Rrita e Ritës

Kultura

Rrita e Ritës

Nga: Isa Zymberi Më: 31 gusht 2023 Në ora: 09:52
Isa Zymberi

Në vitin, tashmë bukur të largët, 1992, disa muaj pasi isha caktuar ta drejtoja Qendrën për Informim të Republikës së Kosovës në Londër, u gjenda për një konsultim në Këshillin e Refugjatëve në Voksall (Vauxhall). Duke dalë, në korridor, takova Besnikun e Verën. Me vete, në një karrocë bebesh, kishin dhe një vajzë të vogël, Ritën, e cila atëherë ishte rreth një vjeçe e gjysmë. I njihja që të dy, Verën me vijë familjare, kurse Besnikun e kisha pasur student. Ai, përveç fakultetit ekonomik, kishte studiuar edhe anglishten dhe ishte diplomuar në këtë degë. Besniku ishte biri i një mikut tim të mirë, Besim Sahatçiut, me të cilin kisha bashëpunuar në një kohë kur kishte punuar për Radio Televizionin e Prishtinës (RTP). Me Besimin jemi takuar disa herë edhe në Londër, kur vinte për t'i vizituar dy djemtë e tij.

Besniku e Vera, bashkë dhe me Ritën e vogël në karrocën e saj, kishin ardhur në këtë institucion, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, për të marrë ndihmë e këshilla rreth çështjes së banimit.

Komuniteti shqiptar në Britani, në fillim të viteve '90, ishte shumë i vogël, 500 - 600 veta në një qytet prej rreth 8-9 milionë banorësh - sa një pikë uji në oqean. Ky komunitet, edhe pse i vogël në numër, filloi të organizohej mjaft mirë, megjithatë nuk ishte në gjendje t'u ofronte shumë ndihmë atyre që ia dilnin të vinin në Britaninë e Madhe.

Numri i shqiptarëve të Kosovës në Britani shtohej në proporcion me shtimin e dhunës së regjimit serb në Kosovë.

Ata që kanë ardhur sidomos në fillim të viteve '90, në Londër nuk kanë gjetur një kopsht me lule, përkundrazi, janë përballur me probleme të ndryshme para se t'ia dilnin të sistemoheshin disi. Këtu nuk bën përjashtim as Besniku me familje.

Pamjet e tilla, si e Besnikut me Verën, bashkë edhe me Ritën e vogël, që përballeshin me hallet fillestare të refugjatëve, nuk të hiqen asnjëherë nga mendja.

Në kujtesë, natyrisht, të mbeten edhe raste të tjera që të nxjerrin gazin - si rasti i atij që merrte të vëllanë në telefon dhe e njoftonte se kishte arritur në Londër dhe se po e priste te hyrja kryesore e parkut, pa e ditur se Londra nuk e kishte vetëm një park, si qytetet në Kosovë, por kishte me qindra sish, ose rasti tjetër kur kosovari arrin me familje në një pjesë të Londrës, merr një prej atyre taksive të zeza karakteristike për Londrën, i ulë gruan dhe fëmijët në ulëset e pasme e vetë rri kaçul para tyre, dhe vetëm kur arrijnë në desticaion, pas rreth një ore, taksisti cinik e ul me dorë ulësen ndihmëse të palosshme për t'i treguar se ka mundur të ulej edhe ai.

Krejt rastësisht ka ndodhur që, fare në fillim, Besniku me familje të vendoseshin shumë afër banesës ku banoja unë me dajlin tim të madh, Tonin, i cili shpesh e takonte Verën me dy vajzat e vogla, Elenën dhe Ritën, në parkun e vogël Redcliffe Square Gardens. Vajzat kënaqeshin me praninë e Tonit duke lozur në këndin e lodrave.

Më vonë Besniku me familje janë vendosur në Noting Hill.

Shumë vite para se të fillonte të shpërthente në fushën e muzikës, sapo kishte filluar shkollën, te Rita është vërejtur talenti i saj për aktrim dhe është përzgjedhur të luajë në një film që në moshë të hershme. Roli i saj në filmin e saj të parë e kishte shtyrë gjyshin e saj Besimin, regjisor i mirënjohur në Kosovë, të më drejtohej me kërkesë t'ia përktheja në shqip gjithë paraqitjen e Ritës. Ky ishte, të thuash, një vazhdim i bashkëpunimit tim me Besimin në fushën e përkthimit të filmave në kohën kur ai e udhëhiqte redaksinë e filmit dhe dramës në RTP.

Më vonë, siç e dimë tani të gjithë, Rita shpërtheu me talentin e saj në fushën e muzikës dhe fitoi famë botërore, pa u shkëputur tërësisht nga aktrimi.

Rita është rritur në Londër. Me gjithë peshën e famës botërore, menaxhimi i së cilës thonë se nuk është i lehtë, asnjëherë, në asnjë rrethanë, jo vetëm nuk e ka mohuar se është shqiptare, por e ka theksuar këtë fakt me shumë krenari, ashtu siç vepron edhe Dua Lipa, edhe kjo me famë botërore në fushën e muzikës.

Këto ditë u paraqit si skandal valëvitja e një flamuri nga Rita në një koncert në Hungari, për të cilin ajo as që e kishte idenë se ishte flamuri i Serbisë.

Rita është rritur në një ambient shoqëror ku përdorimi i simboleve është superliberal. Në Londër mund të valëvisësh cilindo simbol apo flamur të duash, përfshirë dhe flamurin shqiptar, dhe askujt s'i bën përshtypje. E vetmja e keqe, edhe atje, mund të të vijë nga kultivuesit serbë të urrejtjes, të cilët simboli ynë kombëtar i tmerron kudo që janë.

Sa për ilustrim, po e përmend një rast gjatë viteve '90 në Londër. Një kosovar, që po martohej, kishte vendosur që nusen ta merrte me një karvan makinash dhe me flamuj shqiptarë. Kur kolona e makinave tona ndalonte, qoftë në semafor apo në trafik të ngarkuar, ndodhte që shoferët nga makinat në krah të na pyesnin, "Kush fitoi? Sa ishte rezultati?", duke menduar se ne po ktheheshim nga një lojë futbolli e sapo përfunduar. Ne, me shaka, u përgjigjeshim, "Një me zero për ne."

Nuk e di çfarë ndjenje u krijon serbëve valëvitja nga Rita Ora e flamurit serb, por atyre u kisha sugjeruar ta lexojnë drejt këtë ndodhi. Serbia bashkë me simbolet e veta është aq e parëndësishme dhe aq e shpërfillur nga shqiptarët e Kosovës saqë edhe ata me famë botërore nuk e dallojnë flamurin e tyre.

Këto ditë, pothuaj në të njëjtën kohë, ndodhi që anëtarët e një familjeje shqiptare nga Gostivari, duke kaluar në Serbi, të ndaloheshin, të dërgoheshin në stacion policor dhe të merreshin në pyetje, madje dhe të shpalleshin non-grata, vetëm pse fëmija i tyre kishte veshur një bluzë me shqiponjë.

Politikanët serbë, këta kultivues të palodhshëm të urrejtjes, sidomos ndaj shqiptavëve të Kosovës, sillen të tmerruar para shqiponjës dykrenare - sikur kanë frikë se ajo, tash a tash, do të dalë nga flamuri, madje edhe nga bluza e një fëmije, dhe do t'ua nxjerrë sytë.

Sot, në pjesën veriore të Mitrovicës, ka më shumë flamuj serbë sesa në gjithë Serbinë. Kjo nuk u bën përshtypje kosovarëve, as duhet t'u bëjë. Nuk do ta kthejnë kurrë Serbinë në atë pjesë të Kosovës me flamuj serbë.

Në Preshevë, ndërkaq, ngritet akuzë ndaj zyrtarit shqiptar për shfaqjen e një flamuri të vetëm.

Gjatë disa viteve të fundit, shumë serbë kanë zgjedhur t'i kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar. Nuk e di se si e përballojnë kalimin e pushimeve me praninë e shqiponjës shqiptare, apo mbase as serbëve të rëndomtë nuk u bëjnë përshtypje simbolet shqiptare, ose-ose ato simbole i tmerrojnë vetëm kur barten nga shqiptarët e Kosovës apo të trojeve shqiptare nga ish-Jugosllavia.

Kosovarët dhe shqiptarët e ish-Jugosllavisë e vërejnë me habi sjelljen më të butë të shqiptarëve të Shqipërisë ndaj turistëve serbë sesa ndaj vetë atyre. Shumë prej tyre u krijohet përshtypja e ringjalljes së një lloj averzioni ndaj kosovarëve. Disa prej tyre këtë e ndërlidhin me sjelljen e udhëheqjes aktuale shqiptare ndaj Kosovës. Madje disa me të drejtë shprehin drojën mos kjo gradualisht po të shndërrohet, apo është shndërruar tashmë, në kapital politik. Të vërteta ose jo, këto konstatime janë të dhimbshme dhe nuk duhet të lejohet që asnjëherë të zënë vend ndër shqiptarë.

Në rrethanat e tanishme, duke i marrë parasysh edhe zhvillimet e tjera në Kosovë dhe rreth saj, të habit sjellja pa kurrfarë vizioni e zyrtarëve ndërkombëtarë dhe shteteve të tyre respektive, që kanë marrë përsipër të vendosin paqen duke i bërë presione të pakuptimta Kosovës, e duke e mikluar Serbinë në të njëjtën kohë. Harrojnë se sa herë është mikluar Serbia, ajo ka shkaktuar tragjedi proporcionesh madhore, kryesisht për të tjerët e ndonjëherë edhe për veten e saj. Po të merreshin masa ndaj Serbisë me izolim e sanksione të duhura, ajo do të bëhej një shtet i zellshëm evropian dhe do ta aspironte sinqerisht edhe anëtarësimin në Bashkimin Europian. Perëndimi me shkurtpamësi ia lejon Serbisë ngrënien me dy lugë dhe sjelljet e dëmshme për shtetet fqinjë dhe gjithë rajonin në një kohë kur kercënimi rus vazhdon të shtohet.

Edhe fëmijët në djep e dinë se Serbia në asnjë rrethanë nuk shkëputet nga aleanca me Rusinë dhe për këtë nuk duhet të tregohet mirëkuptim ndaj saj. Politikanët serbë, me një marrëveshje të brendshme, lejohen të thonë se e përkrahin 'integritetin territorial të Ukrainës'. E vërteta është se Serbia mendon dhe shpreson që Ukraina kurrë të mos i kthejë territoret e pushtuara nga Rusia ashtu që t'i krijohet edhe asaj precedenti i marrjes së pjesës veriore të Kosovës. Këtë gjë duhet t'ia bëjë të qartë udhëheqja jonë udhëheqjes së Ukrainës, sepse ky fakt dhe përjetimet e kosovarëve në luftë me Serbinë, e vendosin Kosovën në të njëjtën pozitë me Ukrainën.

Në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë për Ukrainën, ajo duhet të arsyetohet nëse nuk mund të merret me çështjen e njohjes së Kosovës, megjithatë, ia vlen t'i sugjerohet Ukrainës që Serbisë t'i thotë, "Respekto edhe integritetin territorial të Kosovës".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat