Fjala në promovimin e librit të Yrjet Berishës: "Proza e Martin Camajt", botoi "Faik Konica", Prishtinë 2020

Kultura

Fjala në promovimin e librit të Yrjet Berishës: "Proza e Martin Camajt", botoi "Faik Konica", Prishtinë 2020

Nga: Skender Zogaj Më: 8 mars 2024 Në ora: 21:27
Skender Zogaj

Yrjet Berishën qe 6 vjet nuk e kemi të pranishëm fizikisht në mesin tonë, por, siç po e vërteton koha, është i pranishëm në mendjet dhe në zemrat tona, si shok e mik i dashur, profesor i nderuar i Universitetit "Ukshin Hoti" të Prizrenit, intelektual i çmuar, demokrat idealist e atdhetar i flaktë, veprimtar i palodhshëm kulturor dhe shkrimtar, nga më të mirët e Qarkut letrar të Prizrenit e më gjerë.

Shkoi shumë herët në amshim,  por Yrjet Berisha qëndron dritëplotë në kujtesën tonë, sepse, ka lënë pas vetes vargun e dorëshkrimeve dhe të veprave të botuara, në të cilat jeton drita e mendjes dhe fryma e shpirtit të tij, ku ne dhe brezat e ardhshëm do të mund të komunikojmë me shkrimtarin dhe t’ia shijojmë vlerat e bukura artistike të krijimtarisë së tij të pasur letrare.

Po e theksoj me këtë rast ecjen artistike të Yrjet Berishës, nga vargjet e para rinore të lexuara nëpër orët letrare dhe vjershat e të botuara nëpër gazetat dhe revistat e kohës, pas të cilave ndodhi kurorëzimi i talentit të Yrjetit me tre vëllime të bukura poetike:

“Anatomia e vetmisë” (1994),  “Vetë” (1994), dhe ”Edhe rastësi” (2000), që përbëjnë trilogjinë artistike për autobiografinë e autorit dhe të njerëzve të atdheut të tij në kohë robërie! Kësaj kohe i interferohen edhe drama “Ora” e botuar në vitin 2000 dhe romani “Ulkiani”, i botuar në vitin 2004, që i përkasin fondit të krijimeve të vecanta letrare e artistike.

Krahas krijimtarisë artistike, Yrjet Berisha është edhe studjues i zoti, hulumtues i zellshëm, analizues i thuktë dhe shije-hollë, e me formim të mirëfilltë teorik. Koha po e vërteton se shkrimet kritike dhe studimet letrare të Yrjetit, përmbajnë vlera të rëndësishme për zgjerimin e njohurive dhe për thellimin e mendimit të teorisë estetike dhe të kritikës letrare shqipe. Këtë konstatim e argumenton bindshëm edhe libri "Proza e Martin Camajt", që po e promovojmë sot, duke iu falenderuar shkrimtarit tonë të mirënjohur, Nazmi Rrahmanit, i cili po bën punë kolosale për ta përmbushur amanetit e rilindësve tanë, që librin e konsideronin mjetin më efikas për zhvillimin dhe përparimin kombëtar! Më këtë përkushtim Nazmi Rrahmani e ka ruajtur për shumë vjet dorëshkrimin e Yrjetit, sikur të ishte vepra e tij dhe, në çastin e parë të volitshëm e nxori në dritë, kurse ne sot, nga ky promovim po ia hapim portën e botës së madhe të librit shqip. 

Lexuesit, kritikët, specialistët e gjuhës e të letërsisë padyshim që do t’ia pasqyrojnë vlerat përmbajtësore këtij studimi voluminoz prej 330 faqesh, që është dëshmi e punës madhore të autorit, i cili guximshëm iu ka qasur shkrimtarit specifik dhe shumë kompleks, sic është Martin Camaj, i cili që në rininë e tij të hershme bie ndesh me diktaturën komuniste, që e shpall të padëshirueshëm dhe ky, për ta shpëtuar kokën detyrohet të arratiset dhe deri në vdekje të qëndroj zemërkallur larg atdheut dhe njerëzve të vendlindjes së tij!

Ky është shkaku që Camaj i ka të zjarrta fjalët dhe përvëluese përmbajtjet e shkrimeve. Dhe, pikërisht këtu qëndron edhe arsyeja e Yrjet Berisha që me pasion i rreket flakërimës artistike të prozave të Camajt, që në mënyrën më të plotë e pasqyrojnë figurën poliedrike të këtij shkrimtari, gjuhtari, filozofi, studjuesi, përkthyesi dhe publicisti elitar që ka shkëlqyer edhe në histori, etnografi, psikologji etj., që janë dëshmi se Martin Camaj qëndron në piedestalin e figurave kombëtare shqiptare. Yrjet Berisha Camajn e krahason me Fishtën dhe Koliqin dhe me admirim ia shquan: “origjinalitetin e të folmes së gjuhës veriore, që ka bukuri të vecantë në të shprehurit e fuqishëm me plot nyanca jetëdhënëse, zdërvjelltësi shqiptuese, tingëllimë e jehonë lashtësie e krenarie nga rrënjët e hershme ilire...”(fq.269) 

Studimi i Yrjet Berishës sjellë të dhëna me interes për të gjitha nivelet e lexuesve, dhe kjo është kontribut konkret shumë i rëndësishëm sepse, nëse nuk e njohim jetën dhe veprimtarinë e Martin Camajt, nuk mund ta njohim kurrë mjaftueshëm as vlerën e kombit dhe të atdheut tonë.

Këtij qëllimi i shërben fuqishëm studimi i Yrjet Berishës prandaj duhet të jetë i pranishën nëpër të gjitha katedrat studentore, nëpër bibliotekat e shkollave të mesme por edhe në cdo familje, sepse ky libër i zbukuron dhe i pasuron shtëpitë tona shumë më tepër se cdo lloj ornamenti i kristaltë.

Skënder Zogaj

Prizren, 7 mars 2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat