Botimi i ri: Ymrije Beqiri "77 Lulëkuqe lirie"

Kultura

Botimi i ri: Ymrije Beqiri "77 Lulëkuqe lirie"

Nga: Zymer Mehani Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 08:59
Kopertina e librit

Monografi për fëmijët e komunës së Vushtrrisë, të vrarë gjatë luftës së Kosovës 1997-1999

KOSOVA DHE VUSHTRRIA GJATË PERIUDHËS SË LUFTËS 1997-1999

1.

Ymrije Beqiri tashmë veç është nga ato autore të njohura, që në letërsinë shqipe njohët me përmbledhjet poetike, me monografi e me një roman. Tani kësaj laryshie zhanrore, ajo po ia shton edhe monografinë për fëmijët e komunës së Vushtrrisë, të vrarë gjatë luftës së Kosovës 1997-1999, t titulluar “77 lulëkuqe lirie”, dhe s’do të gabonim fare, po të thoshim se ajo, kësofare, tashmë, në horizontet e letërsisë dhe të publicistikës shqiptare ka hyrë me fizionominë dhe profilin e vet të përcaktuar dhe të kristalizuar, qoftë me tematikën e motivet, qoftë me mënyrën e të shkruarit (stilin), apo qoftë edhe me zhanret që i kultivon.

Lufta dhe fëmijët

(Gjithsej 1,024 fëmijë janë vrarë në luftën e Kosovës, ndërsa 109 rezultojnë ende të zhdukur, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë).

2.

Në luftërat e ish-Jugosllavisë, gjatë viteve 90, civilët u bënë viktima të përndjekjeve, të dhunës e të vrasjeve prej njësive policore, ushtarake e paramilitare dhe subjekt shkeljesh të rënda të të drejtave dhe lirive të njeriut, të parapara në traktate e konventa ndërkombëtare.

Duke u nisur nga ky fakt i pakontestueshëm, shkrimtarja vushtrriase, Ymrije Beqiri vendosi t’i rreket punës për të hartuar një monografi për fëmijët e komunës së Vushtrrisë, të vrarë gjatë luftës së Kosovës 1997-1999.

Në Kosovë, nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000 u vranë (apo u zhdukën) gjithsej 13,518 njerëz, në mesin e të cilëve pati edhe fëmijë.

Sipas të dhënave të KMLDNJ-së, të botuara edhe nga autori tashmë i ndjerë, Ferit Dibrani, të cilit i referohet autorja e monografisë “77 lulëkuqe lirie”, Ymrije Beqiri, gjatë luftës 1998 – 1999, në Vushtrri me rrethinë, pushteti fashist serb i Sllobodan Millosheviqit vrau 750 shqiptarë (në këtë numër përfshihen edhe të vrarët në Vushtrri nga komunat e tjera); 116 shqiptarë llogariten të zhdukur; u ekzekutuan 44 fëmijë; u zhdukën 12 fëmijë shqiptarë; u masakruan 33 nxënës dhe 10 arsimtarë; u vranë 101 femra; u plagosën 484 shqiptarë; u hapën 22 varreza masive; u kryen gjashtë masakra masive (Studime, Vushtrri, Rreznik, Ashlan, Duboc, ndaj familjes së Selatin Gërxhaliut); nga shtëpitë e tyre u dëbuan 70.000 shqiptarë; në burgun e Smrekonicës, u mbajtën të burgosur rreth 3000 persona; nga vrasjet e pushtetit serb, mbetën jetimë 1671 fëmijë shqiptarë; u dogjën e u shkatërruan mbi 9000 shtëpi banimi dhe mbi 2000 objekte tjera përcjellëse; u dogjën e u garantuan 24 shkolla, 6 xhami, 15 objekte shëndetësore, 208 dyqane zejtare, 38 dyqane hoteliere, 9 biblioteka me 48.180 libra; u plaçkitën qindra- mijëra deviza (marka – vlerë monetare gjermane e kohës së luftës), flori e stoli të ndryshme.

E këtyre të dhënave, autorja Ymrije Beqiri ua shton edhe numrin prej 77 fëmijësh të vrarë në komunën e Vushtrrisë gjatë luftës së Kosovës 1997-1999. (Në këtë numër përfshihen edhe fëmijët e komunës së Vushtrrisë që u vranë në vende tjera të Kosovës, si dhe fëmijët e komunave tjera, që u vranë në territorin e komunës së Vushtrrisë).

Dëmet financiare të luftës në Vushtrri me rrethinë janë 767.223.287, 00 DM, apo rreth 400.000.000 euro.

Pos dëmeve njerëzore, kudo në Kosovë lufta përhapi frikë e terror, solli dëbime masive, plaçkitje dhe shkatërrim të arkitekturës, dëme materiale prej rreth 22 miliardë eurosh, pengmarrje, burgosje e keqtrajtime, vjedhje ose tjetërsim të fondeve pensionale, të dokumenteve kadastrale, të pasurive arkeologjike dhe muzeore, etj., të aplikuara si mjete lufte.

Autorja Ymrije Beqiri me të drejtë konstaton se nga terrori i luftës nuk u kursyen as fëmijët, të cilët u vranë, u rrëmbyen dhe u zhdukën (individualisht ose në grupe); u dëbuan nga shkollat dhe shtëpitë; u sulmuan me bomba nga toka e qielli; u rrahën, u torturuan dhe u (për)dhunuan; u rrëmbyen ose u vranë në spitale; u hodhën në puse e ujëra për t'i fshehur krimet ose për t'i helmuar ujërat; u dogjën në shtëpitë dhe objektet private; u gjymtuan dhe u vranë në zona të minuara gjatë dhe pas luftës.

Gjatë kohës së eskalimit të luftës në vitin 1998, e posaçërisht në periudhën pas fundit të muajit mars 1999, thotë autorja Ymrije Beqiri, pësimet e fëmijëve shqiptarë ishin të shpeshta dhe mjaft të mëdha. Ajo konstaton se ndër aspektet më barbare të forcave paraushtarake, ushtarake e policore serbe, janë vrasjet me paramendim të fëmijëve shqiptarë. Vajzat e reja janë dhunuar, ndërsa fëmijët janë vrarë, sepse shiheshin si luftëtarë potencialë të UÇK-së.

Një grua e përshkruan se si ka dëgjuar pjesëtarin e njësive paramilitare, i cili ka thënë se duhet të vriten të gjithë fëmijët, sepse këta, nëse rriten, do të hakmerren. (Analiza e OEBS Verifikacione misije Kosova, v. e c, fq. 126).

Gjatë hulumtimit të literaturës që bën fjalë për periudhën e luftës së Kosovës 1997-1999, autorja Ymrije Beqiri, ka gjetur mjaft fakte e dëshmi se fëmijët dhe gratë, gjatë atyre viteve masakroheshin dhe ekzekutoheshin nga forcat serbe sikurse të rriturit. Ka shumë raste kur fëmijët janë vrarë në mënyra më mizore. Madje, janë masakruar edhe foshnjat e palindura, në bark të nënave. Kishte raste kur fëmijët merreshin pengë për përfitime materiale, ndërsa disa fëmijë femra ende të mitura janë dhunuar.

Vrasjen e fëmijëve të shumtë e dëshmon numri i madh i fëmijëve të vrarë në regjistrin e personave të vrarë dhe të masakruar nëpër tërë Kosovën.

Fëmijët shqiptarë ishin në shënjestër të policisë serbe me motivacionin se ata ishin “armiq të ardhshëm të Serbisë”.

Vrasja e personave është bërë në mënyrë individuale ose masive, thotë autorja e librit në fjalë. Ndër modalitetet e posaçme të gjenocidit të ushtruar ndaj popullatës shqiptare ishte edhe vrasja masive e anëtarëve të familjes, në mesin e të cilëve ishin shumë fëmijë, ku kishte edhe të rinj, gra, të moshuar dhe të tjerë. Ato ishin vrasje të qëllimta dhe janë kryer pothuajse në të gjitha rastet brenda shtëpisë.

Në komunën e Vushtrrisë nga janari i vitit 1998 deri më 12 qershor 1999 janë vrarë 455 banorë, 68 dëshmorë dhe llogaritet se janë të pagjetur 42 persona. Në total numri i viktimave është 565.

Lufta e Kosovës (1998/99) shënon kulmin e një çmendurie njerëzore, e cila u karakterizua nga një gjenocid dhe pastrim etnik i planifikuar serb. Barbaria e saj u ngrit mbi dëbimin me përmasa biblike, të popullsisë shqiptare nga vatrat e veta, duke përdorur të gjitha llojet e dhunës që nga masakrimi i fëmijëve, pleqve, grave, dhunimi i femrave të moshave të ndryshme, ekzekutimi, varrezat masive, e deri te plaçkitja e djegia e shtëpive, helmimi i ujit të pijshëm, vrasja e bagëtisë, djegia e drithërave, e bibliotekave, rrënimi i kulteve fetare e të varrezave, grisja dhe zhdukja e dokumentacionit identifikues dhe atij të kadastrave etj.

Më 24 mars 1999, ndërsa avionët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior nisën fushatën e bombardimeve mbi Republikën Federale të Jugosllavisë, sytë e të gjithë botës u kthyen nga Kosova. Fillimi i luftës ajrore kundër Jugosllavisë ishte gjithashtu fillimi i periudhës më të përgjakshme në Kosovë qysh prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Në të 12 javët e mëpastajme, ushtria, policia e paraushtarakët jugosllavë dëbuan nga Kosova më shumë se 850 000 shqiptarë etnikë dhe nxitën shpërnguljen e brendshme të disa qindra mijëra të tjerëve. Shumë prej tyre, tek detyroheshin të linin shtëpitë e tyre, u grabitën e u rrahën, ndërsa shtëpitë plaçkiteshin e digjeshin. Një numër i madh grash u përdhunuan. Mijëra burra u ndaluan, dhe shumë prej tyre u ekzekutuan, e në disa raste së bashku me gratë, fëmijët e të moshuarit, ndonëse numri total i civilëve të ekzekutuar është ende i paqartë. Në më shumë se 12 varre masive, forcat qeveritare u përpoqën të maskojnë dëshminë e trupave të shkatërruar e të sakatuar. Fushata e egër kundër civilëve shqiptarë u ndal vetëm pas tërheqjes së ushtarëve jugosllavë, policëve e paraushtarakëve serbë dhe pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, më 12 qershor 1999.

3.

Në të gjitha qytetet e Kovës fëmijët s’ishin kursyer fare gjatë luftës

Nga gjithsej 11.840 të vrarë shqiptarë në Kosovë gjatë luftës së fundit që ka përfshirë periudhën mars 1998 qershor 1999, në mesin e tyre llogariten të vrarë 1.392 fëmijë apo 11% nga viktimat totale kanë qenë fëmijë. Edhe më i dhimbshëm rezulton fakti se në mesin e 1.392 fëmijëve të vrarë, 296 prej tyre kanë qenë nën moshën 5 vjeç. (Edhe 40 fëmijë SHQIPTARË janë vrarë në periudhën e vitit 1981 – 1997, që bëjnë gjithsejt 1432).

“Në shumë vendbanime është hasur vrasja e fëmijëve në djep, pastaj vrasja në duart e nënës, vrasja dhe pastaj djegia e tyre. Në vendbanimet, ku popullata është strehuar nëpër male, janë hasur raste të masakrimit për së gjalli të fëmijëve, pastaj vrasja e nënave shtatzëna”-thotë autori Jusuf Osmani në librin e tij ‘Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë 1998 – 1999’.

Vetë fakti se u vranë 1.392 fëmijë, dëshmon se krimet e Serbisë, të kryera në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998 – 1999, janë gjenocid, i cili në Kosovë ka qenë një ndërmarrje e organizuar, e planifikuar dhe e realizuar nga shteti serb, përmes forcave ushtarake e policore, organeve shtetërore dhe udhëheqësve zyrtarë shtetërorë e ushtarakë.

.

Në Besianë, Zymer Mehani, më 18 tetor 2023

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat