Na ikën vitet

Kultura

Na ikën vitet

Nga: Dibran Demaku Më: 7 maj 2023 Në ora: 08:48
Dibran Demaku

Na ikën vitet kot larg nga arë e grurit
na ikën vitet kot larg nga urë e gurit

na ikën vitet kot larg nga rrjedhë e Drinit
na ikën vitet kot larg nga lulet e Dukagjinit

na ikën vitet kot siç ikin retë e qiellit
na ikën vitet kot duke ngarendur pas diellit...

Në…

në ngjyrat e ylberit
në vrapin e drerit
në krahët e nderit
ne gjetëm kuptimin

në rrënjët e lisit
në shkëlqimin e plisit
në mbamendjen e fisit
ne gjetëm burimin

në prehërin e nënës
në buzëqeshjen e motrëd
në ngrohtësinë e votrës
ne gjetëm gëzimin

në ëndrrën e gjyshit
në shpresën e babait
në trimërinë e vëllait
ne gjetëm shpëtimin...

Rozafë

sa gurë u renditën mbi trupin tënd Rozafë
nga duartë e kunetërve mjeshtër gdhend latuar
vëllai i vogël i bindur në besë bëri gafë
apo akti yt i flijimit në ballë të ishte shkruar

shekujt vijnë e ikin në pambarim
toka nuk flet asnjë fjalë nuk flet as guri
fjalë e besë e dhënë nga një premtim
në shi e në diell tash nxinë vetë muri...

Në këtë fillim maji

ty nuk të prek faji
ty nuk të zë vaji
ti shpresat mbaji
në këtë fillim maji...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat