Doli nga botimi “Antologjia e poetëve të Gjakovës”

Kultura

Doli nga botimi “Antologjia e poetëve të Gjakovës”

Nga: Tahir Bezhani Më: 18 tetor 2023 Në ora: 08:24
Foto ilustrim

Sot doli nga botimi “Antologji e Poetëve të Gjakovës” nga autori z. Iliaz Bobaj, i cili jeton dhe vepron në Patra , Greqi, njëri ndër kontributdhënësit më të shkëlqyer nga mërgata jonë për kulturën dhe letërsinë shqipe. Pos të qenit poet e krijues i mirënjohur gjithandej trojeve tona, Iliaz Bobaj, është njëri ndër përkthyesit më të spikatur nga shqipja në greqisht dhe anasjelltas. Antologjia e sapo botuar me 322 faqe, tani me punën e palodhshme dyvjeçare te autorit Iliaz Bobaj, denjësisht para opinionit grek, paraqet një pjesë të kulturës sonë letrare me të cilën plotësohet vakumi i njohurive të ndërsjellta mes dy popujve të këtyre trevave ballkanike.

Në këtë antologji, autori Iliaz Bobaj, ka përfshirë gjithsej 23 poetë, siç e quan ai, “nga kryeqyteti i poezisë shqipe,” duke vlerësuar kualitetin dhe cilësitë letrare të krijuesve buzë Çabratit legjendar .

Natyrisht, se në këtë antologji, prijnë poetët e nivelit kombëtar si Din Mehmeti ,Ali Podrimja, Teki Dervishi, Besim Bokshi etj. të cilët janë krenaria dhe ajka e letërsisë shqipe.

Poeti e redaktori i “Antologji e Poetëve të Gjakovës,” z. Muharrem Kurti, ndër të tjera ka cekur në parathënie se “në këtë antologji kemi autor stilesh të ndryshme, individualitete krijuesish elitar, kemi figuracion poetik mjaft të zgjedhur, cilësi të vargimit modern etj..”

Botimi i kësaj vepre madhore doli nga shtypi mu në pragun e Mitingut të Poezisë, të 59-tin me radhë, i cili do mbahet me 20 tetor 2023. Ky botim do e begatojë manifestimin poetik, në qytetin e poezisë, Gjakovën krenare, ku dashamirët e këtij arti janë të shumtë.

Në parathënien e kësaj antologjie, nga redaktori z. Muharrem Kurti, lexojmë një “kuriozitet” ku ndër të tjera shkruhet: “Drejtoria për Kulturë e Kuvendit të Komunës së Gjakovës, me arsyetim banal, nuk mbështeti botimin e autorëve jashtë Gjakovës, ndërkohë që autorët e antologjisë ishin të këtij qyteti, më të mirët e mundshëm....”,thuhet në parathënie. Megjithatë, botimi i kësaj vepre u arrit, duke e financuar autorët, pjesë e kësaj antologjie.

Palëkundshëm vlen të ceken meritat e autorit Iliaz Bobaj, i cili çfarëdo që shkroi, përktheu e botoi për Gjakovën, kurrë nuk e kërkoi përfitimin e punës, mundin dhe angazhim e tij në kohë të gjatë. E kjo nuk është hera e parë. Vlen të cekim edhe librin për Ali Podrimën e madh në disa dhjetëra faqe. Për kontributin madhor të z. Bobaj, përherë e gjithmonë do jenë mirënjohës qytetarët e Gjakovës dhe krijuesit letrarë të këtij qyteti historik. Iliaz Bobaj shpesh e përsërit thënien se “ Gjakovën e kam qytetin e dytë të vendlindjes!....”

Për botimin e kësaj vepre, vlerësim meriton edhe kryetari i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, z. Muharrem Kurti, i cili me angazhimin e tij disavjeçar, ka qëndruar i papërkulur karshi problemeve të kohës..Për botimin e “Antologji e poetëve të Gjakovës”, më autor Iliaz Bobaj, i përgëzoj të gjithë dashamirët e fjalës së shkruar të Gjakovës sonë historike!

Kjo vepër ka rëndësinë dhe peshën historike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat