Vaj i ndryshkur moteve

Kultura

Vaj i ndryshkur moteve

Nga: Tahir Bezhani Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 09:43
Tahir Bezhani

Një fotokujtim të nënës shpalosa sot

Më shumë se gjysmë shekulli kaluar

Më erdhi e gjallë si dikur

Kur fëmijë më la,pa lamtumirë

Nuk bëzante, e mallëngjyer më shikonte

Nuk rrëfeja brishtësinë e jetës

As vuajtjet nuk ia tregoja

Me sy akulli në dhomën e mërdhirë

Tregoja në emision mallin e djegur

Dhimbjen e përjetshme në foto

Ndërsa gazetarja më pyeti:

“A mund të deklamosh vargje për nënën?...”

Jo!- i fola!

Nuk e marr me vete zjarrin kurrë

E ruaj në dhomë, në palë librash

Lapidar kujtimi ndër mote

E ngroh shpirtin në vetminë e përmalluar

Kur valët e mallit avullojnë dënesje

Laj sytë me lotin e ndryshkur erë dheu

Në dyshekllak kulle djegur

Për Zogaj , Bytyçin, Tropojën

Zjarrit nëse flaka i shuhet

Rindizet shkëndijave të mallit....

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat