Disa refleksione të mia për librin “Ora e Kosovës” të Presidentit (2006-2010), Fatmir Sejdiu!

Kultura

Disa refleksione të mia për librin “Ora e Kosovës” të Presidentit (2006-2010), Fatmir Sejdiu!

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi Më: 3 mars 2024 Në ora: 18:07
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Të premten e kaluar, më 1 mars 2024, isha në promovimin e librit të SHT President dhe Prof. Dr. Fatmir Sejdiu të titulluar “Ora e Kosovës”, botuar në Prishtinë nga AAB University. Ky libër u promovua edhe në Prishtinë tri ditë para festës kombëtare të Pavarësisë, ku mori pjesë presidentja e Republikës, Vjosa Osmani. Ndërsa sot promovimi i “Ora e Kosovës” u realizua nga Universiteti Mesdhetar i Tiranës dhe u moderua nga Anasatas Angjeli. Aty folën jo më pak se tre profesorë të këtij universiteti, pa llogaritur zotin. Sigurisht që promovimi në Tiranë ishte një ngjarje për botimin e këtij libri. Por imazhi që krijoi ky aktivitet më dha ndjesinë e një kurimi politik me personazhe që nuk kanë asnjë lidhje me Kosovën. Ndërsa ata që folën patën me shumicë inflacion fjalësh vetëmburrëse. Thanë shumë pak për librin e shumë tepër për ndonjë pasazh të lidhjeve të tyre me Kosovën e presidentin Sejdiu, aq sa dukej sikur protagonist i ngjarjeve në Kosovë nuk ishte autori i librit, por këta mburracakët e Tiranës, që nuk lënë rast të tillë pa e rrëmbyer trofenë e pas luftës e pas-kuvendit, gjithnjë në këmbim të kompensimeve që u duhen për qëndrimet e tyre së paku indiferente për Kosovën e ndaj Kosovës.

I kërkova moderatorit Angjeli që të flisja diçka edhe unë. Më beri shenjë se do të marrte në konsideratë. Por nuk ma dha fjalën. Në respekt të faktit, se në një event të organizuar nga një institucion tjetër, ti nuk mund të insistosh në marrjen e fjalës, nuk bëra të pabindurin. Por unë doja të flisja për librin dhe jo aq për autorin. Doja të bëja disa propozime në dobi të çeshtjes për përkthimin e përhapjen e librit dhe jo thjesht në dobi të autorit apo të dikujt tjetër. Doja të theksoja karakterin thellësisht shkencor të veprës dhe jo të bëja protagonistin në ngjarje, të cilat mund t’i kem paqsqyruar në librat e shkrimet e mia, por jo si pjesmarrës në to! Ndërkohë thuajse të gjithë folësit thanë fjalë të mira për Profesor Sejdiun dhe aspak ose shumë pak folën për përmbajtjen e librit. Ndonjë prej tyre e shfrytëzoi promovimin për të bërë “Belulin”, pra për të evidentuar veten.

Doja që secili që foli aty, së paku të kishte nxjerrë ndonjë mësim nga leximi i librit të Presidentit Sejdiu “Ora e Kosovës”! Të reflektonte! Secili në mënyrën e vet! Por jo! Zero! Thjesht mburrje për veten për një vepër të dikujt tjetër, kësaj radhe të Prof. Dr. Fatmir Sejdiu. Ndërkaq libri “Ora e Kosovës, shkruar me aq vërtetësi dhe brenda kritereve shkencore i Fatmir Sejdiut fton në radhë të parë për refleksion. Me leximin e atij libri reflekton gjithkush që ka sadopak ndjenjë reflektimi e ndryshimi. Veçmas politikanët shqiptarë, që në sallë ishin me shumicë.

Doja që të të bëja një lidhje të pashkëputur midis veprimtarisë së Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, gjë që shprehet mirë e qartë në librin “Ora e Kosovës”! Sepse të gjithë prej folësve të shumtë, përveç redaktorit të librit, Ibrahim Berisha, refuzuan jo pa qëllim ta përmendin tangent këtë lidhje! Në fund të fundit dhe shumica e të ftuarve e kishin luftuar me ashpërsi figurën dhe personalitetin e Ibrahim Rugovës. Ndonjë prej të pranishmëve, për mua, së paku ka patur dijeni edhe për vrasjet politike të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Rugovës. Por qëllimisht organizatorët e promovimit i kishin ftuar këta për të fshehur shumë të vërteta të shkuara! Gjithësesi, “Ora e Kosovës” sërishmi nuk do të bëhej edhe ora e tyre!

Vepra e Sejdiut është e kundërta e natyrës konfliktuale të këtyre politikanëve. Dhe cilat mund të jenë refleksionet e mësimet që secili politikan, akademik dhe profesor mund të nxjerrë nga leximi e studimi i kësaj vepre?

Nëse je vëzhgues i vëmendshëm i veprës “Ora e Kosovës”, ve re se ajo është shkruar me metodën e përshkrimit, kallximit, pra tregimit dhe në formën e rrëfimit. Që do të thotë se vepra është dëshmi autentike e ngjarjeve dhe rrjedhave të kohës që trajton autori. Nuk është trillim bazuar në trillet e konfliktit politik. Vepra nuk ta krijon përshtypjen se sjell konflikt të ashpër as me Serbinë dhe përfaqësuesit e saj në bisedimet e Vjenës, pavarësisht se autori për shkak të terrorit serb në Kosovë e kishte njohur babain e tij në moshën katër vjeç në burgun e Nishit. Kur them me Serbinë, autori kurrësesi nuk krijon ndjesi konflikti e inati për kundërshtarët politikë në Kosovë.

Thelbin e përmbajtjes ai e shpreh në atë që u quajt procesi i bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës, proces që e kryesoi në vitet 2006-2008 vetë presidenti Fatmir Sejdiu. Ndërsa kulmi shënohet me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Duke lexuar librin më rezulton se autori, megjithëse protagonisti kryesor i këtyre ngjarjeve ka më pak lëvdata, sesashumatoorja e lëvdatave të atyre që folën në promovim. Modestia në të shkruar është tipari kryesor i tij. Dhe kjo modesti është mjaftueshëm si produkt për të reflektuar.

Nga ana tjetër, i rashë nga fillimi e deri në fund këtij libri dhe nuk gjeta asnjë epitet, asnjë ofshamë, asnjë shprehje inati dhe mllefi. Nuk gjeta dot asnjë krahasim nënçmues për personazhet poltike kundërshtarë të tij në Kosovë. E thashë, nuk gjen të tilla forma shprehjeje as për kundërshtarët në bisedime, pra për Koshtinicën dhe palën serbe. Thjesht dominon argumenti, ftohtësia, urtësia, në trajtimin e çdo kontradikte dhe debati.

Ndërsa ata që ishin në sallën e promovimit sot në Tirana Internationl Hotel, edhe sikur pesë rrjeshta të shkruajnë do të përdorin fjalët më fyese dhe bullizuese për tëtjerët. P.sh gjen fjalën “sharlatanë” në gojën e akademikëve tanë të famshëm për sharje dhe fyerje. Sepse politikanët tanë, por edhe shumë profesorë dhe akademikë në Shqipëri ndjehen fitimtarë e të përmbushur vetëm nëse përdorin me shumicë epitete fyese dhe nëse shfryjnë inate e mlefe të akumuluara, kryesisht për shkak të ndikimeve ideologjike. Konkluzioni: Ai që shkruan me brengën e fatit të atdheut e të kombit i kursen ose i eviton bullizimet tipike shqiptarçe të atyre që duan pushtetin e pasurinë!

Për autorin e librit, Fatmir Sejdiu, atdheu, kombi, ekuilibri, harmonia janë primare. Interesat personale, ambiciet vetjake, egot janë të papranueshme. Ndaj ai nuk shfaqet në asnjë rast, në asnjë frasë ose fjali egoist e inatçor. Nëse lexon historinë e leximit të Deklaratës së Pavarësisë, që pasqyrohet në “Ora e Kosovës”, aty duket qartë se Hashim Thaçi këmbngul me çdo kusht që ta bëjë ai atë lexim, që t’i dukej vetja si Ismail Qemali. Edhe pse presidenti ishte i pranishëm, edhe pse ai ishte kryetar i Shtetit, edhe pse Sejdiu udhëhoqi dialogun për statusin dhe me vendosmëri e këmbngulje ia arriti të fitojë opsioni i pavarësinë, sërishmi thotë: “Ne këtu jemi në parlament dhe deklaratën e Pavarësisë do të duhej ta lexonte kryetari i parlamentit”! D.m.th Jakup Krasniqi. Por Thaçi këmbngul në egon e tij dhe Fatmir Sejdiu thotë “Ok! Le ta lexojë kryeministri”! Ai në libër vetëm sa e përshkruan debatin e tillë, pa bërë asnjë koment, aq më pak të shprehë pakënaqësi që burojnë nga egoja njerëzore. Krahasojeni “Kurbanin” me këtë libër dhe do të shohësh se ndryshimi është si midis të bardhës e të zezës.

Libri i Profesor Sejdiut “Ora e Kosovës” është shkencë, sepse pasqyron një realitet historik të caktuar. Autori shkruan për periudhën historike më të lavdishme në historinë e Kosovës. Ai është dëshmitar dhe protagonist kryesor i kësaj periudhe dhe rrëfen në detaje të vërteta të mëdha, madje me gjuhë dhe stil shkencëtari. Zoti Sejdiu na thotë në libër mësimin shkencor, sipas të cilit, thelbi e të vërtetës shprehet vetëm përmes rrëfimit, argumentit, ballafaqimit të të fakteve e dëshmive. Logjika dhe racionaliteti janë dy tiparet themelore të librit të tij.

Jo vetëm kaq. Libri i Prof. Dr. Fatmir Sejdiu është pasqyrimi objektiv i një realiteti të caktuar në një epokë historike të pazakontë për Kosovën, për shqiptarët dhe gjithë rajonin. Ndërhyrja e NATO-s për çlirimin e Kosovës dhe shpallja e pavarësisë përmes procesit të bisedimeve të Vjenës, proces të cilin e udhëhoqi presidenti Sejdiu, kanë filluar tashmë të bëhen pjesë e kurrikulave dhe teksteve universitare në të gjithë botën. Kjo sepse këto dy ngjarje janë epokale dhe përbëjnë kthesën më të rëndësishme të kohës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për këtë arsye “Ora e Kosovës” e Fatmir Sejdiut do të shërbejë si material përshkrues dhe argumentues i botës akademike në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në të gjithë globin, pra, jo vetëm në Kosovë e në Shqipëri. Ky mund të ishte një lloj refleksioni për prapambetjen tonë për të qenë të pranishëm me të vërtetat tona në libraritë dhe bibiliotekat e vendeve të ndryshme anë e mbanë botës. I vetmi reflektim ishte ai i Profesor Paskal Milo që theksoi se ky libër na jep mësimin historik, sipas të cilit historia nuk fillon e mbaron me kohën e një lideri ose një lidershipi. Nuk pati asnjë refleksion tjetër!

Botuesi do të duhet me shpejtësi të mendojë e të punojë për ta sjellë “Orën e Kosovës” në dritë në anglisht dhe gjuhë të tjera. Por jo thjesht me siglën e AAB-së. Botuesi do të duhet të bashkëpunojë me shtëpi botuese të famshme ndërkombëtare. Sepse libri ka nevojë të shpërndahet në të gjitha bibliotekat universitare në botë, gjë të cilën gjykoj se nuk është i aftë ta bëjë asnjë botues shqiptar. Kjo nuk është thjesht detyrë akademike e shkencore, por edhe patriotike. Sepse shpërndarja e këtij libri në universitetet e vendeve të ndryshme do të shërbejë për të qartësuar të vërtetën e madhe mbi Kosovën. Do të shërbejë që t’i japë vlerë e legjitimitet ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe pavarësisë së saj. Studentët kudo në botë duhet të mësojnë të vërtetën universale që lidhet me Kosovën. Dhe libri “Ora e Kosovës” e kryen me saktësi këtë mision.

Megjithatë në promovimin e së premtes në Tiranë e madje as në atë të Prishtinës me 14 shkurt askush nuk foli për këtë. Arsyet nuk kanë nevojë për shpjegim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat