“Mediat në arsim”, një libër me vlera të larta arsimore dhe mediatike

Kultura

“Mediat në arsim”, një libër me vlera të larta arsimore dhe mediatike

Nga: Sevdail Hyseni Më: 12 maj 2023 Në ora: 13:48
Pamje nga promovimi

Këtyre ditëve, në Pallatin e Kulturës, në Bujanoc, u përurua libri i Mr.sc. Xhahit Ramadanit me titull: „Mediat në arsim“. Në këtë eveniment të lartë kulturor, morën pjesë përfaqësues nga jeta institucionale e arsimore nga Lugina e Preshevës, si dhe studiues e adhurues të librit nga Kosova dhe hapësirat tjera shqiptare.

Për rolin dhe rëndësinë e librit, ka folur Dr. Lindita Sejdiu - Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë pranë Universitetit të Prishtinës, e cila, midis tjerash, tha se libri i profesor Xhahit Ramadani, shtrihet në mbi 200 faqe dhe i ndarë në pesë kapituj dhe shumë nënkapituj, me një fjalë është pikërisht një tregues i kësaj dashnie dhe i këtij vullneti për të lënë gjurmë të dëshirës së madhe të këtij vendi për arsimin dhe shkollimin. Më tej dekanja Lindita, shton se libri i prof. Xhahit Ramadanit ka dhënë edhe plane të detajuara të planifikimit të orëve mësimore dhe të organizimit të tyre profesional-didaktik, bile edhe duke dhënë shembuj të integrimit të mediave në mësimdhënien e fushave të ndryshme shkollore (gjuha amtare, biologjia, historia, gjuhët e huaja, etj).

“Mësimdhënia efektive ndërton ura midis njohurive të nxënësve dhe objektivave të mësimit të lëndës. Përdorimi i medias mundëson angazhimin e nxënësve, i ndihmon ata në ruajtjen e njohurive, nxit interesin për temat e mësimit, dhe ilustron rëndësinë e shumë koncepteve”, thotë në prezantimin e saj dekanja Dr. Lindita Sejdiu - Rugova.

Redaktori i librit „Mediat në arsim“, Prof. Dr. Islam Krasniqi, i cili për disa arsye nuk pati mundësi të jetë i pranishëm në këtë përurim, ai, në shkrimin e tij e vlerëson lartë botimin e këtij libri, duke theksuar se “Jemi të sigurt se botimi i veprës me këtë titull do të plotësojë këtë mungesë e mbase do të nxisë punonjësit shqiptarë të didaktikës e të metodikës për botime të reja. Libri iu dedikohet dhe besoj se do t’u shërbejë mirë mësimdhënësve, studentëve të fakulteteve për përgatitjen e mësimdhënësve e të edukatorëve, punonjësve të programeve arsimore të mediave të shtypura dhe elektronike, por edhe prindërve me qëllim të shfrytëzimit të mediave në punën edukative-arsimore me fëmijët në shtëpi."

Profesor Krasniqi, në vijim, shkruan se “Gjendja e prezantuar më sipër e veprimtarisë botuese në gjuhën shqipe nga kjo fushë dëshmon për vlerën dhe aktualitetin e objektit të trajtimit në veprën: ”Mediat në arsim” të Prof. Xhahitit. Për hulumtimin e objektit të trajtuar në këtë libër fillimisht Ramadani formulon qartë qëllimin dhe detyrat e hulumtimit. Objekti i këtij hulumtimi është I natyrës teorike dhe empirike”.

Redaktori Krasniqi, gjithashtu, ka nënvizuar se: Nga pasqyra e lëndës shihet se Ramadani në këtë libër ka përfshirë e trajtuar, të thuash të gjithë vistrin e mediave të shtypura si: libri, fletoret e punës, doracakët didaktiko-metodikë për mësuesit,teksti shkollor, gazetat, revistat e ndryshme, botimet letrare,vizatimet, fotografitë…. Në këtë vepër, gjithsesi, janë përfshirë e përpunuar edhe pjesa më e madhe e mediave elektronike nga industria më e re e mësimdhënies si: radio, televizioni, diafilmi, diafotografia, diaprojektorët, grafoskopi, internet…

Po ashtu edhe Prof. Asoc. Dr. Naser Zabeli, gjatë vlerësimit të librit, në cilësinë e recensentit, ka potencuar se “Në fushën e shkencës së pedagogjisë, literatura në gjuhën shqipe është e varfër aq më shumë kur bëhet fjalë për trajtimin e mediave në arsim. Prandaj, ky dorëshkrim është një kontribut në literaturën pedagogjike në gjuhën shqipe në përgjithësi dhe në prakticitetin e përdorimit të mediave në procesin mësimor, në veçanti. Prandaj sipas tij, “Ky dorëshkrim, paraqet një përpjekje për të treguar rëndësinë e mediave në arsim si një faktor i rëndësishëm edhe për zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi. Autori krahas defenicioneve vë në pah llojet e mediave dhe një pjesë të mirë paraqet edhe arsimin mediatik dhe interferimin e mediave në procesin mësimor, konkretisht në realizimin e një ore mësimore. Krahas trajtimit teorik, vlerën e shton edhe pjesa e hulumtimit e cila e fuqizon edhe më shumë”.

Ndërsa në recensionin e Prof. Ass.Dr. Mensur Neziri, thuhet se “Ky studim përmban të dhëna të dorës së parë për mësimdhënësit fillestar dhe paraqitet mjaft bukur nga mjeshtëri i saj. Është kënaqësi kur lexon për rolin e medias në sistemin e edukimit përveç kësaj ky tekst plotëson hartën e mozaikut në fushën e arsimit dhe ndikimin e medias në të. I shkruar me një stil logjik dhe mjaft praktik ky libër mund të shërbej si udhërrëfyes për studentët dhe studiuesit në zhvillimin e tyre profesional veçanërisht në fushën e arsimit dhe medias. Ai, më tej shton se “Libri është i domosdoshëm për të gjithë ata që merren me fushën arsimore apo mediatike. Është një libër i mbushur me shembuj praktik dhe informacione shtesë për çështjet e caktuara, të cilat hedhin dritë mbi ndikimin dhe rendësin e medias në arsim”.

Autori i librit Mr.sc. Xhahit Ramadanit, pasi falënderon të pranishmit, nuk la pa përmendur se librin “Mediat në arsim” e ka shkruar me qëllim, që të tregoj se arsimi si faktori më i rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë (shkencës, teknikës, teknologjisë, kulturës) nga ku nis gjithçka, duke aplikuar medien, e bënë mësimin më interesant dhe më të suksesshëm. Si profesor me përvojë 32 vjeçare në mësimdhënie, vazhdimisht më përndiqte mendimi se si ta ngritja mësimdhënien në një nivel më të lartë, në mënyrë që arsimi të bëhet forca shtyse e shoqërisë”. Ai, në vazhdim, falënderoi redaktorin e librit Prof. Dr. Islam Krasniqi, pastaj recensentët: Prof. Dr. Naser Zabelin dhe Prof. Dr. Mensur Nezirin, si dhe të tjerët që dhanë ndihmesën në mbarëvajtjen e punës për botimin e këtij libri.

Për biografinë e prof. Ramadanit, foli prof. Metali Krasniqi ndërsa pjesë e manifestimit me disa ekzekutime në piano ishte edhe Arlinda Bici. Vlen të ceket se ky është libri i katërt i prof. Xhahit Ramadanit, i cili jeton familjarisht në Bujanoc, ndonëse në pension, ai, nuk heq dorë nga veprimtaria e tij shkencore, letrare e informative.

Image
Pamje nga promovimi
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat