Don Anton UKA, Etika e syçelëtsisë

Kultura

Don Anton UKA, Etika e syçelëtsisë

Nga: Don Lush Gjergji Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 13:00
Nga promovimi i librave

Para së ta shtjelloj me pak fjalë këtë vepër, dua t’i paraqes dy personalitetet, së para autorin e librit, Dr. Don Anton UKA, pastaj kardinalin e ndjerë të Milanos, Carlo Maria Martini-n  (1927 – 2012).

Don Anton Uka lindi në Stubëll më 7 nëntor 1979; shugurohet meshtar në vitin 2005. Pas studimeve pasdiplomike ka doktoruar në Universitetin e famshëm të Gregorianës me temën: Dëgjimi i Fjalës si metodë – Analizë teologjike – shpirtërore e Letrave baritore të Carlo Maria Martini-t.

Deri tash ka botuar 9 tituj në gjuhën shqipe, dy në gjuhën  italiane.

Aktualisht është  në shërbim në Misionin Katolik Shqiptar në Lucern – Zvicër, ku boton pos tjerave edhe revistën “Misioni ynë”.

Kardinali Carlo Maria Martini lindi në Torino15 shkurt 1927. Shugurohet meshtar më 13 korrik 1952. Ka doktoruar teologjinë themelore në Universitetin e Gregorianës në vitin 1958, më vonë edhe shkencat biblike,  në vitin 1966. Gjatë viteve 1969 – 1978 ishte rektor i Institutit Biblik në Romë, si dhe rektor i Gregorianës.

Papa Gjon Pali II e kishte emëruar arqipeshkëv të Milanos në vitin 1979; kardinal në vitin 1983.

Pas dorëheqjes shkaku i moshës 75 vjeçare, ishte tërhequr në Jerusalem. Ka vdekur në vitin 2012.

Është një ndër teologët më frytdhënës me shkrime, botime, ushtrime shpirtërore, ligjërata, të përkthyera në shumë gjuhë botërore.

Vepra që po e paraqesim në një mënyrë është thelbi i porosive të kard. Martinit në Letra Baritore, si pjesë themelore  biblike dhe teologjike, përshpirtërie, edukimi në fe, disi në “stilin” e Zotit, syçeltësisë së shpresës dhe historisë së eskatologjisë për takim, afrim dhe bashkim përfundimtar me Jezusin e ngjallur në amshim.

Temat boshte e këtij trajtim, letrës “Jam te dera” është jeta – vdekja – amshimi si kurorëzim i jetës në kohë dhe në hapësirë, dhe si “përngjarje” me Jezusin e ngjallur.

Një temë e veçantë është koha sipas shikimit njerëzor dhe atij hyjnor, si dhe kuptimi, domethënie, rëndësia për tash dhe në amshim.

Rreth syçeltësisë kardinali C. M. Martini sipas Don Antonit është: “Etika e syçeltësisë do të thotë edhe thirrje për të jetuar me përgjegjësi dhe me entuziazëm çdo akt të pranisë së Hyjit dhe për të kuptuar se vlera më e lartë e çdo zgjedhjeje morale gjendet  në përpjekjen për t’i pëlqyer Hyjit dhe për ta shenjtëruar emrin e tij duke bërë vullnetin e tij. Këtë mënyrë të jetuarit  dhe të vepruarit, Martini e quan etika e shoshitjes.”

Syçeltësia, sipas kardinal Martinit, është së pari për njerëzit e kushtuar, por edhe për të gjithë të krishterët, sipas parimit të Jezusit : Rrini zgjuar..., dhe dëshmon që i krishteri jeton hic et nunc, këtu dhe tani, por i orientuar kah amshimi dhe pavdekësia.

Letra baritore: ”I flas zemrës tënde”, e paraqet si një lloj rregulle për besimtarët e vet, testamenti shpirtëror. Pas pyetjeve rreth heshtjes së Zotit, fshehjes së tij, shtimit të së keqes, padrejtësive, dhunës, sëmundjeve, rreziqeve, luftës, duke përfunduar që çdo pyetje apo vështirësi, ka vetëm një përgjigje, Jezu Krishti, kryqin i tij, apo të ndihesh i dashur prej dikujt që është më i madh dhe më i mirë se ti...

Në këtë pjesë të Letrës paraqiten tri dhurata: traditio, receptio dhe redditio, pranimi dhe  marrja, si dhe kthimi i të mirave të pranuara, si qëndrime jetësore për çdo të krishterë.

Në vazhdim është analiza e Letrës: “Tre tregime të Shpirtit”, mbi rolin e Shpirtit Shenjt në jetën dhe veprimtarinë e krishterë, pa të cilin nuk mund të besojmë, edhe më pak të jetojmë dhe të dëshmojmë fenë tonë.

Roli i Shpirtit Shenjt është i shumëfishtë: sidomos në zbulimin e Atit si  Babë – Abba i të gjithëve, me këtë edhe vëllazëria universale, takimi me besimtarët, me jobesimtarët, të varfrit... (Letra: Kthimi te Ati i të gjithëve).

Pjesa përfundimtare i kushtohet të shtunës, Virgjërës Mari si Nëna e jetës, shpresës, dashurisë dhe jetës së krishterë.

Libri përfundon me bibliografi të përgjithshme dhe të Carlo Maria Martinit  (f. 124 – 127).

Me pak fjalë, ky botim begaton shtypin tonë, është një mundësi e mirë për besimtarë, të krishterë, por edhe për të gjithë njerëzit e vullnetit dhe zemrës së mirë, që ta fillojnë një ecje burimore në kërkimin e përgjigjeve themelore të jetës me dritën e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.

Prishtinë, 22 shkurt 2024                                                          

Don Lush GJERGJI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat