Shkup – promovimi i monografisë së Profesor Enver Bytyçi në Universitetin “Nënë Tereza”!

Kultura

Shkup – promovimi i monografisë së Profesor Enver Bytyçi në Universitetin “Nënë Tereza”!

Nga: Amir Shabani Më: 11 tetor 2023 Në ora: 11:17
Foto nga vendi i ngjarjes

Dje (e martë 10 tetor), në hapësirat e reja të Universiteti "Nënë Tereza" në Shkup, kisha nderin të jem pjesëmarrës në promovimin e librit me titull "Gjeopolitika Ruse në Europën Lindore dhe Juglindore" të autorit të mirënjohur nga Republika e Shqipërisë, Prof. Dr. Enver Bytyci. Fjalën e hapjes e mbajti rektori i Universitetit „Nënë Tereza“, Profesor Doktor – Akademik Izet Zeqiri.

Ndërsa për përmbajtjen e librit foli me një kompetencë të admirueshme zoti Agim Nuhiu, zv. Ministër i Arësimit në Republikën e Maqedonisë! Autori i librit Prof. Dr. Enver Bytyçi na frymëzoi të gjithë të pranishmëve që ta shtojmë ambicien për dijen, pa menduar se saktësisht ku do të arrijmë, ngase ndodh të arrijmë përtej asaj që e kemi menduar, sepse vetëm kështu ne mund të forcohemi dhe bëhemi aktorë, faktorë dhe të ndikojmë në gjeopolitikën e Ballkanit dhe ta imponojmë gjeopolitikën tonë me gjeopolitikën tjetër.

Ai këtë e shprehu duke e argumentuar me veten e tij, pasiqë librat e tij janë prezente në 39 shtete të botës në rreth 2000 librari, si dhe janë botuar/përkthyer edhe në anglisht në qendrat më prestigjioze universitare, si në: Harvard, Cambridge, Berlin etj. Profesor Bytyçi elaboroi edhe idenë dhe përkushtimin e këtij botimi shkencor ku tha se "për të shkruar këtë libër, kam nisur kur Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe filloi konflikti, nga ai moment fillova arkivimin duke përmbledhur materiale dhe literaturë faktike gjithçka çka nevojitet për ta shkruar këtë libër.

Image
Foto nga vendngjarja

Ngase për ta shkruar një libër dhe të bësh diçka të mirë, nuk mjafton vetëm të ulesh në tastierë por duhet një punë kolosale, të grumbullosh, skicosh me qëllim që të realizosh diçka profesionale dhe thelbësore.

"Ky libër flet për Rusinë dhe historinë e saj si një fuqi e madhe, një libër për gjeopolitikën ruse në Lindje dhe Juglindje të Europës, para së gjithash një libër që analizon situatat e krijuara në Ukrainë dhe më parë në Gjeorgji nga ndërhyrja ushtarake e Moskës, është rriskant në kuptimin e plotë të kësaj fjale.

Image
Foto nga vendngjarja

Ndërkohë që rriskant është edhe përqasja e ndikimit dhe influencës ruse në Ballkan, i cili është pjesë e rëndësishme e Europës Juglindore. Rrisku i të shkruarit të këtij libri nuk buron vetëm nga përballja me politikat e një vendi të madh, si Rusia, por më së shumti nga fakti se në Shqipëri, e në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor prezenca ruse vijon të jetë domethënëse.

Kjo prezencë në kohët e sotme të integrimeve rajonale dhe euro-atlantike në shumë raste është e padukshme, e fshehur në kulisat politike të liderëve politikë të vendeve të rajonit tonë, por edhe në medie, organizatat joqeveritare e deri në shërbimet sekrete. Takimi i shkurtë me Prof. Dr. Enver Bytyçin ishte mbresëlënës dhe ajka e tërë këtij evenimenti ishte edhe marrja e një kopjeje të librit me nënshkrim nga vetë autori. Profesorit i dëshiroj shëndet dhe mbarësi në jetë, si dhe shumë energji për ta pasuruar literaturën shqiptare me tematikat që akoma kemi nevojë t'i dijmë dhe mësojmë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat