësinë e saj.

I dal përpara,

ta mirëpres dhe ta qortoj…

TE VARRI I KRISHTIT

Pa atë varr bota do të ishte më e vdekur, mërmerita.

Jeruzalem, 15 nëntor, ora 6.11 e mëngjesit.

Vetëm për vetëm mbeta te Varri i Krishtit,

Rashë aty dhe po e përqafoja.

Rrasa e varrit mori drithmat e mishit,

Plagë mermeri më dha… mister… gozhda,

Që pa mëshirë iu ngulën dhe shpirtit,

Edhe ajrit, hyjnoren për të vrarë.

Po varri është bosh… Mrekullia e Birit

I kishte ikur vdekjes… ja, te ky varr!

Ngushëllomë, o Qiell, të përgjërohem,

Shpik ringjalljet! Si mund të vdesë biri?

Vazhdo. Që varret bosh të kuptohen…

Merrmë, s’ka pse të jetë jetim prindi.

Ballin përplasa mbi varrin e Krishtit,

Pllaka u ça si shkëmbi i Golgotës.

Oh, jo, kafka ime ashtu krisi

Dhe rrjedh si gjak dhimbja e botës.

KUNDËRUNGJILLI SIPAS JUDËS

…dhe Juda tha: unë u ringjalla, deshi Djalli dhe u bë,

s’mund të më çonte në parajsë, ku s’ishte as vetë,

më shumë në qiell isha unë, i varur në degën e pemës,

e këputi me dhëmbë litarin dhe rashë mbi tokë.

Ngrihu, tha Djalli, shko dhe përhap gulçet e mia,

ja, ashtu si puthjen tënde, njëlloj janë. Thuaj

që Jezusi ishte një tjetër me emrin Jezus, i zakonshëm,

asnjë mrekulli s’ka bërë, as predikime, besoni

në mosbesimin tonë, as në burg nuk ka qenë, s’ka

qeli të tij, as Fjalë të tij, lavdëro Barabën që s’dinte

të shkruante, ngulmo që as holokaust nuk ka patur,

as kampe përqendrimi, Aushvic, Spaç, as kryq,

as pushkatime poetësh, mos harro të thuash që

më e mirë është mospoezia se poezia dhe zhduki,

kopjoi më parë dhe shpërndaji si të tuat. Nuk ka

ringjallje tjetër veç tëndes. Të harrohen kryqi, krimet

diktaturat, të zeza si shpirti im, të kuqe si fytyra jote,

kur puthe Krishtin, që të sundojmë ne dhe puth

sa më shumë, nëpër darka shko, puth pa frikë këdo,

puthjet e tua i shndërrojmë në kafshime dhe tortura,

i estetizoj për teatrin dhe filmat, i japim në televizione,

puthja jote është arma ime, ndryshe unë s’jam. Me

ulërimën time u bënë Lufta e Parë Botërore, por

dhe të tjera të para para asaj, lufta e dytë dhe të dyta

të tjera pas saj, murtajat, realizmi socialist, tërmetet,

eksodet, pandemitë… Ruaj puthjen tënde dhe përhape,

përhape, përhape Kundërungjillin tim, sipas Judës.

NË NJË SHITORE, S’E DIMË KU JEMI

NË IZRAEL APO NË PALESTINË…

Te dera na dhanë nga një shportë për blerjet,

Të thurur me kashtën e rrezeve të kësaj dite.

Eda ime endet mes pasqyrave dhe vitrinave

Plot me diamante që ishin buzëqeshjet e saj

Dhe vë në shportë një byzylyk me kryq të florinjtë,

Unë – ylberin që u këput këtej kufirit.

Eda - disa rruzare për t’i dhuruar të bekuara,

Unë – postbllokun mes Izraelit dhe Palestinës.

Dy shaje zgjedh Eda, për ç’valle dasme?

Porositë e dy reve ushtare marr unë nga lart.

Eda gjen një Marie, unë kurorën me gjëmba,

Mjafto për sot, them. Vetë duart e Edës

janë shporta që mban brenda ëndrrën time…

…pas mesit të nëntorit 2022

PËRPARA KRISHTIT

- Vazhdimi i një poezie të Naim Frashërit -

Fytyra jote mua më tregon*, o Krisht,

Gjithë njerëzinë si në pasqyrën qiellore.

Me Ty u nda bota mrekullisht,

U krijua e shkuara dhe e ardhmja e kohëve.

Kaq shumë dhunë ka në Biblën e Vjetër,

Vëllai i parë në botë

vëllait ia nguli thikën në shpinë.

Ti solle dashurinë me Biblën tjetër,

Me Biblën tjetër Ti solle dashurinë.

Të duam, the, dhe armikun ta bëjmë vëlla,

Me dashurinë nga vijmë,

kjo tokë duhet mbjellë.

Në mish të ngulën gozhdë të mëdha,

Kryqi që ngritën, të ngriti në Qiell.

Fytyra jote u bë Qiell nga të githa anët,

Me buzëqeshjet pafund të yjeve,

Prandaj dhe njeriu si kryq i hap krahët

Ti na le kryqin e përqafimeve.

Eja! E presim ardhjen Tënde si shpëtimin.

Eja! Të ndalet djalli dhe çdo fund djallëzor.

Eja! Agimet prandaj sjellin agimin,

Eja! Ardhjen Tënde afrojnë, o Hyjnor!

____________________________________________

*) Varg i Naimit në poezinë “Përpara Krishtit”.

KY SHESH I BUKUR NË JERUZALEM

Ky shesh i bukur në Jeruzalem

si kurorë e rënë nga lart…

jo, jo nuk mund ta krahasoj me kurorën

me gjëmba të Krishtit, ka kaq shumë

vezullime gurësh si Kurora e Artë që mori

Yehuda Amichai në një festival

buzë një liqeni,

të ndarë përgjysmë me vendin tim,

ja, si vera që i hedhim tjetrit nga gota jonë.

Pranë kishte një grua të bukur ai.

Dhe ky shesh në Jeruzalem

si ajo e shtrirë është, gurët

kanë ngjyrën lakuriqe të saj.

Dhe kjo kthesa që të çon te Muri i Lotëve,

është si një varg në hebriaisht

i një poezie timen,

e përkthyer nga Rami Saari, një tjetër poet,

më i ri se unë. Te ky varg

Eda ime po ushqen një mace,

ç’po i jep, mos metaforën që sapo shkruajta?

Sheshi ngjan prapë me një kurorë,

kaq shumë mbretërore,

nga kryet e Solomonit ka rënë? Ah,

kisha një mik me këtë mbiemër, s’e di ku

ka ikur? Lutem: qoftë mirë! Ai do më njihte

me shkrimtarin David Grossman.

Djali i tij, Uri, tankist, u vra në Betejën

e Dytë të Libanit, e ka shkruar

në romanin “Falling out of time”.

Ah, ky shesh po më rrotullohet

si kulla e hekurt e tankut.

David! Edhe unë rashë jashtë kohës

në një zi si tënden… nuk flas dot…

Nuk dua të na dëgjojë Eda ime, vazhdon ajo

të rrijë me macen hebreje, i duhet të bëjë patjetër

një ledhatim

dhe nuk po shikon macen, duart e saj

janë larg si dy Betleheme… në një shpellë…

mbi një Jezus foshnjë...

që duhet rritur brenda vetes…

i bukur dhe në kryq…

A është afër shtëpia jote, David,

nga ky shesh?

Që po më duket si një filxhan i madh kafeje

të hidhur, që do ta pijmë bashkë. Një herë ti

nga njëra anë e një herë unë nga ana tjetër.

Po si ta njoh shkrimtarin Grossman në rrugë?

A del ai? Apo çdo njeri këtu është një David

dhe unë jam një hebre.

Në Jeruzalem është hera e parë që vij,

po sa herë ka ardhur tek unë Jeruzalemi…

I përlotur rri në anë të kurorës,

pres Edën time

me hapat e saj të më sjellë Tokë të Shenjtë…

Porta e Zionit nga hymë në Qytetin e Vjetër,

16 nëntor 2022

* * *

Kohës që më vrau

si t’i jap një tjetër mundësi?

Nga plaga rrjedh gjaku i ringjalljes…

Dita e ikjes, Tel Aviv, 17 nëntor 2022

BISEDA E KTHIMIT ME ANDREAS D.

Shën Andrea Apostull është dhe ungjillizues

i shqiptarëve… (Sipas Radio Vatikanit)

Andreas, ku e kishte të Shenjtën ajo Tokë?

Unë u përkula dhe e preka me duar:

Të njëjtë gurët dhe bari dhe plasaritjet

si brengat

bregu, bregoret, ullinjtë dhe ujrat

si një zgjim i gëzuar fëmije,

po ai dhé, që mora dhe me vete në një kryq.

Retë e bardha

që kullosnin si delet në ëndërr,

më kujtuan ditën e të drejtave të kafshëve,

që festohet në Izrael.

Dhe mendova se ditët janë të njeriut

dhe i nxënë të gjitha.

Toka, ku shkelim, në marrëveshje

me Qiellin, na bekon. Mos vallë hapat

i shenjtëron ecja e hyjnores

me këpucët tona prej ere?

Edhe veten mund ta lësh,

por jo këtë udhëtim,

në kërkim të Birit. Që je ti përtej vetes,

që është e tëra pa ty,

prani tronditëse e mungesës.

Tmerri është kur nuk i mungon askujt,

po le të vazhdojmë në gjurmët e Birit

si në ato të Atit.

- At’jon! – ma kthen jehonën e thirrjes time

Toka e Shenjtë përtej vendeve dhe kohës,

në jetë të jetëve. Amen!

Image
Visari në Qelinë e Jezu Krishtit, Pallati i Kaifas, Jeruzalem, nëntor 2022.
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat