Magjia e frymëzimit të shenjtë

Kultura

Magjia e frymëzimit të shenjtë

Nga: Baki Ymeri Më: 20 janar 2024 Në ora: 10:59
Kopertina

Lumni Nimani shkruan një poezi të ndjeshme, të rrjedhshme, me infleksione sentimentale të një hijeshie të rrallë: Drejt ëndrrës së bardhë flatërova/ Stuhitë çava me magjinë e dashurisë/ N'pentagram të shpirtit e akordova/ Këngën për ty o vashë e Arbërisë. Vargjet e tij burojnmë nga një shpirt i zjarrtë e i vrullshëm, i kapshëm nga magjia e gjuhës shqipe, e flamurit shqiptar, por edhe i rrëmbyer nga bukuria e natyrës që mban jehonat e një historie të gërshetuar me elemente pitoreske. Dardania, ish/provincë iliriane e banuar në lashtësi me dardanë (Kosova e sotme), konfigurohet si një hapsirë e mbrujtur me një shenjtëri të veçantë, të cilën poeti e pikturon dhe konzervon nën aspektin e një lirizmi të dridhshëm.

Magjia e poezisë së Lumniut na vjen si një dhunti e veçantë e shprehjes me një çiltërsi të hijshme, të hapur e transparente, dhe assesi si një “eksploatim” semantik i mbyllur. Vargjet e tij kanë një atdhetarizëm plot shend e verë. Shëmbëlltyrat e një ndjeshmërie të mëndafshtë që hiperbolizojnë objektin e dashurisë dhe atdhedashurisë, zgjon admirimin e një mrekullie të veçantë: Aromë luleje/ Fllad pranvere/ Ëndërr e bardhë/ Veç ti më je./ Vashë Arbërie/ E buzëqeshur/ Kur më shikon/ Pa mend më le. Dashuria ka këtu një shkëlqim të mahnitshëm. Ajo është gjenerator i energjive të mbara: As nuk ka forcë/ As s'ka fuqi/ Në këtë dynja/ Përmbi dashuri./ Sepse dashuria/ Është vet magji/ Është hyjnore/ Është përjetësi.

Vërehet këtu një infuzion i çliruar elementesh folklorike që vijnë nga një lashtësi fabulative, nga përrallat e kulturës popullore, nga një e shkuar heroike e përjetësuar në kujtesën afektive familjare, përzjerja e së cilës e pronëson artin poetik të krijuesit: O ylli im në qiell që shndrit mal e fushën./ Në vend që të festoja me ty n'përqafim./ Të ndjenim së bashku gëzim dhe dashuri./ Ti më le dhe ike nxitove për n'amshim./ Mos sprovo kështu prindërit o Perëndi! Poetët janë profetët e ditëve tona, ata preken nga engjëlli me krahun shërues dhe diktojnë vargjet e tyre.

Biografia e autorit është gurrë e poezisë së tij, burim i një autenticiteti origjinal që thellësohet sipas përmasave të njohjes, të vetëdijësimit të magjisë së dashurisë: Në kopshtin tim shpirtëror më je trëndafil/ Me ngjyra më të bukura/ dhe me plot aromë/ Oh sa më ka marrë malli/ në dritare më dil! Se buzëqeshja jote/ zemrën fort ma njomë. Mërgimtari ynë vjen para nesh me vargje briliante, interesante dhe mbresëlënëse: Mejtueshëm shetis, në këto rrugë qyteti./ Mbi kalldrëmin e vjetër, shtruar për bukuri/ Melankoli vjeshte më tundi dhe më treti./ Si t'voglën barkë në det, e fuqishmja stuhi./ Lule shumëngjyrëshe, aq sa të sheh syri./ Gjithandej rregull, pastërti e gjelbërim.../ Ah mall i pashuar, në zemër seç më hyri!

Lumni Nimani është maraton i admirimit dhe një poet i botës moderne, por nuk mund t’i harrojë apo mohojë rrënjët nga të cilat poezia e tij e shkëput lëngun e përmbushur me vitalitet të përbujshëm. Lirika e tij gërshetohet me zjarrin e një djegjeje tërësisht speciale. Po filloj kështusoj, ngase me të arritur në mbarim të leximit, u mahnita fort, si nga stili dhe trajtimi që i dallon poeti i përfshirë në vëllim, poashtu edhe nga ajo që i bashkon vargjet nën shenjën e admirimit, të ndjeshmërisë dhe të forcës për të mbetur kudo, në çdo rrethanë, me zemër në fërgëllimën a vatrës amtare.

Lumni Limani është shqiptar i qëndrueshëm porsi ushtari, dashamir i vlerave hyjnore siç është fluturimi i tyre për në qiell. Poeti ka këmbënguljen, guximin, qëndresën dhe durimin e lumenjve të malit që e marrin rrugën për në gjerësi të fushës, pa marrë parasysh shkëmbinjtë, me bindjen se, më herët apo më vonë, do ta zbusë me ujërat e tij etjen e atyre që e presin. Këtij Njeriu të jashtëzakonshëm dhe Madhështor në çdo gjë që bën, poezia shqipe i ka borxh të madh, jo vetëm për vlerat, por edhe për prurjen e tyre në shpirtin e kohës së aktuale të diasporës shqiptare. (Bukuresht, Janar 2024)

MAGJI E DASHURISË

Aromë luleje

Fllad pranvere

Ëndërr e bardhë

Veç ti më je.

Vashë Arbërie

E buzëqeshur

Kur më shikon

Pa mend më le.

*

Kur të kam ty

Me flokë të verdhë

Me sy të kaltër

Si Deti Jon.

Ndjehem si princ

Me kalë të bardhë

Me ty mbretëreshë

Atje lart mbi fron.

*

As nuk ka forcë

As s'ka fuqi

Në këtë dynja

Përmbi dashuri.

Sepse dashuria

Është vet magji

Është hyjnore

Është përjetësi.

PA TY

Vitet ndërrohen nëpër motmote.

Por dhimbja për ty sa vjen e shtohet.

Shpirtin ma këputi mungesa jote.

Jeta pa ty është vuajtje - s'durohet...

Në këtë ditë feste të këtij dhjetori.

Kur zemrat gëzohen lumturi mbushen.

Shumë mall për ty kam unë i gjori.

O ylli im në qiell që shndrit mal e fushën.

Në vend që të festoja me ty n'përqafim.

Të ndjenim së bashku gëzim dhe dashuri.

Ti më le dhe ike nxitove për n'amshim.

Mos sprovo kështu prindërit o Perëndi!

ILAÇ I DASHURISË

Në një lulishte,

një trëndafil ngjyrë rozë,

e këputa tinëzisht

Për ta dhuruar o vasha ime.

Por më zuri zonja Mimozë

dhe më mallkoi tmerrësisht...

I thash, e këputa për të dashurën.

Ngase e dua marrëzisht...

Më tha: Oh more djalë!

Ç'qenke sëmurë nga sevdaja!

Obobo thash me vete;

Për një lule që këputa,

U bë hataja...!

Do më zë belaja...!

- He kurrë mos u shërofsh,

o çun nga dashuria!

- Ilaç mos t'daltë më tha...

Për këtë trëndafil të vjedhur,

të dënoftë Perëndia!

E mos dalsh kurrë,

nga sevdaja e lumturia!

Oh ç'u stepa!

E nga habia,

seç m'u trazuan mendët e mia...!

Mallkimi më doli si bekim...

Për një çast!

Dënimi më doli si urim...

Dhe thash vet me vete:

Mos gjetsha kurrë shërim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat