Shipkovica ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit

Kultura

Shipkovica ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit

Nga: Baki Ymeri Më: 4 tetor 2023 Në ora: 12:40
Foto ilustrim

Shipkovica shtrihet në shpatet e Malit Sharr në perëndim të Pollogut. Në lartësinë mbidetare prej 900-1100 metra gjatë rrugës Tetovë-Kodra e Diellit. Gjeografikisht i takon Pollogut të Poshtëm. Gjeografia e saj ndërlidhet me malet më të bukura në botë. Kufizohet me fshatin Gajre, Lisec, Brodec, Veshallë dhe Bozofcë. Përballë saj duken fshatrat Sellcë dhe Vejcë. Fiset e fshatit janë: Voket, Oruçet, Çadelet, Fandet, Lekët, Gjurajt. Themeluesit e parë të fshatit janë Voket dhe pasardhësit Mjakët, e më vonë edhe fiset tjera si Fandet, Hadret, Çadelët, Oruçet Matët e Lekët.

Banorët e vjetër kanë qenë në pjesën më të madhe ortodoksë, por edhe katolik. Katolikë kanë qenë Fandët që përbëjnë fisin më të madh. Ata kanë ardhur diku nga fundi i shekullit të XVIII nga krahina e Mirditës, prej Bajrakut të Fandit. Ata ishin katolikë, por thonë se janë fisi më i fundit që ka pranuar islamizmin nga të gjitha fiset e Shipkovicës. Ka edhe fise autoktonë siç janë Voket, Gjurajt, Mjakët, etj., të cilët kanë qenë të ritit ortodoks para se të islamizohen. Çadelet vijnë nga Opoja, dhe disa prej tyre janë të fisit Krasniq e disa të fisit Shalë (Shaljanë), ndërsa Hadret janë me origjinë nga Prokuplja dhe në Shipkovicë janë vendosur diku nga vitet 80-të të shekullit të XIX. Duhet cekur se në këtë fshat jetojnë edhe pak torbeshë dhe goranë, që në ndërkohë janë shqiptarizuar dhe flasin vetëm shqip.

Etimologjia e emrit: Duke hulumtuar botën etnike shqiptare dhe duke kërkuar shpirtin e fshatit, kuptojmë se Shipkovica shtrihet në trekëndëshin e zonës kufitare ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, e banuar sot prej rreth pesë mijë shpirtrave, në rreth pesëqind shtëpi. Ky fshat ka qenë përherë vatra e patriotizmit shqiptar, i konsideruar madje, si „Shqipëria e Vogël”.

Me rrënjë të thella në histori, që nga periudha trako-ilire, Shipkovica figuron përherë të parë në dokumentet turke, në vitin 1453, kur banorët e saj ishin të përkatësisë fetare krishtere. Shipkovica është një fshat i ngarkuar me histori. Shenjtëria historike e këtij mjedisi ndërlidhet me patriotët që i ka dhënë për çështjen tonë kombëtare: Rexhep Voka, Sadudin Gjura, Rexhep Ramizi, Lazim Rexhepi, Xhelal Gjura, Ali Voka etj. Sipas disa pleqve Shipkovica e lashtë ka qenë në Mure. Halim Fanda, ishte i biri i Nezir Fandës, që jetoi 114 vjet. Ai ka thëne se maqedonasit bënë gërmime dhe gjetën hyrjen e kishës dhe varreza iliro-shqiptare përreth përroit të Hallës, të mbuluara me pllaka të gurit. Disa prej tyre i pat marrë vërshima, të tjerat u zhdukën nga dora e njerëzve të pa vetëdijshëm.

Kishën shqiptare e kanë patur përreth përroit të fshatit. Banorët e vjetër kanë qenë në pjesën më të madhe ortodoksë, por edhe katolikë. Lagjet e fshatit janë: Mahalla Voke, Mahalla Mjake, Mahalla Oruçe, Mahalla Çadele, Mahalla Fande, Mahalla Leke, Mahalla e Gjurajve. Lagjet kanë mare emrat sipas fiseve. Mikrotoponimet e fshatit: Arat: Kuqurica, Izvore, Ogjrade, Popa, Karma, Gradishe, Lugjata, Vudunica, Lluzhina, Rrethreka, Llejka, Plemicat, Fusha e Madhe, Ara e Ukës, Ara e Lilës. Puçalen, Radence, Lubat, Vodenicat, Ara e Hasanit, Orashet, Gjuri me Dushk, Gjuri Gjat, Shpella e Ukit, Puçuvllazi. Kodrat: Kepi Shipes, Lera e Veshallës, Kodra e Shpellës, Kepi i Kërlicës. Krojet: Kroji Dedës, Kroji i Izvoreve, Kajnaki Madh, Çeshma e Pashës, Kroji i Rashës, Kroj i Ftohët, Studureki, Izvoret, Kajnaki i Danës, Kajnaki i Galipit, Bunari i Bajres, Kajnaki Madh, Lumi i Llajkave, Kuquricat, Livadhet e Gjares, Kuqurica, Lluzhina, Ogjrade, Markolivadhet, Rasa e Markit, Livadhi Madh, Livadhet e Beshkës, Livadhi Shehërlivit, Livadhi i Shkavt Proji i Shkallës keçe, Proj i Oroçit, Proji i Camës, Proji i Plakës, Mullajni Hilmis, Mullajni Rexhës.

Udha e Konecit, Udha e Dërvendit, Teqja e Shipkovejcës, Ura e Rexhës, Ura e Popit. Gjuri i Sidollit, Gjuri Kërlicës, Gjuri Jonuzit, Gjuri Gjat, Gjuri me Dushk, Gjuri Alimalës, Gjuri Radencës, Gjuri Kuç, Gjurët e ngultë, Gjuri i Brezit, Kepi i Shipes, Kepat e Fortonës.

Gjropat e Rades, Gjropa e Shaqir Alisë, Gjropa e Kërlicës, Dushki Puçalenit, Te Shtogji, Te Hithit, Te Ahi, Te Brevi, Bagremi, Te Frashna, Te Shkoza, Te Plepi, Te Vneshtët, Vorzit e Katundit, Vori Sadudinit, Vori Ramadonit. Zabelet: Zabeli Bigurit, Zabeli Livadhit Madh, Zabeli Stanabarave, Zabeli Kanalivadheve, Zabeli Balbajave. Shpellat: Shpella e Ukit, Shpella e Madhe, Shpella e Dhajve. Vende: Te Rasha, Hisari i madh, Hisari i vojl, Bajraki i Danës, Xhibra e Skenderit, Xhibra e Lopëve, Xhibra e Madhe, Xhibra e Xhepës, Hithit, Balta e Kuçe, Rasa e Bajrës, Rahi Përpalecit, Rasa e Madhe, Mullakat, Copat, Xhibrja e Lopëve, Sulishte, Livadhi Vakafit, Fejri i Ballbajës, Rahi i Hodës, Puçaleni, etj.

Shpirti i fshatit, shëndeti i shpirtit dhe atdhedashuria

Thonë se e vërteta dhe përjetësia kanë lindur në fshat, se shpirti i fshatit është shëndeti i shpirtit dhe shpirti i kombit. Aty çdo gjë duket si një ëndërr e bukur. Shipkovica është fshati i ëndrrave të ëmbla si mjalta e atdhedashurisë. Na ish një herë si asnjëherë. Na ish një ishull i vogël mes një mali të madh, ku jetonin krejt ndjenjat dhe vlerat e njerëzimit: gëzimi dhe disponimi, mirënjohja dhe dashuria. Dhe ishte aty një kishë, tejmatanë shungullimës së Përroit të Kishës, ku lutej shqip, flitej shqip dhe shkruhej shqip. Se ç’u bë me kishën dhe kumbonaren e saj të prurë nga Roma, zëri i së cilës dëgjohej deri në grykë të Grupçinit, kjo mbetet për t’u parë. Mbeten për t’u parë edhe varret e të parëve tanë, dhe emri i parë i katundit, nga i cili pasoi sllavizimi i tij: Shipkovica.

Të gjitha këto sot duken si një përrallë, përralla për fshatin që s'e pin rakinë. Shipkovica me fshatrat e tjera shqiptare të Malësisë së Sharrit përfshin një periudhë bimilenare prej pesë shekujsh atestimi dokumentar. E shtrirë në zemër të Sharrit, e përmendur për herë të parë në dokumentet osmane të Mesjetës, ajo përfshin pesë shekuj të historisë që reflektojnë aspekte politike, ushtarake, diplomatike, kombëtare, fetare dhe kulturore, evenimente e ngjarje që ndërlidhen ngushtë me zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë shqiptare.

Kundruar përnga sentimentalizmi i dashamirëve të saj, Shipkovica është lulja që sjell lumturi. Ajo është rruga, e vërteta dhe drita. I themi këto duke u bazuar në konsiderata personale, ngase kemi patur fatin të lindim atje. Megjithatë, drita ka edhe anën tjetër të medaljes, që nuk është dritë, por mjerim ballkanik. Ku është pallati i kulturës! Ku janë fabrikat, bibliotekat dhe diskotekat e fshatrave tona! Ku janë ata që s’janë! Kemi shkelur në mijëvjeçarin e tretë dhe ende na mundon mungesa e unitetit, egoizmi, krenaria e ekzagjeruar dhe xhelozia, gra të fshehura dhe çajtore të mbushura me burra, asnjë kinkaleri për shitje gazetash, shtatë milionë shqiptarë të shpërndarë në gjashtë shtete. Nuk drejtohen brirët e dashit me këta njerëz, na thot Efraim Tasini.

Defetizminin e tij mund ta zëvendësojmë me optimizëm, po qe se e përvetsojmë atdhetarizmin e amerikanëve e të hebrenjve, duke marrë për shembull shembujt e librave të shenjtë. Shqiptarëve u mungon strategjia e gjermanizmit të ambientit shqiptar. Kështu mendon Havzi Omeri, shqiptari që ka hapur kuletën për përkrahjen e kauzës kulturore dhe sociale të katundit shqiptar e të kombit shqiptar. I jemi mirënjohës dhe ne, ngase mirënjohja është një lule e rrallë e cila nuk rritet në kopshtin e çdokujt. Shëndeti i shpirtit qëndron në punë. Mendimet tona janë të thjeshta, të qarta e bindëse: së pari desovjetizmi i republikës, pavarësia e Kosovës dhe mirëqenia e popullit, pastaj bashkimi i trojeve shqiptare dhe integrimi i tyre në Europë, me kufinj të hapur dhe me një ekonomi të lulëzuar (2001).

Katundi ku Zoti është shqiptar

Kush don të shkruajë për figurat tona legjendare, le të urdhërojë në Shipkovicë! Aty do ta gjejë zemrën gjeografike të atdheut, fshatin e fëmijërisë, shembujt e librave të shenjtë, kështjellën shpirtërore të shqiptarizmit. Shikuar shikuar për nga aspekti romantik, dielli për krejt shqiptarët lind në Shipkovicë. Shipkovica është vatra e krenarisë dhe e lavdisë sonë kombëtare, një zonë e përbujshme me rrënjë të thella në historinë e shtatë milionë shqiptarëve të Ballkanit, katundi i shqiptarëve që presin ndihmë nga Perëndimi. Kushdo që merr rrugën për në Shipkovicë, do të kuptojë se Rexhep Voka e mundi sulltan Abdylhamitin duke ia bërë më dije se është i padëshirueshëm për kombin shqiptar. Aty do të kuptojë se Ali Voka i përvetësoi bjeshkët shqiptare të Sharrit, se Xhemajli Arifi e mbante mend Ismail Qemalin, se Lazim Rexhepi i shkruante Kurt Vald Heimit për diskriminimin e shqiptarëve të Kosovës, se Xhelal Gjura ua kallte datën udbashëve të Shkupit, se rrugës për në Shqipëri, Sadudin Gjura i la eshtrat tejmatanë Lerës së Veshallës, atje prej nga duken bjeshkët më të bukura në botë, që janë bjeshkët shqiptare të Sharrit, për të cilat një gazetar i huaj do të shkruajë: Mbi ne madhështore ngriheshin majat e zbardhura me borë të Malit të Sharrit, të zemrës së Dheut Shqiptar (Urosh Shkerl Kramberger). Shipkovica ka qenë dhe ka mbetur vendstrehimi i Perëndive të Shqipërisë. Është fshati i Muhamet Xhelilit që e fisnikëronte bibliotekën e vet me veprat e Sami Frashërit, vendlindja e Isak Nexhipit që e përcjellte postën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit duke e fshehur korrespondencën në samarin e mushkave të tij.

Fshati ku Zoti është shqiptar është vendlindja e Ajvaz Vokës që e solli radio-lidhjen e parë nga Bukureshti në zemër të Sharrit, shqiptari që dëgjonte Zërin e Amerikës në Shipkovicë dhe shkonte në këmbë deri në Tetovë për ta blerë një gazetë shqipe. Ka nevojë edhe për argumente tjera? Pse jo! Shipkovica është fshati i Aurelias së shenjtë të Transilvanisë që e përvetësoi gjuhën shqipe brenda një nate, natën kur edhe iu kujtuan në Bukuresht vargjet e para të një kushtrimi të shenjtë: Rrnoftë Shqipëria dhe na ndihmoftë Perëndija! (1932). Katundi i fëmijëve të saj është vendlindja e Fran Kolës, Tasin Vokës, Rahim Nezirit, Iljaz Kamberit, vatra e luftëtarëve të lirisë, vendadmirimi i mendimtarit të shquar shqiptar, Arbën Xhaferi. katundi i ambasadores së parë shqiptare të Maqedonisë (Mirie Rushani), vendlindja e Mavruz Ymerit që solli për herë të parë Mustangun e Amerikës në Maqedoni, fshati i një varg deputetësh e arkitektësh të aspiaratave shqiptare për qytetërim, vendlindja e zëvendësdrejtorit të parë shqiptar të doganave të republikës (Xhever Ymeri), katundi i Kadri Vokës që ekspeditoi ndihmat e para për refugjatët e Kosovës (1999), vendstrehimi i luftëtarëve të lirisë që dhanë kontribut për desovjetizimin e republikës, vend i bekuar nga misionarë të lartë të NATO-s dhe Bashkësisë Europiane, i vizituar dhe admiruar edhe nga kosovari i Arizonës (Hajro Hajra), apo nga poeteshat Vitore Leka, Radije Hoxha, Sadije Aliti, Flutura Açka.

Shipkovica e Suno Abdullahit, Rexhep Ramizit dhe Mehaz Abdylit, e Abdulla Memetit dhe Iljaz Ibishit, e Mumin Danit dhe Mahi Dullës, e Xhemalidin Gjurës dhe Ismail Iljasit, është fshati që dha disa dëshmorë dhe qindra vjet burg për mbrojtjen e identitetit kombëtar, katundi që ngriti inisiativën për themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, për themelimin e Universitetit të Tetovës, për botimin e Shqiptarit në Bukuresht dhe Shqiptares në Tetovë, për botimin e Vlerës dhe Ylberit, fshati që dha kontribut për ngritjen e shtatores së Naim Frashërit te këmbët e Sharrit, katundi që kontribuon për afirmimin e komunitetit shqiptar të Rumanisë, për mbrojtjen e Kosovës në Kosovë dhe diasporë, oazë shqiptare e mbrujtur me atdhetarizëm e qytetërim, me moral, dinjitet dhe unitet, me aftësi e përgjegjshmëri.

Por, ajo që është më me rëndësi është kërkesa e kahershme e katër kalemave të Rexhep Vokës, përmes të cilëvet Shipkovica qysh para një shekulli kërkonte krijimin e Shteteve të Bashkuara të Shqipërisë, përkatësisht bashkimin e katër vilajeteve shqiptare, që ta përkujtojnë faktin se që nga Kosova e deri në Çamëri ka vetëm një Shqipëri. Po qe se e kuptojmë demokracinë si një doktrinë politike që e stimulon punën, respektin ndaj Zotit, familjes, flamurit dhe atdheut, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shteteve të Bashkuara të Evropës, vjen dita kur shqiptarët përmes shpirtit të tyre të florinjtë, mund t’i krijojnë edhe Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë, jo me dhunë, por me punë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat