Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtarja Marjeta Shatro Rrapaj

Kultura

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtarja Marjeta Shatro Rrapaj

Më: 23 prill 2023 Në ora: 10:01
Marjeta Shatro Rrapaj

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?

Të duam shumë veten dhe njerëzit, ta shprehim dashurinë me fjalë dhe veprime konkrete.

Cila është frika juaj më e madhe?

Të humbas njerëzit që dua.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Dy prindërit e mi që janë stoikë të heshtur dhe burim frymëzimi për mua.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Çdo njeri është krijesë e përsosur në formën e vet, pasi ka ardhur me një mision,pra identifikim me vetveten. E dua veten kështu si më ka krijuar Zoti,por edhe një Olympe de Gouges për mbrojtjen e të drejtave të grave.

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?

Revoltimi i menjëhershëm ,ndaj padrejtësive që bëjnë të tjerët.

Cili është tipari që nuk pëlqeni te të tjerët?

Gënjeshtra, hipokrizia, shtirja.

Në cilat gjëra e teproni?

Këshilloj dhe ofroj dashamirësi ndaj të gjithëve dhe ka nga ata që nuk e duan mendimin tim.

Çfarë do t'ju shtynte të gënjenit?

Nuk do ta bëja,veç për shpëtimin e jetës së dikujt në rrezik.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Fluturimi me fantazi, bota e ëndrrës, ku gjithçka realizohet dhe lumturohem shumë.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Zot më ndero, më prij në rrugën time.

Për çfarë ju ka ardhur keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Çdo gjë e marrë seriozisht, edhe gjërat e vogla pa rëndësi, prekem lehtë nga njerëzit dhe mbyllem në vetvete.

Cila është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Dy prindërit e mi, dy djemtë, im shoq ,dy vëllezërit e mi, nipi e mbesa ime.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Jam në paqe dhe harmoni me veten time për çfarë them dhe bëj.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit te vetja cila do të ishte ajo gjë?

Asgjë, më pëlqen kështu siç jam ,pasi po mos të isha kështu nuk do të më intervistonit.

Çfarë konsideroni si arritjen tuaj më të madhe?

Që çdo ditë e jetës sime është e shtrenjtë, e shenjtë dhe nuk përsëritet më.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Do të doja të shkollohesha në Francë si djepi i kulturës botërore.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Si një ëngjëll drite,si fllad i lehtë,si një laureshë.

Cila është gjëja më e shtrenjtë që e posedoni?

Posedimi i jetës ashtu si ajo vjen pa u frikësuar, por me ide të qarta dhe e sigurt në çdo hap.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Mungesën e dëshirës te njerëzit për të mësuar gjatë gjithë jetës,injorancën dhe mediokritetin.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Në një vend që ka diell gjithë vitin.

E dua shumë diellin dhe qytetin tim Sarandën.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Sinqeriteti, çiltërsia, thënia hapur e mendimit.

Çfarë vlerësoni te një mashkull?

Forcën e gjykimit dhe seriozitetin.

Çfarë vlerësoni te një femër?

Bukurinë e shpirtit, finesën dhe elegancën e saj në të vepruar.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?

Kam disa: Hygoi, Balzaku, Çehovi, Tolstoi, Drajzeri, Markeze, Dan Braun.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Njerëzit e punës ata që nuk ankohen kurrë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Të këndoja dhe t'i bija pianos.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Në gjumë pa kuptuar ,duke buzëqeshur.

Cila është motoja juaj?

Nuk ka asgjë të pamundur mjafton ta dëshirosh fort me gjithë forcën e shpirtit diçka dhe ajo të realizohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat