Kadiu i drejtë

Kultura

Kadiu i drejtë

Nga: Agim Xh Deshnica Më: 17 janar 2024 Në ora: 07:00
Leon Tolstoi

Mbreti Baukas i Algjerisë deshi të mësonte nëse qenë të vërteta ato që thuheshin se në një nga qytetet ishte një kadi i zoti, që gjente pa vështirësi se kush kishte të drejtë e kush qe fajtor. Asnjë nuk mund të dredhonte para tij. Ndaj, mbreti Baukas u vesh si tregtar, i hipi kalit dhe mori udhën për ta njohur kadiun. Në portën e qytetit një lypësar i kërkoi mbretit lëmoshë. Baukasi i dha dhe deshi të vazhdonte rrugën, por lypësari u qep pas qyrkut të tij.

- Ç’kërkon tjetër prej meje? - e pyeti Baukasi. - Nuk u kënaqe me aq?

- Jo, u kënaqa, - iu përgjigj lypësari, - por bëmë edhe një të mirë! Merrmë në vithe të kalit deri në sheshin e qytetit, që të mos më shkelin kuajt e devetë e të tjerëve!

Baukasi pranoi. E mori mbi kalë. Kur mbërritën te sheshi, ndaloi. Por, lypësari, për çudi, prapë nuk u tund nga vendi.

Baukasi i tha:

- Arritëm, ç’pret më, zbrit!

- Pse të zbres? - ia ktheu lypësari. - Kali është imi! Ti të zbresësh, jo unë! Nëse nuk pranon me të urtë, atëherë shkojmë te kadiu!

Turma e kureshtarëve u mblodh përqark tyre, për të dëgjuar zënkën që u ndez papritur. Shumë vetë thërrisnin:

- Te kadiu, te kadiu! Ai ua zgjidh davanë!

Të dy u nisën drejt kadiut. Gjykata qe përplot me njerëz. Kadiu i thërriste me radhë ata, që gjykoheshin. Të parët ishin një fshatar dhe dijetari i njohur nga qyteti, për çështjen e një gruaje.

Kur i pyeti kadiu ata, mori këto përgjigje:

- Gruaja është imja! - tha fshatari.

- Jo, ky gënjen! - foli shkurt dijetari. - Imja është, çne e këtij firauni!

Kadiu i dëgjoi, heshti dhe iu përgjigj të dyve:

- Mirë, ju mora vesh! Lëreni gruan këtu dhe ejani nesër!

Pas tyre, hyri kasapi tok me shitësin e bulmetit. I pari - i ndotur me njolla gjaku. I dyti - i lerosur me yndyrna. Kasapi mbante në dorë një qese me para, shitësi i bulmetit - dorën e kasapit.

- Te ky bleva gjalpë! - tha kasapi. - Kur nxora paratë për ta paguar, më kapi dorën dhe deshi të ma zhvaste gjithë qesen! Ja, edhe tani s’po ma lëshon, siç e sheh edhe zotrote! Ndaj erdhëm tek ju! Qesja me paratë është imja! Ç’domethënë kjo gjë, mor jahu!

Shitësi i bulmetit tha:

- S’janë aspak të vërteta këto që thotë ky! - Kasapi erdhi në dyqan të blinte gjalpë. Kur ia mbusha poçen plot, ai kërkoi t’ia këmbeja florinjtë me para letër. Dhe kur unë i nxora ato, ai m’u vërvit, m’i mori dhe desh t’ia mbathte! Çudi e madhe! E kapa nga dora dhe e solla në gjyq.

Kadiu heshti dhe ua ktheu:

- I lini paratë këtu dhe ejani nesër!

Kur erdhi radha e Baukasit dhe e lypësarit, Baukasi tregoi ç’kishte ngjarë.

Kadiu pyeti lypësarin:

- Hë, po ti ç’thua?

- Gënjen ky! - iu përgjigj lypësari. - Unë po shkoja kaluar përmes qytetit, zotnia ishte ulur në një qosh. Më pa dhe m’u lut ta merrja në vithe. E mora, ç’t’i bëja, më erdhi keq, dhe e çova tek deshi. Por, më polli belaja! Nuk pranoi të zbriste! Më tha se kali qenkësh i tij! Tobe jarabi! S’është aspak e vërtetë!

Kadiu heshti u mendua pak dhe tha:

- Ma lini kalin këtu dhe ejani nesër!

Ditën tjetër u mblodhën më shumë vetë, për të dëgjuar vendimet e kadiut.

Të parët hynë dijetari dhe fshatari.

- Merre gruan tënde, - i tha kadiu dijetarit, - kurse fshatari të ndëshkohet me pesëdhjetë shkopinj bythëvet!

Pastaj kadiu kërkoi kasapin.

Paratë janë të tuat! - i tha, e duke e kthyer vështrimin nga shitësi i bulmetit, urdhëroi që edhe ai të ndëshkohej me pesëdhjetë shkopinj.

Së fundi, kadiu u bëri zë t’i afroheshin Baukasit e lypësarit.

Pyeti Baukasin:

- A mund ta njohësh kalin ti, në mes të njëzet kuajve të tjerë?

- Po! Menjëherë!

Pyeti lypësarin:

- Po ti?

- Edhe unë!

- Ec me mua! - i tha kadiu Baukasit.

Të dy hynë brenda në stallën e kuajve. Baukasi vajti pranë kalit të vet, që rrinte ndërmjet njëzet kuajve. Pastaj kadiu thirri në stallë lypësarin dhe e urdhëroi t’i rrëfente kalin. Lypësari e njohu dhe ia tregoi. Kadiu u kthye në vendin e tij.

- Kali është yti! - i tha Baukasit. - Shko e merre! Lypësari të ndëshkohet me pesëdhjetë shkopinj bythëvet!

Kadiu, pasi mbaroi punë, u nis të shkonte në shtëpi, ndërsa Baukasi e ndoqi pas.

- Si është puna, nuk të pëlqeu vendimi im? - e pyeti kadiu.

- Përkundrazi, mbeta shumë i kënaqur! - iu përgjigj Baukasi. - Por, doja të dija qysh e gjete se gruaja ishte e dijetarit, qysh e gjete se paratë qenë të kasapit dhe se kali është imi?

- Për gruan gjykova kështu! - iu përgjigj kadiu. - E thirra në mëngjes atë dhe i thashë: „Mbushe kallamarin me bojë shkrimi!“ Ajo e mori, e lau me shkathtësi dhe e mbushi me bojë, pa derdhur jashtë asnjë pikë. E, pra, mesa dukej, me atë punë qe mësuar. Nëse do të ishte e fshatarit, nuk mund ta mbushte me lehtësi. Pra, dijetari kishte thënë të vërtetën. Për paratë, e mora vesh kështu. I hodha ato qysh mbrëmë në një tas me ujë. Sot në mëngjes i pashë me kujdes. A kishte sado pak yndyrë sipër ujit? Po të ishin të shitësit të bulmetit, do të kishin njolla me yndyrë. Ndërsa nuk u dukën kurrfarë njollash yndyre. Kjo do të thoshte se kasapi kishte thënë të vërtetën. Për kalin çështja qe pak e ngatërruar. Pas teje edhe lypësari e njohu kalin ndërmjet njëzet kuajve. Por, ç’është e verteta, unë ju mora në stallë, jo për t’ju hetuar juve, por për të parë se cilin prej jush do të njihte vetë kali. Kur i shkove ti pranë, ai ktheu kokën drejt teje dhe t’u afrua ta përkëdhelje. Kurse kur iu qas lypësari kalit, ai tendosi veshët i zemëruar dhe kërceu mbi këmbët e prapme. Ndaj u binda se i zoti i kalit ishe ti.

Atëherë Baukasi tha:

- Unë nuk jam tregtar, por mbreti Baukas. Erdha këtu për të parë dhe dëgjuar, se a ishin të vërteta ato që thuheshin për ty! Tani u binda se qenke kadi i mençur dhe i drejtë. Kërko ç’të duash dhe eja me mua, unë të gradoj në çast!

Kadiu u përgjigj:

- Qenke lodhur kot, madhëri! Unë nuk i dëshiroj gradimet dhe as paratë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat