Trëndafilat e Anesë

Kultura

Trëndafilat e Anesë

Nga: Beqir Sina Më: 9 mars 2024 Në ora: 18:08
Foto ilustrim

Nga dita e parë e shkollës më kanë mbetur në mendje trëndafilat e Anesë. Ishte shtator 1964. Vehip Hoxha, me Anenë dhe tre vajzat, kishin një trëndafil të madh përpara shtëpisë, ku merrte buqeta pothuajse i gjithë kampi. Trëndafili i Anesë në mes të oborrit të tyre, (i vetmi pa gardh) ishte një trëndafil shumë bujar dhe i shëndetshëm, që perëndia na e kishte sjellë të na zbukurohej sadopak me ngjyra jeta jonë e zezë. Çdo trëndafil ndoshta e ka atë, porse ne na dukej paksa si veçantë në atë që sa më tepër këputej nga njerëzit, aq më shumë ai çelte. 

Shumë familje kishin trëndafila, dhe në se them që nuk kishte shtëpi në Savër që diku në oborr të kishte një trandafil , "nuk e teprojë" por ai Trëndafili i Anesë, për mua ishte më i bukuri i Savrës. Ishte si një shkurre e madhe, gjithmonë plot me gonxhe e petale. Në Savër lulet në oborre ishin plotë kulturë, për ato lule që i shihnim nëpër oborret e shtëpive, kujdeseshin grat e vajzat që i mbillnin dhe i ujitnin. Familja Hoxha nuk kishte shumë por vetëm një trëndafil, me të cilin bënte shurup trëndafili. Ato merrnin petalet dhe i mbanin në ujë në shishe ose kavanoza qelqi, derisa lëshonin ngjyrë e shije dhe i bënin shurup për t’u freskuar gjatë verës. Mbushej trëndafili plot me lule dhe me to dilnin pas ca ditësh disa shishe me shurup. 

Më 1 shtator, aty për rreth Trëndafilit të Anes, si i thërrsnim ne, pothuajse çdo fëmijë u lutej atyre për të marrë 2-3 trëndafila dhe t'ua çonin mësueseve, në ditën e parë të shkollës.

Mëngjesin e parë të jetës time si nxënës shkolle, nëna u zgjua më herët, dhe me sapllake në dorë më pastroi mirë e mirë, më bëri gati dhe më veshi rroba të lara. Të grisura pak por të arrnuara, dhe të lara. Pastaj u nis me nxitim për në fushë, se humbte ditën e punës dhe mbeteshim pa bukë. Ajo nuk kishte kohë të më shoqëronte për në shkollë ditën e parë, se vrapoi tek pagesa ditore e punës në bujqësi, vjeljen e pambukut. 

Mbeta vetëm. Vesha të vetmet këpucë që kisha, një atlete të NISH Gomës (Durrës) të grisura nga që luaja futboll me to megjithëse nëna më porosiste gjithmonë që të luaja zbathur e ti ruaja atletet për shkollë. Mora edhe çantën dhe ajo prej doku, në dorë dhe u nisa në këmbë për nga shkolla, që ishte jo larg shtëpisë. Ruaj edhe një fotografi nga dita e parë e shkollës.

Rruga ime për në shkollë kalonte nga Aneja. Ajo më dukej se po priste dhe kishte dalë në derë.

 “Eja këtu, eja, - më tha. Gëzuar ditën e parë të shkollës!”. 

Iu afrova Anesë. 

Ajo më kishte përgatitur 3 a 4 trëndafila. I kishte lidhur bashkë dhe, te bishtat, ku janë gjembat, i kishte mbështjellë me një pecetë të bardhë, që të mos më shponin duart. “Çoja mësueses!” - më tha. 

Ashtu bëra. 

Mësuesja ime quhej Xhevahire Belliu, dhe emrin e saj nuk e harroj asnjëherë. 

Unë nuk isha i vetmi që çova lule, por isha i vetmi që buqetën ma përgatiti vetë Aneja e dashur. Ndërsa fëmijët e tjerë i sajonin vetë lulet edhe ata nga oborret e kopshtet e tyre ose te fqinjët. 

Çdo familje në Savër, në baraka apo në shtëpit me tulla mbillte lule para shtëpisë, sado pak kopësht ose oborr që të kishte. Ato që nuk kishin hapësirë, mbanin lule nëpër vazo përpara barakës apo shtëpisë veçanërisht nga hyrja. 

Kjo ishte shenjë e rëndësishme e kulturës së tyre qytetare, edhe pse ishim në kushte të mjeruara dhe jetë fshati. 

Kështu që solla Trëndafilat e Anesë që ma zbukuruan ditën e parë të shkollës. Dhe vetë Anenë që u bënë për mua një zonjë të dashur e të paharrueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat