Poeti i dashurisë dhe magjia e frymëzimit poetik

Kultura

Poeti i dashurisë dhe magjia e frymëzimit poetik

Nga: Baki Ymeri Më: 1 mars 2024 Në ora: 00:36
Remzi Basha

Burri është krijesa më e lartë. Gruaja është ideali më sublim. Perëndia krijoi një fron për burrin, një altar për gruan. Froni lartëson, altari shenjtëron. Burri është truri, gruaja është zemra. Truri merr dritë, zemra merr dashuri. Drita fekondon, dashuria ringjall. Burri është i fortë përmes arsyes, gruaja është e pamposhtur përmes lotëve. Arsyeja bind, lotët frymëzojnë shpirtin. Burri është i aftë për heroizëm, gruaja - për çdo sakrificë. Heroizmi fisnikëron, sakrifica sjell sublimen. Burri ka epërsinë, gruaja ka intuitën. Supremacia do të thotë forcë, intuita përfaqëson drejtësinë.

Femra është krijesa më e bukur në këtë botë. Kristali po u thye, s'e ngjit dot. Falini femrës veç dashuri dhe jo lotë! Remzi Basha shkruan një poezi të ndjeshme, të rrjedhshme, me infleksione sentimentale të një hijeshie të rrallë: Qielli i Dardanisë, një qiell dashurie/ Ka vajza të hijshme, bekim Perëndie/ Qielli i Dardanisë ka vajza të bukura/ Janë aq të hijshme, për t'i pirë me kupa. Vargjet e tij burojnmë nga një shpirt i zjarrtë e i vrullshëm, i kapshëm nga magjia e gjuhës shqipe, e flamurit shqiptar, por edhe i rrëmbyer nga bukuria e natyrës që mban jehonat e një historie të gërshetuar me elemente pitoreske. Dardania konfigurohet si një hapsirë e mbrujtur me një shenjtëri të veçantë, të cilën poeti e pikturon dhe konzervon nën aspektin e një lirizmi të dridhshëm.

Burri është një gjeni, gruaja është një engjëll. Gjeniu është i pamatshëm, engjëlli është i pashprehur. Aspirata e burrit është drejt lavdisë supreme, aspirata e gruas drejtohet drejt virtytit të përsosur. Lavdia e bën çdo gjë të madhe, virtyti e bën çdo gjë hyjnore. Burri është një kod, gruaja është ungjilli. Kodi korrigjon, ungjilli na bën të përsosur. Burri mendon, gruaja intuiton. Të mendosh është të kesh një tru superior. Të kesh intuitë, të ndjesh, do të thotë të kesh një aureolë në ballë. Burri është një oqean, gruaja është një liqen. Oqeani ka një perlë që e zbukuron, liqenin, poezinë që e ndriçon. Burri është një shqiponjë fluturuese, gruaja - një bilbil këndues. Të fluturosh do të thotë të dominosh hapësirën, të këndosh do të thotë të pushtosh shpirtin. Burri është një tempull, gruaja është shenjtërore. Përpara tempullit ne zbulohemi, përpara shenjtërores gjunjëzohemi. Burri vendoset aty ku mbaron toka, gruaja ku fillon qielli.

Magjia e poezisë së Remziut na vjen si një dhunti e veçantë e shprehjes me një çiltërsi të hijshme, të hapur e transparente, dhe assesi si një “eksploatim” semantik i mbyllur. Vargjet  e tij kanë një atdhetarizëm plot shend e verë. Shëmbëlltyrat e një ndjeshmërie të mëndafshtë që hiperbolizojnë objektin e dashurisë dhe atdhedashurisë, zgjon admirimin e një mrekullie të veçantë. Dashuria ka këtu një shkëlqim të mahnitshëm. Ajo është gjenerator i energjive të mbara: Qielli i Dardanisë si ti s'ka të dytë/ Po vdiqa larg teje, s'do më dalë ky shpirt/ Se Qielli i Dardanisë është xhami e kishë/ Dërgomëni një copë dhe ngjallem si Krisht!

Vërehet këtu një infuzion i çliruar elementesh folklorike që vijnë nga një lashtësi fabulative, nga përrallat e kulturës popullore, nga një e shkuar heroike e përjetësuar në kujtesën afektive familjare, përzjerja e së cilës e pronëson artin poetik të krijuesit: Mua më piku dashuria, më goditi mu në kokë/ Si të jetë meteor, meteor që bie mbi tokë./ S'më goditi veç në kokë, më goditi drejt në zemër/ Që ta dini miq e shokë, nuk duroj sa shoh një femër! Poetët janë profetët e ditëve tona, ata preken nga engjëlli me krahun shërues dhe diktojnë vargjet e tyre.

Biografia e autorit është gurrë e poezisë së tij, burim i një autenticiteti origjinal që thellësohet sipas përmasave të njohjes, të vetëdijësimit të magjisë së dashurisë: Ja më thoni, o zotërinj, a i bëhet kësaj naze?/ Herë më duket si ftujake, herë më duket si sorkadhe,/ Po kjo tjetra që nga larg, më buzëqesh e synë më shkel/ Po bukën s'e ha thatë. Shpirt, o shpirt, si nuk po del. Mërgimtari ynë vjen para nesh me vargje briliante, interesante dhe mbresëlënëse: A durohet kjo"noksiania" që ka nxjerrë gjirin çipllak/ Unë e shoh dhe s'e mbaj veten dua t'ia thithë atë gji pak/ Nuk kam faj fare, i shkreti, ju betohem për Perëndi!/ Le të vijë për mua kiameti, s'jetoj dot pa dashuri.

Remzi Bashas është maraton i admirimit dhe një poet i botës moderne, por nuk mund t’i harrojë apo mohojë rrënjët nga të cilat poezia e tij e shkëput lëngun e përmbushur me vitalitet të përbujshëm. Lirika e tij gërshetohet me zjarrin e një djegjeje tërësisht speciale. Po filloj kështusoj, ngase me të arritur në mbarim të leximit, u mahnita fort, si nga stili dhe trajtimi që i dallon poeti i përfshirë në vëllim, poashtu edhe nga ajo që i bashkon vargjet nën shenjën e admirimit, të ndjeshmërisë dhe të forcës për të mbetur kudo, në çdo rrethanë, me zemër në fërgëllimën a vatrës amtare.

Remzi Basha është shqiptar i qëndrueshëm porsi ushtari, dashamir i vlerave hyjnore siç është fluturimi i tyre për në qiell. Poeti ka këmbënguljen, guximin, qëndresën dhe durimin e lumenjve të malit që e marrin rrugën për në gjerësi të fushës, pa marrë parasysh shkëmbinjtë, me bindjen se, më herët apo më vonë, do ta zbusë me ujërat e tij etjen e atyre që e presin. Këti Njeriu të jashtëzakonshëm dhe Madhështor në çdo gjë që bën, poezia shqipe i ka borxh të madh, jo vetëm për vlerat, por edhe për prurjen e tyre në shpirtin e kohës së aktuale të diasporës shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat