Mësuese Fatmira Beqja-Veseli

Kultura

Mësuese Fatmira Beqja-Veseli

Nga: Kadri Tarelli Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 22:00
Fatmira Beqja-Veseli

Fatmira lindi  në qytetin e Krujës, më: 03. 06. 1947, në familjen e madhe Veseli dhe u plak në qytetin e lashtw tw Durrësit.

Ajo e donte jetën dhe e jetoi atë me nderim dhe përkushtim ndaj familjes, miqësisë, shoqërisë, kolegëve mësues e krijues dhe nxënësve të shkollave, në disa rrethe të vendit. E donte arsimin dhe shkollën, me përkushtim për mbrojtjen dhe pastërtinë e gjuhës shqipe.

Arsimin fillor, 7-vjeçar dhe të mesëm e mbaroi në shkollat e qytetit të Krujës. Më pas UT në Tiranë, dega Gjuhë-letërsi. Që atëherë dalloi mes studentëve, si gjuhëtare, korrektore, redaktore dhe poete, ndaj në dy vitet e fundit të arsimit të lartë, u bë pjesë në redaktime, shkrime dhe artikuj në gazetën “Drita”, ku shpesh botoheshin edhe shkrime të ndryshme të saj.

          Pas përfundimit të studimeve, u emërua mësuese në shkollën e mesme të Fushë-Krujës, më pas transferohet në gjimnazin  e qytetit të Krujës. Ndjehej e lumtur të punojë së bashku me kolegë ish mësuesit e saj të nderuar. Ne gjimnazin vazhdoi për rreth 6 vjet punë, si nën/drejtore e shkollës, më pas si krye/drejtoreshë e arsimit në zonën e “Malësisë së Krujës”.

Në vitin 1978, tashmë e martuar me ushtarakun Zija Beqja, u transferua në Poliçan të Skraparit, në Shkollën e Mesme, me detyrë nën/drejtore. Pas 14 vitesh punë plot pasion dhe nderim, si “Misionare e dijes dhe edukimit”, u transferua në Durrës, në shkollën 8-vjeçare “Bajram Curri”, Plazh, ku punoi deri sa doli në pension.

Këto janë pak të dhëna të shkruara në dokumentet zyrtare, që janë pjesë jete, të ftohta në dukje, të zbehta për të plotësuar portretin e saj, njëkohësisht të pakta për të pasqyruar atë punë të madhe plot vështirësi, idealizëm e dashuri, në përmbushjen e detyrës si mësuese, drejtuese dhe edukatore e brezit të ri. Çuditërisht shpirti idealist, pasuri veç e mësuesve, nuk u vyshk, as u vjetrua gjatë viteve, madje ndriçoi edhe kur doli në pension.

Për rezultate të larta në punë, u nderua nga strukturat shtetërore të kohës, me çmime dhe dekorime. Mjafton të përmendim: 

Urdhri “Naim Frashëri”, klasi i III-të.

Urdhri “Naim Frashëri”, klasi i II-të.

Urdhri “Naim Frashëri”, klasi i I-rë. Nderime që do t’i kishte lakmi çdo mësues apo kuadër e punonjës i arsimit.

Unë që po shkruaj këto pak radhë, si drejtues dhe koleg në shkollën “Bajram Curri”, në Plazh, Durrës, e ndjej për detyrë të shkëpus disa copëza jete shkollore, me të cilat u ndeshëm së bashku si kolektiv mësimor, në mbarëvajtjen e mësimit dhe edukimit në ato vite të ngarkuara e të trazuara, pas ndërrimit të sistemit në vitet 1990. Ku ngjarjeve madhore, vështirësive dhe mangësive, duhet t’i përgjigjeshim me përgjegjësi, zotësi, bashkëpunim e profesionalizëm, por edhe me ndjeshmëri, mirësi e atdhetari misionari.

Përballuam me sukses tronditjen e madhe shoqërore dhe politike të ngjarjeve të vitit të mbrapsht 1996-1997, ngjarje që prekën edhe jetën shkollore në tërë vendin. Mësuese Fatmira ishte bashkëpunuese model, e zonja, e guximshme dhe me karakter të fortë. I dilte përballë ndodhive të ndryshme që mund të kishin pasoja të rënda në jetën e nxënësve, por edhe në ecurinë e punës në një shkollë të madhe, siç ishte shkolla “Bajram Curri”, me mbi 1900 nxënës.

Po kështu mund të përmend edhe ngjarjet e vitit 1998-1999, vite të luftës në Dardani dhe shpërnguljes biblike të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, duk pritur me qindra nxënës që u larguan nga lufta, bashkë me familjet e tyre. Për ne, veç mësimit të zakonshëm, duheshin mirëpritur dhe mirë-trajtuar të gjithë nxënësit e ardhur, jo pak por rreth 750 nxënës, që kishin lënë truall, shtëpi dhe shkollë, disa edhe bij dëshmorësh të rënë në atë luftë të shenjtë për liri e mëvetësi, kundër pushtuesit dhe ushtrisë serbe. Fatmira ishte organizatore e përkryer e takimeve: mësues, nxënës dhe prindër, (më shumë nëna dhe gjyshër), pasi baballarët përballeshin në luftime. Kush i ka përjetuar ato kohë e di sa të vështira ishin dhe sa ndjeshmëri e përgjegjësi kërkonin.

Fatmira, kohën në pension, u përpoq ta mbushë në mënyrën më të bukur për një intelektuale krijuese, në fushën e letrave shqipe, duke shkruar artikuj të ndryshëm. Mjaftojnë vetëm disa tituj dhe copëza shkrimesh, që të kuptojmë formonim e saj intelektual dhe shpirtin human dhe idealist: “Pritja në Familjen vlonjate “Vrana-Haxhiraj”, surprizë e vërtetë!”, “Më Thoni……!” Poezi, ku bërtet e thërret, për ta dëgjuar bota deri lart te dielli e yjet në qiell: “E dua jetën. Jam grua, jam nënë! Më thoni ta di!/Trishtohem, që nënat vrasës lindin përsëri!………”. Më tej një shkrim tjetër: “Një gjerdan të artë për gruan shqiptare”, kushtuar znj. Vilhelme Vrana-Haxhiraj, në librin: “Lidhja demokratike e gruas. Vlorë”.

Ja si shprehet: - “Unë, pavarësisht se jam mjaft e kënduar në letra, çuditërisht në gjerdanin e artë të gruas shqiptare, mes emrave shumë të njohur, ndeshem për herë të parë me figura grash, që Vivra i vendos në “Elitat e mohuara” të kombit, por që për shumicën nga ne janë të panjohura”. Publikuar: Gazeta “Bota sot”. Dardani, 24. 06. 2022”, Revista “Dituria”, 24. 06. 2022, “Fjala e lire”. Londër. 24. 06. 2022.

Besoj e vlen të përmend edhe një shkrim, ku i drejtohet akademikëve, gjuhëtarëve, mësuesve, shtetarëve dhe zyrtarëve tanë: “Përshëndetje profesor Gjovali Shkurtaj!” “Urgjenca gjuhësore”, po na zgjon! Ku fuqishëm thekson: “Vepra “Urgjenca gjuhësore”, megjithëse ka kohë që është botuar, përsëri vjen për ne, si një kambanë alarmi, që na kujton peshën e madhe, që po marrin gjuhët e huaja ndaj gjuhës shqipe, në jetën e përditshme, në të shkruar dhe në të folur, sidomos nëpër mediat televizive dhe portaleve elektronike”. Publikuar: “Fjala e lire”. Londër. 05. 05. 2018, Gazeta “Bota sot”. Dardani, 06. 05. 2018, “Zemra shqiptare”, 07. 05. 2018.

 E gjithë sa përmenda më lart, është vetëm një pjesë e krijimtarisë së saj, sepse ajo ka redaktuar, korrektuar, vlerësuar apo kritikuar libra të shkrimtarëve dhe poetëve të ndryshëm. Ishte një punë që e kishte shumë për zemër, e vlerësonte, pasi e mbante lidhur me jetën letrare të Durrësit dhe më përtej. I pëlqente të merrte pjesë në takime, konkurse dhe veprimtari kushtuar shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve të Durrësit dhe nga qytete të tjerë.

Nuk përtonte të shkruante, ndjente kënaqësi të shprehej hollë. Madje siç thotë një miku ynë Fitim Haxhiraj nga Vlora: “Fatmira, fjalën bukur shqipe e gdhendi në mermer”.

Jo më larg se, 10 shkurti, 2024, një grup prej katër vetësh nga Durrësi, znj. Fatmira, Zija Beqja, Merita Kuçi-Thartori dhe unë Kadri Tarelli, ishim në Drenas të Drenicës, në Dardani, pjesëmarrës në festivalin poetik “Rifat Kuka”, ku edhe Fatmira recitoi poezinë “Pupël”, që u duartrokit gjatë. Fati e solli, që poete Fatmira të ndërrojë jetë, pikërisht në festën e madhe të “Mëvetësisë së Dardanisë”, “17 Shkurt”, që e donte dhe e priste aq shumë.

Fatmira ishte shumë optimiste, ëndërrimtare dhe plot energji, për punë të bukura dhe të dobishme në fushën e letërsisë. Madje në kthim, kur kaluam Prizrenin, planifikuam që në ditën e “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, më, 10 Qershor, 2024, të ishim së bashku, kështu si grup, në atë festë të madhe mbare shqiptare. Sot premtuam se do të shkojmë, ndërsa Fatmira do na përshëndesë nga Parajsa.

Fatmira është anëtare e lidhjes së shkrimtareve dhe artistëve të Durrësit.

Emri saj është i gdhendur në libra të ndryshëm, për të mbetur në kujtesë të kombit, në përjetësi.

 

Kadri Tarelli

Durrës më: 17. 02. 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat