Pak fjalë për përmbledhjen poetike “Retë e atdheut” të poetit Avni Çunaku

Kultura

Pak fjalë për përmbledhjen poetike “Retë e atdheut” të poetit Avni Çunaku

Nga: Zymer Mehani Më: 17 korrik 2023 Në ora: 13:21
Foto ilustrim

Për këto poezi mendoj se janë fjalë të zgjedhura poetike, të cilat burojnë nga zemra e autorit Avni Çunaku dhe depërtojnë thellë në zemrat e lexuesve, që dhurojnë emocione të fuqishme, sa herë që do të lexohen...

1.

Avni Çunaku është poet mërgimtar që jeton e vepron në Gjermani. Ai në kontinuitet që nga vitet ’90, kur mori rrugën e mërgimit s’reshti së kontribuuari në zhvillimin e letërsisë shqipe në përgjithësi, e të poezisë sonë në veçanti. Puna e tij karakterizohet nga origjinaliteti e poezia e tij shënohet me lehtësi dhe me një stil origjinal. Poeti gjithmonë përpiqet të përmirësohet dhe të avancohet në krijimtarinë e tij. Në vargjet e tij shtrohen dhe u jepet përgjigje pyetjeve të rëndësishme filozofike, e një nga temat më të rëndësishme që poeti Çunaku trajton ishte përcaktimi i vendit të poetit në shoqëri. Avni Çunaku është i vetëdijshëm për qëllimin e krijimtarisë së tij, si dhe për rolin e tij si poet në letërsi.

2.

Ata që nuk krijojnë, nuk ndryshojnë nga njerëzit e zakonshëm. Poetit i duket se ai vetë është një pjesë e vogël e kozmosit dhe shpirti i tij është bosh pa frymëzim, prandaj s’resht së shkruari. Ai dëgjon një "zë hyjnor", i cili duket se e zgjon nga gjumi. Ai nuk ka nevojë për pasuri materiale, as për argëtim. Prore është në kontrollin e frymëzimit dhe përpiqet të gjejë paqen, sidomos kur është në vetmi, larg njerëzve të gjuhës e të gjakut, por edhe larg atdheut ku u rrit e u burrërua.

Qëllimi i veçantë i poetit kur shkruan është demaskimi i së keqes, i veseve dhe veprave të këqija, siç është edhe hymnizimi i virtyteve, i punëve të mira e i humanizmit. Në poezinë e tij, shpirti i poetit Çunaku shëmbëllen me një shqiponjë, me një zog liridashës dhe krenar, që ëndërron prore të fluturojë lirshëm përmbi retë e atdheut me mallin e mërgimtarit që e zhurit prore. Poeti është i lirë, prandaj edhe në veprën e tij shkruan lirshëm, si dhe është i lirë në mendimet e tij.

Edhe në këto çaste, kur e kemi në duar këtë vëllim poetik dhe kur po shfletojmë faqet e këtij libri, mendja na shkon te sakrificat e brezave të tërë të mërgimtarëve shqiptarë, të cilët kanë qenë dhe mbeten prore arterie kryesore e zemrës së atdheut. I tillë ishte dhe akoma është edhe poeti i talentuar Avni Çunaku.

Poezitë në përmbledhjen “Retë e atdheut”, të renditura njëra pas tjetrës, nuk i përmbahen vazhdimisht rimës, gjë që rezulton që disa vargje të humbasin ritmin në mungesë të rimës, ose disa vargjeve u jepet një tipar aritmik. Dhe në kontekstin e përgjithshëm tematikës së poezive të poetit i kontribuon aritmiciteti real.

Duhet të theksohet gjithashtu se Avni Çunaku është i angazhuar edhe në pikturë. E gjithë kjo do të thotë, sigurisht, se aftësia e tij në krijimtari është polidimensionale. Në të njëjtën kohë, është e mundur të fokusohemi në vargun e tij bashkëkohor, i cili trajton tematikë të vuajtjes, shpërbërjes, izolimit, neglizhencës, madje edhe të sëmundjes, duke kërkuar rrugëdalje nga një gjendje e tillë, qoftë për individin, qoftë për kolektivitetin.

Avni Çunaku në poezitë e tij ekspozon edhe fatalitetin e të qenit i ndarë e i përçarë, siç është fati i kombit tonë. Ai shkruan për jetën, dashurinë dhe vdekjen, për të kënaqur shpirtin e tij dhe tonin, sa melankolik, po aq edhe të dërrmuar.

3.

T’ua rikujtojmë lexuesve të respektuar se Avni (Salih) Çunaku u lind më 28. 09. 1968, në fshatin Llugë, komuna e Podujevës. Shkollën fillore e kreu në Lluzhan, të mesmen në Podujevë, në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” (ish-“ 8 Nëntori”), pastaj u regjistrua në Shkollën e Lartë Pedagogjike, në Prishtinë, në degën gjuhë dhe letërsi shqipe, ku e kreu vitin e parë, por me mbylljen e UP-së nga politika antishqiptare e pushtuesit serb, edhe Avniut, sikurse shumë të rinjve të tjerë do t’i mbesin studimet përgjysmë, për të mos mundur t'i vazhdojë ligjëratat e vitit të dytë të studimeve. Pikërisht nga fundi i vitit 1991, do të marrë rrugën e mërgimit, ku tash e 30 vjet jeton e vepron në Gjermani, gjithnjë duke shpresuar se së shpejti do të kthehet në vendlindjen e tij, në Dardaninë e bukur.

Veprat e botuara:

“Ora e Dardanisë”, libri i parë, i botuar në Prishtinë, në vitin 2000;

“Eshtra në shtegtim”, Printing press, Prishtinë, 2022;

“Ëndrra të trishta”, Printing press, Prishtinë, 2023;

“Metafora të kryqëzuara”, Printing press, Prishtinë, 2023;

“Retë e atdheut” (poezi), Printing press, Prishtinë, 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat