​Renovimi i Muzeut Kombëtar të Kosovës pritet të nisë gjatë 2024-ës

Kultura

​Renovimi i Muzeut Kombëtar të Kosovës pritet të nisë gjatë 2024-ës

Më: 17 janar 2024 Në ora: 09:39
Foto ilustrim

Ndonëse nuk pati një program të veçantë, në mesin e rreth 12 mijë vizitorëve gjatë vitit 2023, Muzeun Kombëtar të Kosovës e vizituan edhe fëmijët e kopshteve.

Krahas renovimit, restaurimit dhe trajtimit të fondit muzeor që pritet të fillojë gjatë vitit 2024, kërkohet edhe një program i veçantë për këtë grup-moshë, në mënyrë që ata të ndahen sa më të kënaqur.

Në një intervistë për KosovaPress, drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu thotë se deri në gjysmën e dhjetorit 2023, numri i vizitorëve është 11 mijë e 451.

Ajo thotë se mbi tre mijë persona kanë vizituar Kompleksin etnologjik “Emin Gjiku”, ndërsa rreth katër mijë të tjerë Muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.

Aliu potencon se krahas detyrave dhe prioriteteve për 2024, obligohen të hartojnë edhe një program për fëmijët e kopshteve.

Aliu: Numri i vizitorëve në Muzeun Kombëtar të Kosovës është 11 mijë e 451

Numri i vizitorëve në Muzeun Kombëtar të Kosovës, është 11 mijë e 451 vizitorë. Nuk është përfundimtar, sepse pas këtij raporti kemi pas edhe më tutje vizitorë. Kemi një numër prej 3 mijë e 617 në kompleksin etnologjik 'Emin Gjiku' dhe kemi një numër të vizitorëve diku ndoshta te katër mijë në ‘Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova’ ... Muzeun Kombëtar të Kosovës këtë vit e kanë frekuentuar të gjitha grup-moshat, flas edhe për fëmijët e kopshteve. Mendoj që kjo përbën risi, në cilësinë e vizitorëve, që të gjithë kanë ardhur në mënyrë të organizuar, vizita të paralajmëruara dhe konfirmuara nga stafi i muzeut...Krahas shumë detyrave dhe prioriteteve që na parashtrohen për vitin e ardhëm na obligon që të ndërtojmë dhe një program, sado që është i vogël, i thjeshtë në kuptimin e fjalës që të kemi një program edhe për këto grup-mosha. Muzeu është shquar vite për programin e njohur 'ABC-ja e Muzeut", por që nuk e ka përfshirë këtë grup-moshë", thotë Aliu.

Nevoja për të filluar renovimin, restaurimin dhe trajtimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës po konsiderohet më se domosdoshme nga drejtoresha, Vjollca Aliu.

Ajo shpreson që gjatë vitit 2024, projekti për rregullimin e Muzeut do të jetë prioritet i Ministrisë së Kulturës.

Aliu: Shpresoj që restaurimi i Muzeut të jetë prioritet i Ministrisë së Kulturës

"Është përtej nevojave dhe obligimeve parashtrohet një prej kërkesave imediate jo vetëm si ndërtesë, si funksion gjithsesi, prioriteti është te fondi muzeor për çka edhe ekziston Muzeu Kombëtar i Kosovës, sepse ka një fond të jashtëzakonshëm... Sa i përket angazhimeve konsideroj që tani jemi në fund të vitit dhe një pjesë e madhe e obligimeve kanë përfunduar...Projekti ka qenë në proces të rishqyrtimit dhe përfundimisht është miratuar nga Instituti i Kosovës për mbrojtje të monumenteve, e kemi të konfirmuar nga ministria që ka pasur angazhime në mënyrë që proceduar të iniciohet këtë vit. Shpresoj që në fillim të vitit të ardhshëm do të jetë një nga projektet që ministria do t'i trajtojë me prioritet përsëri, në mënyrë që të fillojë renovimi, restaurimi dhe trajtimi i fondit të muzeut", thekson Aliu.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, thotë se tashmë ekziston projekti përfundimtar i restaurimit të përgjithshëm të ndërtesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Ai shton se projekti ka kaluar fazat e vlerësimit nga komisioni i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe shumë shpejt do të nisë procedura për angazhimin e operatorit për restaurimin e ndërtesës.

Çeku potencon se pjesë qendrore e renovimet janë depot, hapësirat ku ruhen eksponatet, artefaktet dhe koleksioni muzeor. Ai beson se me këto punime, do të krijohen kushte për ruajtjen më të mirë dhe më të dinjitetshme të pasurisë së muzeut.

Çeku: E kemi projektin përfundimtar të restaurimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës

"Ne tashmë e kemi projektin përfundimtar të restaurimit të përgjithshëm të ndërtesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës. Projekti ka kaluar edhe fazat e vlerësimit nga komisioni i Institutit të Kosovës për mbrojtjen e monumenteve dhe shumë shpejt do të nisë procedura për angazhimin e operatorit që do ta bëjë restaurimin e ndërtesës. Pjesë qendrore e restaurimit janë depot, hapësirat ku ruhen eksponatet, artefaktet, pra koleksioni muzeor i Muzeut Kombëtar të Kosovës, por edhe hapësirat e tjera ekspozuese të cilat përfshijnë edhe ri konceptimin e ekspozitave permanente, por edhe ri dizajnimin e hapësirave për ekspozita të përkohshme. Besoj që me këtë ndërhyje që do të bëhet në Muzeun Kombëtar të Kosovës do të krijohen kushte edhe për ruajtjen më të mirë dhe më të dinjitetshme të pasurisë, të koleksionit muzeor, por edhe për aktivitete më të mira në të ardhmen për ekspozita të përkohshme në hapësirat e këtij institucioni", tha ministri Çeku.

Ndër ekspozitat më të veçanta, drejtoresha Vjollca Aliu konsideron fotografitë e fotografëve Afrim Hajrullahut dhe Alban Bujarit, derisa vlerësoi si të mira edhe ekspozitat e tjera. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat