Krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë

Kultura

Krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë

Nga: Baki Ymeri Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 22:49
Remzi Basha

Çdokush që i rikthehet lashtësisë enigmatike shqiptare, betejave të lavdishme të Skënderbeut, rilindësve tanë, Vlorës kreshnike të 28 Nëntorit dhe Kosovës legjendare të 27 Shkurtit, do të konstatojë se historinë tonë e fisnikërojnë shembuj të shkëlqyer të shqiptarizmit. Familja, flamuri, gjuha e kombi janë fenomene të shenjta. Hymni kombëtar dhe Flamuri Shqiptar janë sintagma që ndërlidhen me atdheun dhe frymëzimet e atyre që dinë të ndjekin në jetë një ideal të lartë. Atdhetarë të përkushtuar janë ata që dinë t’i frymëzojnë gjeneratat e reja me vepra konkrete në shërbim të shqiptarizmit dhe respekt ndaj simboleve të kombit. Duke qenë ndër më të vjetrit dhe më të bukurit në Europë, flamuri ynë është dëshmi historike dhe simbol i shenjtë që duhet të duhet, të ruhet dhe mbrohet, me dashuri, vigjilencë dhe trimëri. Jemi një popull i mrekullueshëm, në të gjitha pikëshikimet. Askush nuk mund ta harrojë heroinën e Prishtinës që hidhet nga ballkoni mbi tankun e okupatorit serb, e mbështjellë me flamurin tonë të shenjtë. “Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”, ka thënë Enveri që e donte Kosovën dhe e shkretëronte Shqipërinë. Historia shqiptare është e shkruar me gjak. I panumërt është numri i atyre që ranë nën hijen e flamurit, duke dhënë jetën për një ideal të shenjtë: për ritkthimin e trojeve stërgjyshore në trungun natyror të Shqipërisë historike. Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë (28 Nëntor 1912), ishte shprehja simbolike e shpalljes së Pavarësisë, krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë.

Simbol i flijimit, qëndresës, bashkimit dhe ardhmërisë

Poetët tanë i kanë kushtuar qindra vjersha këtij simboli të bukur, që nga rilindësit tanë e deri te shkollarët e ditëve tona. Asdreni i pavdekshëm, që kur e pa të qëndisur nga Spiridon Iloja në Bukuresht, e konsideronte flamurin si “engjëll i lirisë”, “engjëll i shpëtimit”. Patrioti korçar, Dhimitër Kristo Rëmbeci, qysh më 1934 i drejtohet kësaj vlere kombëtare me këto fjalë: “O Flamuri i Shqipërisë/ me Shqiponjën e Lirisë/…/ Ku ke qenë do të jesh/ Në Kosovë do të vesh/ Tjetër flamurë të rrëzosh/ Vetëm tinë të valosh”. Ibrahim Guri i Shipkovicës e parandjente se do të vijë koha kur “Flamuri i Shqiptarit/ Do të valojë, edhe në majë të Sharrit”. Eseistët tanë kanë shkruar për kultin e tij duke e konsideruar si “simbol i flijimit”, “simbol i qëndresës”, “simbol i bashkimit”, “simbol i ardhmërisë”. Sivëllezërit tanë e kanë skalitur shqiponjën e tij në banknota, emblema, ballina godinash, tagra automjetesh, pulla e kartolina postare, ballina revistash, duke botuar madje edhe gazeta me emrin e tij. Po i përmendim vetëm disa: Fiamuri i Arbërit (La Bandiera dell’Albania), e përmuajshme që e drejtonte në gjuhën shqipe Jeronim de Rada në Kozencë të Italisë (1883-1887); Flamuri i Shqiperis(La Bandiera Albanese), e drejtuar prej prof. Gjusepe Skiros, në Napoli, më 1904; Flamuri, fletore e përjavshme, që e drejtonte Faik Konica në Boston, më 1910, me moton “Vetqeverim për Shqipërinë”, me Kryefjalën “Shqipëria për Shqipëtarët” dhe me Porosinë “Mos harroni Skënderbenë, Bashkimin, Krujën, Flamurin!”. Flamuri’ i Shqipërisë (1915), gazetë politike e shoqërore, organi shqiptarëve të Rumanisë që dilte në Konstancë me moton: “Kudo që vete/ Kudo që të jesh/ Mëndjen për Shqipëri ta kesh!”. Gazeta botohej me një mision të lartë patriotik, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të shtetit shqiptar, duke pasqyruar, paralelisht me këtë, edhe veprimtarinë e atdhetarëve të mërgimit. Vijnë pas saj: Flamuri, e përjavshme politike, ekonomike dhe letrare., e drejtuar në Tiranë, më 1922, prej Kristo Luarasit; Flamuri, organ i organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, e përdyjavshme politike, Tiranë, 1944, apo Zani i Sharrit, që e hymnizonte këtë simbol të atdhedashurisë, qysh në vitin 1944, kur delte në gjuhën shqipe në Tetovë, në kuadrin e Shtypshkronjës “Përparimi” (Rruga Naim Frashëri, Nr. 27), duke patur për drejtor-përgjegjës, atdhetarin Shuajib Kamberi. Pasojnë para dhe pas çlirimit dhjetra gazeta e revista tjera me flamurin në ballinë si Besa e Stambollit, Shqiptari i Bukureshtit, revista Kuq e Zi e Brukselit ejt.

Patriotizmi nuk këndohet por dëshmohet

Malësorët e Kosovës digjen për komb dhe atdhe, për nder dhe flamur. Meqë jemi nga këto troje të vaditura me gjak shqiptari, mos të harrojmë faktin se veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare me prejardhje tetovare, si Garip Dema, Shaban Xheladini, Nexhbedin Voka, Rafi Halili, Gafur Loku, Nesim Rushiti, Rahim Neziri e qindra atdhetarët të tjerë, dënohen me burg të rëndë nga autoritetet pansllaviste të Shkupit, për ngritjen e flamurit kombëtar në Tetovë, Pirok, Sellcë, Shipkovicë e gjetiu. Dhe sa e sa të tjerë, që nga bashkëluftëtarët e Skënderbeut, të Dervish Carës, Themistokli Gërmenjit, Isa Boletinit, Bajram Currit e deri te ata të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ranë në fusha të betejës për këtë flamur, duke u bërë simbole të krenarisë shqiptare, shembuj frymëzimi për gjeneratat e reja. Emri i tyre u bë flamur, ngase ata u lindën, u edukuan, u rritën dhe u shuan për mëmëdhenë, duke qenë gjithmonë në shërbim të shqiptarizmit. Mund të kesh pasuri të patundur. Mund të kesh nam shtëpishë e nam parashë, fëmijë të bukur dhe limuzina të lazdëruara, por më kot e ke nëse s’ke bërë gjë për kombin tënd, për të cilin, siç shprehej një banor i thjeshtë i Sharrit (Mahi Dulla), “Kur vjen fjala për komb dhe atdhe, jam në gjendje ta kalli veten mu në mes të fshatit”. Patriotizmi nuk këndohet por dëshmohet.

Të jesh patriot don të thotë të parazitosh po qe se qeveria ta ka dhënë një post të lartë, të gllabërosh buxhetin e shtetit apo t’i duash formalisht prindërit, familjen dhe atdheun. Jo vetëm ti duash, por edhe ti ndihmosh, të punosh e të flijohesh për ta, po qe se paraqitet nevoja. Rilindësit tanë digjeshin për Shqipërinë. E donin me zjarrin e zemrës Shqipërinë dhe flamurin e Saj, duke e ruajtur gjuhën e shenjtë amtare, kudo që i hidhnin dallgët e jetës. Të këtillë i kemi sot, edhe sivëllezërit tanë në diasporë. Para dhjetë vitesh, në malet e Sharrit qëndronin perënditë e Shqipërisë, bijtë dhe bijat më të zgjedhura të popullit, që edhe sot i kemi atje, siç i kemi patur, që nga lashtësia. Në malet e Sharrit e të Karadakut, në Drenicë, në Therandë, në Sllupçan e Shipkovicë, në Tanushë, Poroj e Radushë, dhe në qindra lokalitete tjera shqiptare, shpërtheu shqiptarizmi. Shpërtheu vrrulli i shqiponjave me flamur në dorë, dhe me trimëri në zemër. Askush nuk mund t’i harrojë ato ditë heroike, kur shqiptari diti t’i bëjë ballë botës barbare, kur vullneti i burrave i shkulte malet. Zoti i mbronte ata që përkujdeseshin për shpirtin e kombit, në ato çaste të paharruara, kur parakalonin ushtarët e lirisë, duke patur në ballë flamurtarë të togës, flamurtarë të brigadës, flamurtarë të bataljonit, sokolat dhe sokoleshat e shqiptarizmit, ata që presin me padurim që pas një viti, ta festojmë së bashku, të bashkuar nën flamurin e Shqipërisë historike, 100 vjetorin Pavarësisë.

BOX

Sipas historiografisë, i përkushtuar tërësisht në çështjen kombëtare, gjatë muajve tetor-nëntor 1912, në një nga periudhat më delikate që po kalonte Shqipëria, Ismail Qemali ndërmorri një turne në kryeqytetet europiane. Pasi siguroi mbështetjen e duhur nga Fuqitë e Mëdha, thirri Kuvendin Kombëtar në Vlorë dhe, më 28 nëntor 1912, Shpalli Pavarësinë e Atdheut të tij, duke kurorëzuar përpjekjet dhe aspiratat shekullore të popullit shqiptar. Nga Kuvendi i Vlorës u zgjodh njëzëri Kryetar i Qeverisë së parë shqiptare. Në kushte mjaft të vështira politiko-ekonomike, drejtoi për 14 muaj Qeverinë e Vlorës, e cila kreu “në mënyrë të shkëlqyer detyrat më të rëndësishme historike: siguroi ekzistencën e Shqipërisë së Pavarur; ngriti shtetin e ri shqiptar; përcaktoi qysh në lindje të Shqipërisë një politikë të jashtme të paqes, neutralitetit dhe ekuilibrave në Ballkan; hodhi themelet e arsimit shqiptar; u bë shprehësja e aspiratave të thella të popullit tonë për zhvillime europiane perëndimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat