Heronjtë e heshtur të nëntokës me vendosmëri kundërshtuan Serbinë

Kultura

Heronjtë e heshtur të nëntokës me vendosmëri kundërshtuan Serbinë

Nga: Gani Bajrami Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 11:45
Kopertina

Dekada e fundit e mileniumit të dytë për Kosovën ishte një periudhë sa dramatike aq edhe e lavdishme. Dramatike, sepse në vitet ’90 të shekullit të kaluar Kosova u ballafaqua me terrorin e tmerrshëm, në shkallë gjenocidi, të shtetit serb mbi çdo gjë shqiptare dhe, e lavdishme, sepse të gjitha shtresat e popullit të Kosovës, morën pjesë në rezistencën paqësore dhe luftarake deri në çlirimin e Kosovës.

Në vitet ’90 të shekullit të kaluar Kosova, nën udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në krye me Dr. Ibrahim Rugovën, organizoi rezistencën paqësore kundër pushtimit klasik të Serbisë, si dhe krijoi një sistem paralel të qeverisjes, që mbante gjallë arsimin, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale. Me një qeveri në ekzil dhe me një organizim të mahnitshëm politik e institucional të brendshëm, Kosova arriti jo vetëm të mbijetoj duke demonstruar vazhdimisht mosdëgjimin qytetar ndaj organeve të pushtetit okupues, por edhe ngriti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për rezistencë të armatosur.

Një rol të rëndësishëm në tërësinë e rezistencës aktive kundër pushtuesit serb deri në çlirimin e Kosovës, e kanë luajtur edhe organizatat sindikale të Kosovës me anëtarësinë e tyre. Në kohën kur është themeluar (mesi i vitit 1990) Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) nevojë imediate ishte mbrojtja e identitetit kombëtar dhe e të drejtave dhe interesave të punëtorëve. BSPK, si asociacion jopartiak, themelohet në kohën e vlimeve të mëdha politike, kur ishte shtuar presioni i Serbisë për rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe, kur seriozisht po rrezikohej qenia shqiptare. Pikërisht për rolin, respektivisht rezistencën e sindikatës në këtë periudhë, më konkretisht të minatorëve, flet autori Ibrahim Zogiani, në librin e tij me titull “Ditari i një minatori”, ku autori në cilësinë e një veprimtari të dalluar sindikal, por edhe të një kroniku e komentuesi të ngjarjeve, ofron një pasqyrë të qartë për zhvillimet e ngjarjeve më të rëndësishme në Kosovë, nga fundi i viteve ’80 dhe deri në përfundimin e luftës në Kosovë më 1999. Autori ka pasqyruar rezistencën e madhe të punëtorëve shqiptarë të Kosovës dhe veçmas të minatorëve për të mos iu nënshtruar politikës shfarosëse dhe gjenocidiale serbe, si dhe përkrahjen që ata i dhanë luftës heroike të UÇK-së për ta dëbuar pushtuesin serb nga Kosova.

Autori Zogiani nuk e anashkalon as kontributin e diasporës, e cila ishte mirë e organizuar dhe shërbeu si pompë oksigjeni në momente rreziku ekzistencial të atdheut, siç nuk e anashkalon as ndihmën e madhe që i dha Kosovës komuniteti ndërkombëtar, madje edhe me bombardimin e Serbisë nga NATO, atëherë kur Kosova po përjetonte një katastrofë humanitare dhe një eksod biblik të kushtëzuar nga forcat ushtarake e policore dhe formacionet e ndryshme paramilitare serbe, që po shkatërronin çdo gjë shqiptare.

Dokumentar i shumë ngjarjeve që prezantohen në formë kronologjike

Lexuesi në këtë libër do të has në një kronologji të gjerë të zhvillimeve të ngjarjeve duke nisur nga gjeneza e suprimimit të autonomisë së Kosovës deri në luftën e UÇK-së, që ishte akti historik i sakrificës për lirinë e Kosovës. Zaten, rezistenca popullore për çlirimin përfundimtar nga Serbia është boshti që e lidh veprimtarinë e autorit dhe të organizatës sindikale, me theks të veçantë të rezistencës së minatorëve.

Libri i Ibrahim Zogianit vjen si dokumentar i shumë ngjarjeve që prezantohen në formë kronologjike, por edhe që jo rrallë janë të ndërlidhura me historinë dhe fatin tonë kombëtar, në të kaluarën tonë. Autori në këtë libër sjell edhe shumë të dhëna të rëndësishme statistikore të kohës, siç është shifra prej afro 150.000 punëtorëve shqiptarë të dëbuar dhunshëm nga puna, pastaj shifra për ndihma solidare punëtorëve të dëbuar nga puna dhe familjeve të tyre, shifra për minatorë të burgosur nga regjimi serb për shkak të rezistencës së tyre, e të tjera. Libri është një dëshmi për rrugën e mundimshme që ka pasur populli i Kosovës për liri dhe për pavarësi. Në këtë rrugë plot situata dramatike, si pararojë e rezistencës shquhen minatorët me sakrificën e tyre të madhe. Si njohës i mirë i aktivitetit sindikal, autori në librin e tij ka pasqyruar një mori aktivitetesh sindikale, duke mos i anashkaluar as problemet organizative dhe mospajtimet brenda udhëheqjes sindikale. Autori Zogiani një kohë mbajti pozitën e nënkryetarit të BSPK-së dhe një kohë ishte në krye të Degës sindikale të minatorëve, ku ai u dallua si një zë kritik i veprimeve përçarëse e destruktive brenda udhëheqjes sindikale. Me forcën e emocionit të thellë, autori Zogiani pasqyron marshet e minatorëve nga minierat e Kosovës në drejtim të Prishtinës për të kundërshtuar politikën antishqiptare të Serbisë, që synim të parë kishte rrënimin e autonomisë së Kosovës në bazë të Kushtetutës së vitit 1974, e pastaj edhe pastrimin etnik të Kosovës duke i dëbuar me dhunë shqiptarët. Po me këtë shkallë emocioni autori pasqyron edhe grevën e njohur të minatorëve të Trepçës nga 20 deri më 28 shkurt 1989, me të cilën u solidarizuan po ashtu me grevë edhe minatorët e minierave të tjera të Kosovës. Kjo grevë e minatorëve pati jehonë të madhe dhe u përkrah nga punëtorët e shumë organizatave punuese, studentët dhe thuaja nga i gjithë populli.

Mirëpo, politika nacionaliste, shoviniste dhe hegjemoniste serbe, në krye me Sllobodan Millosheviqin, nuk kishte ndërmend të ndalej. Votimi i ndryshimeve kushtetuese që kishin për qëllim zhbërjen e autonomisë së Kosovës si element konstituiv i Federatës jugosllave, më 23 mars 1989, në rrethana të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe suprimimi i Kuvendit e qeverisë së Kosovës, më 5 korrik 1990, ishin ato momentet vendimtare që ngjallën rezistencën politike të shqiptarëve të Kosovës, me demonstrata të njëpasnjëshme, rezistencë kjo që në fund të viteve '90 kulmoi me luftën e armatosur të shqiptarëve të Kosovës për çlirim nga thundra serbe.

Kronikë e një periudhe të stuhishme e dramatike të Kosovës

Në libër zënë vend edhe ngjarjet historike si: Miratimi i Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990, Referendumi i tetorit të vitit 1991 që Kosova shpallet shtet sovran dhe i pavarur, zgjedhjet e para demokratike parlamentare dhe presidenciale të 24 majit 1992, të cilat ishin bazament i fortë në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës. Jehonën e këtyre dhe ngjarjeve të tjera autori i librit e pasqyron duke sjellë para lexuesit edhe shkrime të shtypit të kohës dhe raporte të disa organizatave ndërkombëtare, por edhe të sindikatave të vendeve perëndimore me të cilat bashkëpunonte sindikata kosovare. Autori shkëput pjesë edhe nga disa rezoluta të rëndësishme të asociacioneve ndërkombëtare që i kushtohen gjendjes në Kosovë. Një pjesë e konsiderueshme faqesh në libër i kushtohet edhe kohës kur u mbajt Konferenca e Rambujesë, marrëveshja e nënshkruar atje nga pala kosovare dhe fillimit të fushatës së bombardimeve të caqeve serbe nga NATO, por edhe eksodit biblik me të cilin u ballafaqua popullata kosovare.

Në librin “Ditari i një minatori” që është strukturuar në 10 njësi gjejmë edhe ngjarje dhe rrëfime që kanë mbetur në kujtesën e autorit, disa prej të cilave ai i paraqet në formë të kujtimeve e disa në formë të ditarit për ngjarjet e situatat e viteve dramatike të Kosovës. Në të vërtet libri hapet me njësinë “Kujtime nga jeta familjare” ku autori tërheq një paralele nga koha e gjyshit të tij, Rizah Mehmet Zogiani, i cili u ballafaqua me të keqën e madhe që i ngjau fshatit Harilaq pasi pushteti serbo-sllav ua uzurponte tokat, madje dikujt edhe gjysmën e shtëpisë, për t’ua dhënë kolonistëve serbë e malazias. Po i njëjti pushtet okupues, nipit Ibrahim Zogiani, në vitin 1990 ia morën banesën dhe vendin e punës për t’ia dhënë një serbi që erdhi në Kosovë si kolonist. Duke përmend peripecitë e shumta të gjyshit e babait të tij, autori tregon se si gjyshi ishte detyruar ta blinte një armë dhe ta dorëzonte në kohën e aksionit famëkeq të armëve, më 1956, kur shqiptarëve u kërkohej t’i dorëzonin armët që nuk i kishin. Në kujtesë të autorit kanë mbetur edhe demonstratat e vitit 1968. Atë kohë ai ishte nxënës i shkollës së mesme teknike ”19 Nëntori" në Prishtinë dhe mban mend se si nxënësit kishin kërcyer nga kati përdhes për të marrë pjesë në demonstrata, edhe pse autoritetet ua kishin mbyllur dyert e shkollës. Libri mbyllet me njësinë “Kujtime të paharrueshme” ku zë vend lajmi i emetuar nga TV Beogradi, më 11.08.1990 për masat e dhunshme në disa ndërmarrje, ndër to edhe në minierën “Goleshi” të Magurës, në të cilën ai ishte i punësuar. Tani më ishte e qartë se në ato organizata ku aplikoheshin masat e dhunshme një pjesë të punëtorëve i largonin nga puna dhe, për autorin ishte e pritshme se ai ndër të parët do të jetë në listën për largim. Emocione të veçanta autorit i ka krijuar dita e parë në minierë, pas lufte, më 28.06.1999, si dhe takimi i parë me karakter bashkëpunimi me Sindikatën e minatorëve, gjeologëve dhe pasuruesve të Shqipërisë (prill 1993) dhe takimi me përfaqësues të Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë (nëntor 1993).

Në fund dua të theksoj se libri i autorit Ibrahim Zogiani “Ditari i një minatori” është kronikë e një periudhe të stuhishme e dramatike të Kosovës, të një kohe të sprovave të mëdha, në të cilën shpërfaqet edhe vepra e shumë heronjve të heshtur, veçmas e minatorëve që shpesh quhen heronjtë e nëntokës. Ata me vendosmëri e kundërshtuan Serbinë dhe nuk kursyen asgjë nga vetvetja për të mirën e përgjithshme dhe për çlirimin e Kosovës. Kjo kauzë nuk do të mund të realizohej po të mos mbizotëronte ndër ne uniteti, solidariteti, ndjenja njerëzore, ndërgjegjja e lartë kombëtare, dëshira për lirinë dhe ndjenja e sakrificës për liri, të cilat hasen dendur në faqet e këtij libri, i cili do të jetë një trashëgimi e rëndësishme për brezat që vijnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat