Beteja e shkrimtarit

Kultura

Beteja e shkrimtarit

Nga: Hejza Art Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 12:38
Kopertina e librit

Avni Halimi në Shkup boton librin e radhës “IDENTITETI KULTUROR, POLITIKAT KULTURORE, KULTURA INSTITUCIONALE”  me komente, qasje, analiza dhe studime kulturo - shoqërore, socio- politike dhe eseistike në cilësim, mbrojtje dhe sfidim të mjegullës që ka rënë si asnjëherë në historinë tonë kombëtare. Identiteti, historia, gjuha, traditat, ritet, letërsia, kultura etj., janë në atakim sistematik nga të katër anët. Është pak të quhet "i rrethuar" ky korpus, në të vërtetë është një mbytje e ngadaltë, plot ankth e pështirosje. Çfarë ndodh, nuk dallon nga një luftë e vërtetë para së cilës mund të shpresosh se dikush shpëton, diçka mbetet, diçka do të jetojë...! Ama, kjo që ndodh sot gjithandej, zhbëhet përditë, konvertohet, fundoset dhe, s'mbetet as shenjë e një varri në shkretëtirë ! 

Anarkia, e ndihmuar dhe e paguar, mungesa totale e dhimbjes së elitave socio - kulturore, egërsia e çoroditur e institucioneve politike, fuqia e shtjerrë e kombit, mediat, institutet, organizatat e humbura në thasët e donacioneve dhe fondeve që s'dihet nga vijnë, po e kthejnë heartlandin etnik shqiptarë në një "treg" të kohës së barbarisë, dhe për më keq në një "treg" eremitësh, eunukësh, cincarësh, servësh që, si në një betejë hienash afrikane djegin me pasion gjithçka !

Prandaj, ky është një libër për kohë të gjatë i munguar në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup. Mbase njē "doracak" që shfaqë e shpërfaqë një betejë që, aspak s'është individuale. Autori, ka thënë krejt çka ne si individë, shoqëri dhe komb po e tolerojmë duke i humbur ato pa të cilat, nesër mbesim vetēm numra fizikë. Dhe është aq e thjeshtë: çfarë duan të tjerët që e bëjnë betejën e tyre sistematike në këmbim të "cilësive" të tyre, vrazhdësisht të imponuara për ne...?

Nuk ka më asnjë zonë, lokalitet, krahinë shqiptare që nuk është e atakuar nga sorollope e katillë që shfaqen nga të katër anët. Kambanat, dëgjohen deri në qiell: ky libër është alarmant për gjendjen ku kemi rënë..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat