Tre rrënimet barbare të fëmijërisë time

Kultura

Tre rrënimet barbare të fëmijërisë time

Nga: Sami Mulaj Më: 25 shkurt 2024 Në ora: 15:45
Foto ilustrim

Fshati im i lindjes e mbështeste kryet si në një prehër të butë në pyllin shekullor e mahnitës të Berbateve…një masiv prej qindra hektarësh plot me lisa bungjesh, gështenjësh, lajthish e qershish. Jo vetëm fshati im por krejt fshatrat rreth e rrotull dukeshin sikur aty merrnin frymë. Aty ishte lënda drysore për ndërtime e për urat, për nxehje të shtëpive, për mbajtjen e furrave të gëlqeres…aty ishte kullosa e bagëtive dhe aty ishin dushqet e dimrit, aty ishte masivi ndër më cilësorët i gështenjave dhe aty…ishte stabilizatori natyror i klimës ku prej shekujsh fortunat, dallgët e natyrës e dimrat e egër zbuteshin e bëheshin të dashur dhe thatësira e verës dukej sikur spërkatej me lagështinë e pyllit duke sjellë freski krejt zonës.

Aty më ka mbetur bukuria dhe magjia e fëmijërisë….!

Aty kalonim mbas ditët e shkollës me lojra e duke ndihmuar prindërit tanë. Aty u rritëm me guxim e sprova të vështira për fëmijërinë që kaluam ( shpesh herë na gdhinte mëngjesi në thellësinë e tij duke lypur bagëtitë që kishin humbur ).

Të kesh një pyll të tillë kudo në botë ngjitë me banimin tënd do të ishte si një dhuratë hyjnore.

Atë e kishim…por, ja një ditë…u futen buldozerët si tankët në betejë duke shfryrë plot urrejtje dhe e rrënuan për pak muaj.

U nxorën lisat e pemët me rrenjë dhe edhe dheu që ishte krejt i butë si një dyshek me lesh, plot humus u përmbys dhe u kthye në një tokë të vdekur…

Jo që nuk u mbjell kurr por as barë më nuk mbiu. Iku sikur të mos ishte…një pyll mahnitës…

E mori me vehte dhe një sekret e një pikëpyetje timen që lidhet me origjinën e lashtë.

Midis atyre lisave shekullor ishte një rrënojë me gurë e mure që thirreshin Trojet e Kasaj.

Trojet…! Troje ishte një emër mistik që lindi pikërisht këtu…

Pse quheshin Troje…?!

Pse janë mbetë të tilla…?!

Ku u shpërngulen banorët…?!Çfarë kishte ndodhë në ato troje e me trojanêt e saj….?!

A mos këto troje mbetën të vdekura si Troja për një bukuroshe…apo?!

Në fëmijërinë e rininë time këto pyetje nuk bëheshin..por tani që bëhen,…nuk janë as pyelli, as lisat…as trojet…

Rrënimet në fëmijërinë time jo vetëm që e plagosën fëmijërinë e rininë time e të brezit tim por fshinë dhe lidhjen tonë të hershme…

Asnjë shenjë tjetër të lashtësisë nuk ka atje që të mund të kërkojmë…

Rrënimet rrënuan dhe lashtësinë e trazhgimin tonë.

Tropoja e Vjetër aty është…Por, pa Berbatet e Trojet e Kasajve nuk është Tropojë e Vjetër!

2. Rrënimi i dinjitetit…

Ishte një bahçe me gjithë llojet e pemëve frytore në mes të fushës të Tropojës.

Ajo fushë ishte “myzeqe”e vërtetë në Tropojën e Vjetër, një fushë pjellore e pa shëmbullt ( sa banorët e saj i vjelnin bostanet e kungujt me tezga se nuk kishte burrë ti mbante në krahë ).

Ishte e rrethuar gjithkah me bukuri të rralla, anës lumit dhe që i binte dielli gjithë ditën.

Ishte e ngulur si me dorë në mes të krahinës…dhe që dukej nga gjithë anët si një pikturë magjike që mahniste çdo njeri.

Në mes të atij qylymi të qëndisur nga natyra e banorët brez pas brezi Selim Gashi ( Memia )një teolog i shquar e ndër më të njohurit në Shqipëri e Kosovë dhe njeriu më i shkolluar i krahinës kishte bërë një bahçe që ishte më e mira jo vetëm në Tropojë ( në malësinë e Gjakovës ) por edhe më larg, ndoshta më e mira e më e njohura edhe në krejt rrafshin e Dukagjinit ( që shtrihej nga Peja e deri në Prizren ).

Kjo bahçe në kohën e fëmijërisë e të rinisë time ishte si një amfiteatër…ku kryheshin gjithë tubimet, festat e shumta dhe pjekjet e dasmorëve në ditët e dasmave.

Për shumë vite aty bëheshin edhe mbledhjet e mëdha të asambleve të kooperativës, takimet elektorale për fushatat e zgjedhjeve moniste, jepeshin koncerte e shfaqje filmash. Midis mollëve, dardhave e kumbullave organizoheshin lojna popullore e kërciste tupani.

Lojtarët, kengëtarët, valltarët e humoristët shkriheshin në atë mjedis përrallor si në ëndrra…

Aty shkonim si shkollar me klasa për të marrë mësimet e botanikës dhe për tu njohur me pemët frytore…

Kjo bahçe shërbente si laborator shkencor dhe aty kalonim edhe pasditët me lojna e nën hijen e pemëve luanim shah, herë herë edhe volejboll e më të vjetrit luanin domino.

Por…në një ditë të mirë e plot diell dëgjojmë zhurmën e sharrave, të sopatave e të traktorëve stalinecë.

Si në një betejë filmash njerëzit, banorët që prej vitesh ja kishin korrë frytet e saj ju vërsulen si kope ujqësh duke u kacafitur me urrejtje me pemët plot lule, e fruta e rrafshojnë gjithçka, dhe përmbysin livadhin e butë jeshil e nxjerrin me rrenjë çdo pemë…

Ato ditë të gjithë ishim të shqetësuar e ne fëmijtë ishim të tmerruar…

Na e fshinë nga faqja e dheut fëmijërinë tonë me lojrat e gëzimin tonë.

Pse e hoqën atë bahçe…?!

Çfarë të keqe bënë ato pemë…?!

A kishin ndonjë sëmundje a epidemi ato molla e kumbulla?!

E çfarë të keqe kanë për njeriun ato pemë që lëshonin vetëm aromë lulesh e frutash ?!

E pse u bënë të padashura këto pemë që mbushnin kamjonët çdo vit me targa të Tiranës, të Durrësit e të Krujës..?!

Dhe kurr nuk arrita atëhere të kuptoj…Pse ? Pse?

Ajo bahçe ishte pronë e kooperativës…Ai që e kishte mbjellë nuk e gëzoj kurr e as farefisi i tij.

Të rrënohet kjo bahçe me egërsi për emrin e saj…?!

Atëhere nuk kemi guxuar as të pyesim…e tani që guxojmë është shumë vonë…

Tropoja e Vjetër aty është…Por, pa bahçen e Selim Efendisë nuk është Tropoja Tropojë e Vjetër….!

3. Rrënimi i familjes…

Në varrezat e fshatit që ishin pak a shumë krejt në trojet e të parëve ishin dhe tre vorre të vëllezërve të mi, që kishin lindë pas meje.

Hamdiun dhe Muhametin nuk i mbaj mend si bebe, pasi edhe unë isha dy ose tre vjeç kur kanë lindur. Ata vdiqen njëri pas tjetrit krejt të porsalindë pa e bërë vitin kurse Skënderin e mbaj mend pasi isha pesë a gjashtë vjeç. Si në hije e përfytyroj fytyrën e tij ëngjēllore dhe ruaj imazhet e një portreti hyjnor sa aq herë që shoh bebe në fotografi, revista a nëpër filma e sa herë kam rrokë djemtë e mi e sot nipat e mi më duket se ai engjëll më ështe ringjallë e zoti ma sjell ta prekë e përqafoj.

Në se kam përpara një pyetje se ku është mrekullia unë pa asnjë mëdyshje do ta pohoja në atë imazh të fytyrën së vëllait tim, Skënderit.

Ruaj të pa fshirë në kujtesë kur si fëmijë për dore me nenën time vizitonim varrezat e gjenim tek varri i Skënderit një qingj e kjo kishte ndodhë disa herë. Kur nëna I tregonte gjyshes edhe ajo i thoshte se aty e kishte parë disa herë të njejtin gjingj të vogël…Meleqët bëhen bashkë e luajnë më thoshin e unë nuk e dija se çfarë ishin meleqet.

Por…një ditë…! Ah, ajo ditë është ngul në kujtesën time si më e tmerrshmja ditë. Vjen gjyshja në shtëpi duke bërtitë e shastisur…Na i morën djemtë me stalinecë bërtiste e bërtiste pa nda… i kanë shkatrruar vorret dhe bashkë me nënën nuk e ndanë kujën e britmën gjithë ditën. Më duket që atëhere pas asaj dite të zezë edhe nëna edhe gjyshja ime qenë tjetërsuar…u kishte humbë buzëqeshja e gëzimi.

Varrezat i kishin kthyer në një punishtë tullash. Me traktorë e me lopata gjithë kodrinën e varrezave e kishin lëvizur e dheun e kishin bërë pirg si një piramidë në mes të lugut të Gjurës. Aty puntorët çdo ditë e merrnin dheun bashkë me eshtrat e varrezave e përpunonin si brumë, e futnin në kallëpe dhe tullat e prera i rrasnin në furra….Që atëhere i urrej tullat…por jo puntorët e punishtës së tullave e as drejtuesit e tyre. Ata jam i sigurtë që ashtu siç bënë me varrezat e vëllezërve të mi atëherë do vepronin njëlloj edhe për fëmijtë e vëllezërit e vet…sepse edhe ata ishin dhunuar, edhe ata ishin tjetërsuar në “stalinecë”të ftohtë prej urrejtjes e arrogancës së kohës. Tani është vonë…Vëllezërit e mi bebe e pa varre…më sjellin me trishtim fëmijërinë time të goditur nga rrënimi barbar…Vendlindja ime aty ështe…në Tropojë, në Tropojën e Vjetër. Por edhe vendlindja ime,Tropoja e Vjetër, pa vorret e vëllezërve të mi nuk është Tropojë e Vjetër…

SM

Shkurt 22, 2024

New Jersey, USA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat