Vështrim për librin poetik “trapez thyer” të autorit Gani Hamza

Kultura

Vështrim për librin poetik “trapez thyer” të autorit Gani Hamza

Nga: Ma. Sc. Fatmir Halimi Më: 19 janar 2024 Në ora: 20:38
Kopertina e librit

Gani Hamza njihet si aktor teatri, ku deri më tani ka luajtur në shumë shfaqje, ka marrë pjesë në shumë festivale dhe konkurse teatrore si në Kosovë, Shqipëri dhe në vende te ndryshme të Evropës. Ganiu si aktor, çdoherë ishte specifik, si në interpretim, e po ashtu edhe me ngjyrim të zërit të veçantë.

Por Gani Hamza përveç kësaj në vazhdimësi është marrë edhe me artin poetik, letrar, pra ai në vazhdimësi ka krijuar poezi dhe ka shkruar vështrime e recensione për artin dramatik dhe atë letrar. Prandaj në këtë fundvit para dashamireve të artit në përgjithësi e të dashamirëve të artit letrar në veçanti po paraqitet me librin e tij të parë poetik “Trapez i thyer”.

Libri poetik ‘Trapez i thyer’ në vete ngërthen tema dhe motive të ndryshme, si atë të dashurisë për femrën, të dashurisë për atdheun. Motiv i veçantë është edhe Lufta Çlirimtarë e Kosovës, ku një numër të konsiderueshme të poezive të tij ia kushton heronjve dhe dëshmorëve që morën pjesë në çlirim të atdheut, siç janë poezitë për Adem Demaçin, Zahir Pajazitin, e shumë të tjerë.

Gjuha poetike e poetit dhe aktorit Gani Hamza në librin poetik ‘Trapez i thyer’ është e veçantë dhe specifike, është mjaftë e figurshme, ku brenda saj përdorë një numër të madh të tropeve dhe figurave stilistike si metaforën, simbolin, alegorinë, epitetin, hiperbolën e shumë të tjera. Kjo vije në pah edhe falë eksperiencës së tij të madhe nga fusha e artit dramatik. Pra si njohës i mirë i teatrit, dramës dhe skenës, atë e zhvillon edhe në poezi dhe vlen të veçohen poezitë me këtë motiv si: Vampiri, Karriga e shpirtit (Enver Petrovcit), Para portretit në pasqyrë, Portreti i aktores, e disa të tjera.

Poeti përmes këtij libri lexuesit i sjell një larushi dhe freski me mënyrën e qasjes së poezive që përbëjnë bukuri dhe këndshmëri në të lexuar. Përpos kësaj, poeti Hamza shkruan aq bukur poezi, sa që vërtet lexuesi do ta ndjejë melodinë dhe ritmin e tyre. Secila poezi e ka bukurinë e vet dhe sentencën e artit, duke ia shtuar edhe mesazhet që përshkojnë ato.

Poezitë, në këtë libër janë të shkuara me një përkushtim të rrallë, me një ngjyrim dhe gjuhë të artit, por edhe me një frymëzim që buron nga shpirti i poetit. Prandaj, duke e lexuar secilën poezi veç e veç, të jep një qartësi, kuptimësi dhe një kënaqësi shpirtërore, ku pos asaj na dhuron edhe mesazhin pozitiv për jetën.

Për fund mund të them se libri me poezi, me titull “Trapez i thyer” i poetit Gani Hamza e ka arritur nivelin e duhur poetik dhe është një dhuratë e mrekullueshme për lexuesit.

Autorit i dëshirojmë shëndet dhe suksese në të ardhmen, me prurje të reja të ndonjë libri të ri, sepse me këtë libër ai e ka dëshmuar veten dhe ka dalë i suksesshme në krijimin e artit letrar, sidomos në poezi.

Image
Ma. Sc. Fatmir Halimi
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat