Kadare, Nobeli, Grassi

Kultura

Kadare, Nobeli, Grassi

Nga: Sylejman Salihu Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 22:31
Foto ilustrim

Qysh në nëntorin e vitit 1978, kur Ismail Kadare, ishte për vizitë në Kosovë, atëherë kur ishte botuar edhe kompleti i veprave të tij në dhjetë vëllime, një botim mjaft luksoz, që në Shqipëri nuk e kishte pasur asnjëherë deri atëherë, gazetarët e patën pyetur Kadarenë, se „A do të vije „Peshku i Veriut“ në Ballkan, më saktë në Shqipëri, në adresë të Ismail Kadaresë“?

Me „Peshkun e Veriut“ ata sigurisht se kishin menduar "Nobelin". Kadare, kësaj pyetje i ishte përgjigjur me shumë ftohtësi, dhe të duket se ai vetë, nuk e kishte pasur asnjëherë një brengë të tillë. Dhe vërtetë nuk e kishte. Pastaj edhe vetë ai e kishte përmendur nëpër intervista nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Kishte thënë se për të punon çdo vit një lob i fortë dhe gjithmonë është në listën e të propozuarve dhe madje edhe në listën e të parëve.

Kur në nëntor të vitit 2002, Kadare ishte në një turne leximi në Gjermani me romanin e tij „Ura me tri harqe“, që sapo ishte përkthyer në gjermanishte, në qytetin e Bielefeldit gjatë një ndeje tejet miqësore, që ai pranoi ta bënte dhe të rrinte me ne në një rreth të ngushtë të shqiptarëve entuziastë të veprës dhe emrit të tij, nga të cilët isha i nderuar të isha edhe unë pranë, në pyetjen që ia drejtoi njëri nga ne lidhur me Nobelin, ai me shumë ftohtësi dhe madje me një të qeshur , që ishte më shumë një si nënqeshje, tha se ky kishte ende një lob që lobonte për të pandalshëm ndër vite dhe kur vjen puna deri në majë të kupolës, aty shembet çdo gjë dhe „Nobeli“ rrokulliset e bie diku tjetër, për të filluar sërish nga e para deri në vitet e sotme. Pastaj shtoi: „“Nobeli“ nuk është ndonjë gjë e madhe, por ne shqiptarët, që s‘ e kemi pasur, na pëlqen ta kemi të paktën njëherë“. E kuptuam pastaj , madje nga viti në vit, se çmimi ka tashmë edhe konotacione politike, sepse ndonjëherë ai çmim shkon te autorë, që mezi njihen pak ose aspak.

Në një intervistë më përpara ai kishte thënë veç tjerash, se janë vetë shqiptarët, që nuk e duan këtë çmim, sepse në adresë të „Nobelit“ shkojnë shumë letra, por majën e kësaj piramide ia kishte vu, kur një ambasador shqiptar në Suedi, që përfaqësonte shtetin e tij, Shqipërinë , i ishte drejtuar vetë „Nobelit“, duke shkruar zi e terr për shkrimtarin e madh shqiptar si njeri i diktaturës!!! „Nobeli“ vinte deri në prag të portës së Kadaresë, dhe pothuajse kështu vazhdoi , madje edhe këtë vit , që ai të nominohet, por nuk i jepet përsëri çmimi, sepse tashmë ekziston mendimi i bazuar, se nuk është vepra e shkrimtarit, që vlerësohet por shkrimtari dhe „kumbaritë“, që popujt i kanë bërë me Komitetetin Suedez të „Nobelit“, duke anuar politikisht në emra të caktuar. Kështu i kishte ndodhur edhe Kroacisë dhe Sërbisë, atëherë në kohën e Jugosllavisë, kur kroatët e donin çmimin për shkrimtarin e madh Mirosllav Kërlezha, kurse serbët e donin për Ivo Andriçin.

Por diplomacia serbe ngadhnjeu, prandaj çmimin e fitoi shkrimtari Ivo Andriç, edhe pse ai ishte hartues i një elaborati për shfarosjen e shqiptarëve, por që Akademia Suedeze nuk e kishte lodhur mendjen për të sepse politika serbe kishte bërë punën e saj më përpara. Por të kthehemi sërish te Kadare. Një shkrimtar që është përkthyer në mbi 50 gjuhë botërore dhe që propozohet që prej rreth gati pesë dekadash në vazhdimësi për këtë çmim, të cilin dikush edhe e ka refuzuar, mbase me ndonjë arsye, është shumë e habitshme dhe në thelb është krejtësisht tendencioze, që për gati një shekull t‘ i mohohet këtij kalorësi.
*
Një portal shqiptar, këto ditë me dokumente në duar tregon se kundër Ismail Kadaresë në fushë të letërsisë dhe krijimtarisë së tij, që në krye të herës kanë dalë vetë gjirokastritët, madje në thumb ishte poema e bukur për fëmijë „Princesha Argjiro“!Pra e keqja i vinte autorit nga vetë „Qyteti i gurtë“, të cilin ai ia bëri të njohur botës me librin e tij „Kronikë në gurë“. Marr në dorë një libër të Ndriçim Kullës dhe aty gjej një fakt. Ishte njëfarë Lefter Dilo, siç shkruan Ndriçim Kulla, në librin e tij voluminoz „Ylli i shkrimtarit“ (f. 91) i cili i paskësh dërguar një letër sekretares së Komitetit Qendror të PKSH për ideologjinë, Liri Belishovës.

Midis tjerash ky „studiues“ gjirokastrit , në thelb një mediokër, i shkruante asaj:“Kam disa vjet që merrem me një monografi për rrethin dhe qytetin e Gjirokastrës gjatë shekujve, por ca ditë më parë pashë me çudi se poeti i ri Ismail Kadareja boton një poemë me titullin „Princesha Argjiro“, e cila historikisht nuk ka si të qëndrojë më këmbë, duke qenë krejt e gabuar. Gjirokastra nuk u themelua prej saj dhe as që mori emrin e Argjiros“!(92). Sa keq që ky farë Lefteri nuk e paska ditur se shkrimtarët, e kanë kokën plot fantazi dhe i përdorin edhe legjendat popullore për të bërë artin e tyre, duke krijuar metafora dhe parabola poetike?

Pastaj një portal tjetër me Roland Qafokun në " Koha jonë" vazhdon të shpërfaqë edhe një çmenduri tjetër më të madhe, të pashembulltë në llojin e vetë, ku pohon se mbi 45 000 letra të shkruara nga Shqipëria i janë drejtuar „Nobelit“, me kërkesën e çmendur që të mos ia japin çmimin Kadaresë!!! Kjo shifër , që tregon marramendësisht një numër kundërshtarësh antikadareanë , dhe që është aq e madhe , madje më e madhe se një ushtri, të bën të mendosh gjatë se ç‘ ishte kjo yshtje kaq e madhe kundër një gjeniu, që punonte për vendin e tij e ata e kryqëzojnë barbarisht si Krishtin.

Kjo nuk është veçse një çmenduri me brirë!Mbi 45 000 njerëz të çmendur kanë hyrë në një valle të çmendur, që t‘ ia prishin dhe dëmtojnë imazhin vendit të tyre, me autorin , që gjithë bota e do, e që „NE“ vetë nuk e duam!!!Kemi dëgjuar se në kohën kur Kadare iku dhe mori strehim politik në Paris, akuzohej si një shkrimtar „oborrtar“ , duke u goditur, për kinse „oborrtarinë“ e tij në Shqipëri. Kundër Kadaresë në Shqipëri, madje dikujt nuk i ka munguar zelli, që të shkruajë edhe libra, duke gjetur gjithnjë „fakte“ të pandehura, se ai ishte shkrimtar i „oborrit“ dhe se vepra e tij nuk kishte asgjë nga fryma poetike disidente, që ndonjëherë, ndokush edhe ia tejmbathte, sado edhe Kadare, nuk mëtonte asnjëherë të ishte i tillë. Një nga ata, që me durim të madh, kishte rrëmuar në minierën e Kadaresë dhe paska „gjetur“shkrimtarin oborrtar, që i „paska shërbyer pushtetit“, është edhe Kastriot Miftaraj me librin e tij prej 534 faqesh, „Gjyqi intelektual i Kadaresë“. Miftaraj nuk ka lënë gur pa lëvizur në kështjellën e madhe të Kadaresë, vetëm që të gjej „qiqrra në hell“ dhe ta njollosë figurën e madhe të shkrimtarit shqiptar, që kishte hipur tashmë në Olimpin apo Parnasin poetik botëror.
*
Kur më 2022 dola në pension kolegia ime e nderuar dhe mësuese shumë e respektuar Etleva Mançe, bashkë me burrin e saj Fredin , më dhuruan dy libra dhuratë me dedikim familjar. Njëri nga të dy librat ishte edhe libri i kujtimeve diplomatike të ambasadorit shqiptar në Gjermani, Bashkim Zeneli, „Për Gjermaninë“. Dikund nga fundi i librit, pothuajse krejtësisht në fund, lexoj shkrimin e ambasadorit:“Rebelimi“ i Günter Grassit kundër meje“.

E lexova atë të vërtetë, që e kishte thënë Kadare shumë vite më parë, dhe që e dinim edhe ne lexuesit e tij gjithandej. Por tash këtë e dinin edhe të tjerët. Përse ishte rebeluar në të vërtetë nobelisti gjerman Günter Grass, autori i romanit „Daullja e llamarintë“?Si e kishte marrë vesh këtë shkrimtari më i madh i Gjermanisë, këtë marrëzi të shqiptarëve, që kanë bërë kundër shkrimtarit të tyre të madh, të cilin bota e nderonte, kurse vetë shqiptarët e denonconin dhe e akuzonin. Le të kuptojmë prandaj se si kishte ndodhur kjo! Ambasadori Bashkim Zeneli ishte takuar me Grassin më shumë se një herë, por një herë të veçantë, sikur ishte vënë „në bankën e të akuzuarit“, teksa e kishte ftuar ambasadorin, që të fliste rreth rastit se si një ambasador shqiptar në Suedi, i ishte drejtuar Komitetit të Nobelit, me kërkesën që të mos i jepej Çmimi i Madh, shkrimtarit të madh, emri i të cilit, kurrsesi nuk shqitej nga lista e të nominuarve për vite me radhë.

Ambasador Zeneli pohon se Grassin e kishte takuar edhe njëherë në Hanover të Gjermanisë, ku e kishte pyetur për ngjarjet e rënda të vitit 1997, sepse Shqipëria ishte bërë gazi i botës:“Janë më kallashnikovët nëpër rrugë?. . .

Kam parë aspak skena të mira në televizor“. (534)Kishin folur për piramidat, kishin folur për Kosovën, kishin folur për numrin e serbëve që jetojnë në Kosovë, për myslimanët, për katolikët, për dialektet e folura në Shqipëri dhe Kosovë, për shkrimtarët në Kosovë e Shqipëri e të tjera, të ngjashme. Duke folur gjithnjë monarku i madh me llullën e tij famoze kishte thithur duhanin e tij të fortë dhe kishte fërkuar edhe mustaqet e tij të dendura.

Por si duket në tetorin e vitit 2001, takimi i ri i ambasadorit me Grassin ishte fokusuar më shumë në temën „KADARE“. Atëherë ishin rinjohur edhe njëherë dhe Grassi ishte ngritur në këmbë duke iu drejtuar Zenelit: „Dua të bisedoj me ty…kam një çështje që dua ta diskutoj, dalim aty!“Kështu ata kishin dalë në terracë, ku Grassi do të tymoste shlirë llullën e tij e tij legjendare, të cilën e kishte rimbushur sërish me duhan. Dhe pastaj pason pyetja:

„Zoti ambasador, të lutem dua të më sqarosh, të më flasësh sinqerisht për një gjë. . . po…unë nuk dua ta besoj…është e pamundur, por unë kam dëgjuar, pak kohë më parë…po…ma ka thënë një shkrimtar shqiptar…jo nga Shqipëria, nga Kosova. . tani nuk më kujtohet emri…!

E dini se çfarë më ka treguar?Është e tmerrshme. . “(535-536). Ambasador Zeneli ishte gjendur në siklet të madh. Si t‘ ia thotë që kjo është e vërtetë?As është njerëzore, as është atdhetare!!!E Grassi si zakonisht prapë kishte vazhduar të kruante mustaqet e tij, të kruante edhe kokën dhe të thithte thellë llullën e tij gjigante.
Biseda kishte vazhduar më tutje, gjithnjë duke shprehur habinë dhe madje edhe trishtimin se si mund të bëjë një shtet kundër njeriut të vet, shkrimtarit të tij, që e nderon vendin e tij me artin e tij të madh:

„Zoti ambasador, mua më treguan se ju d. m. th. shteti juaj , ka kundërshtuar dhënien e çmimit Nobel për Ismail Kadarenë. Unë nuk e di se si, por nuk kanë qenë dakord… apo… diçka e tillë… më kupton…nuk kanë dashur që ta marrë këtë çmim…Unë nuk dua ta besoj këtë. E dini pse?Sepse shtetet punojnë shumë , me të gjitha mënyrat, për të mbështetur kandidatët e tyre në një fushë apo tjetër. Më thuaj tani zoti ambasador, a mundet një shtet ta bëj këtë?. . . Çfarë do të më thuash?“(536)

Ç‘ mund të thoshte ambasadori përpara shkrimtarit të madh gjerman, aq më tepër që ai mbronte racën e tij krijuese, mbronte kolegun e tij të madh shkrimtarin e madh Ismail Kadarenë, nga i cili kishte përmendur veprat e tij. “Der General der Toten Armee“("Gjenerali i ushtrisë së vdekur"), „Die Festung“(„Kështjella“)pastaj romanin „Dimri i Madh“, ku i kujtonte Kremlinin dhe Hrushçovin të tjera. Zeneli i zënë pisk s‘ kishte mundur t‘ i përgjigjet, por megjithatë e kishte pohuar atë që kishte dëgjuar edhe ai vetë. “Edhe unë z. Grass kam dëgjuar diçka të tillë…“ . Tashmë shkrimtari me llullë në dorë i ishte drejtuar edhe më i tronditur ambasadorit shqiptar: „A, d. m. th. qenka e vërtetë, unë nuk doja ta besoja…d. m. th. shteti i juaj e ka bërë këtë?Kjo është turp…askush nuk e bën këtë…Ju nderon Juve kjo zoti ambasador. . . d. m. th. e nderon shtetin tuaj kjo?(536)Zeneli i ishte përgjigjur përsëri:“Ju thashë thjesht se edhe unë kam dëgjuar…vetëm kaq, nuk mund të flas asgjë më tej…. sepse nuk di asgjë. Kështu flitet në Shqipëri, edhe në shtyp, por unë nuk mund të flas aspak me bindje…thuhet se ambasadori i Shqipërisë në Stokholm i ka bërë një letër Akademisë Suedeze…. Kështu kam dëgjuar, siç kanë dëgjuar për këtë të gjithë shqiptarët…. Më vjen shumë mirë që ju vlerësoni kështu z. Ismail Kadare. (536). Ai i ishte përgjigjur përsëri me vlerësim afirmativ:“Po, patjetër, natyrisht…Kadare është një shkrimtar i madh, shumë i njohur…ne flasim për të në rrethet tona…Unë nuk arrij ta kuptoj përsëri…“(536)

Dhe ishin ndarë më në fund ambasadori shqiptar me patriarkun e letrave gjermane, njëri duke akuzuar një shtet dhe tjetri duke u munduar të mbrohet nga akuzat e atij shteti, që quhet Shqipëri.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat