Shpirt lirie

Kultura

Shpirt lirie

Nga: Lumni Nimani Më: 12 mars 2024 Në ora: 12:40
Kopertina

Kosovë trime ti kjofsh bekue

Njëqind vjet n'luftë me krajli

As diell as hanë nuk t'pat rrezue

Qëkurse t'ndanë prej Nans Shqypni.

Ta ndanë Drinin prej burimit

Ta ndanë motrën e vëllain me vëlla

Ta mohuen gjuhën e Naimit

E njatë Flamur që ma t'mirë s'ka...

T'i mbushen burgjet dhe kazamatet

Plot me djem dhe vasha t'reja

Ai shpirt lirie s'prehet; s'vrahet

As me pranga; dhe as n'beteja.

Por bijtë e tu trima si zana

Armët ngjeshën dhe t'dolën zot

N'djep t'lavdisë i lindi nana

T'bekoftë Zoti përjetë e mot!

Në lule të ballit kush e goditi

Atë bishë mizore njatë shkja t'zi

Trim mbi trima Zahir Pajaziti

Sa i grykë topi pushka e tij.

Rrofsh përjetë o tokë Dardane

Bijë e lashtë e Arbnisë

S'trembe synin nëpër tufane

Krenaria e Nanë Shqypnisë!

 

E SHKRUAR MË 8 MARS

 

Nëpër kopshte gjithandej duke bredhur

Pashë manushaqe, zambak dhe luleborë

Doja t'i këpusja; në tufë për t'i mbledhur

Për ju o krijesëmira me shpirt engjëllor.

Ec e këput gonxhen me aromë trëndafilit!

Që bletës i fal ai të ëmblin nektar...

Ec e ndaloja këngën mu në gem bilbilit!

Që për lulestinën është i pari lajmëtar.

Ju jeni vet buqeta e të bukura luleve

Me shpirtin e bardhë si dëborë në mal

Ju jeni vet ëmbëlsira e t'gjitha hojeve

Gjinia më hyjnore që Zoti din të fal.

Qofsh vajzë e re, apo nuse me duvak

Në qofsh dhe grua, mike apo e mira motër

Me bukuri as hëna s'ju përngjan aspak.

Ju veç dashuri falni në çdo shtëpi e votër.

Dhurata me e bukur jeni nga Perëndia

stolisur me hijeshi dhe bukuri përrallore

Nga e dashura Nënë nga ajo lind fëmija

Jeni mrekullia vet për botën mashkullore.

 

Kënga e lirisë

(Epopesë së lavdishme të UÇK)

 

Bishat e egra herët jan nisë

Policë, ushtri, makineri vrastare

N'atë Prekaz t'Ahmet Delisë

N'Drenicë, n'atë krenari shqiptare.

Bacë Shabani në ball t'oxhakut

Kamëkryq n'kullë mustakun dredh

I biri Ademi e ngjeshë koburën

E nga frangjitë shikimin hedh.

Çka me pa, plot korba të zi

Në të katër anët janë rrethue

Me tanke, topa e artileri

E për s'gjalli s'janë dorëzue.

Çohu or vëlla! - Hamzës ja ban,

Sot ka ardhë e bardha ditë.

Me mamzerre e jatagan

Kosovës fytyrën me ja zdritë.

Bacë Ademi ai shqipe mali,

Qet koburen në njërin sy.

Me shtatë zemra Zoti e fali

Holl po qet mbi armiqtë e zi.

Hamëz trimi n'kam na u çue

Gjoksi i tij sa një ortek bore

Ah moj nanë tha jem rrethue

Na i bjen fishektë me rrethatore.

Nanë Zahidja ajo bijë shqiptari

Që djepi i saj sall trima rriti

S'e lëshojmë tokën që na e la i pari

Lum për djemtë e mi, t'madhe briti.

Moj Shqypni mos thuaj mbarova

Ai Hamëz trimi n'kangë thërret

N'kam asht que sot e tanë Kosova...

Sa herë qet ka një shka po e vret.

Luftë e madhe aty u zhvillue

Që s'mbahet mend në histori

Familja Jashari për liri u flijue

Kundër një shteti me polici e ushtri.

Se liria me gjak fitohet

Brez pas brezi në histori

Me punë e djersë Atdheu nderohet

Rroftë Flamuri kuq e zi

Krenarinë Kombit lart ja ngriti

N'luftë kundër hordhisë barbare

Adem Jashari, Zahir Pajaziti,

Bashkë me Ushtrinë çlirimtare!

Ju heronjë të Kombit mbarë

Që dhat jetën për liri

Ju ka në zemër çdo shqiptar

Ju kujton me mall dhe dashuri!

 

Pranvera

 

Pranvera është aromë luleje;

- është buzëqeshje fëmije

- është e bardha lindje

- është e shtrenjta liri.

Pranverë është vet dielli

- është e shëndritshmja hënë

- është i ëmbli nektar prilli

- është e shenjta e dashura nënë.

Është ajo vellëbardha nuse me duvak...

Vasha sy bojëqielli është vet pranvera,

kur ajo qëndisë shaminë e beqarit;

është motërmira që pret vëllain ke dera,

e vajshëm dëgjon këngën e kurbetqarit.

Është çilim i blertë ngjyra - ngjyra,

Ndër të gjitha shoqet e saja:

-Stina më e bukur;

-Motër më e mira.

 

Kryetrimi

 

Në atë Gadishull të Ilirisë,

pashë Lekën me perandorë,

me Justinianin e Dardanisë,

dhe Konstandinin dorë për dorë.

Ngritën tempullin e Perëndisë,

në Stamboll në grykë t'Bosforit,

atë mrekulli të Aja Sofisë,

për nder t'Zotit e t'Perandorit.

Kur këtë tempull të religjioneve,

për herë të parë unë vizitova,

pse Kombi im thash i tri feve,

por me një Zot - tash kuptova.

N'atë qytet të Konstantinit,

i njohur gjatë në histori,

qe Akademi e Kryetrimit,

nga pengmarrja në fëmijëri.

Artin e luftës aty zotëroi,

shpallet më i miri në ushtri,

Iskander Sulltani e nderoi,

Gjeneral i parë në perandori.

Për ku m'je nisë Gjergj o trim?

Tek armët ngjeshte e bëhej gati;

Më tha: - një mik m'pret në takim,

te Molla e Kuqe Janosh Huniadi.

Në vend të luftës kundër tij,

që urdhër nga Sulltani e pati,

treqind ushtarë për në Arbëri,

më të mirët trima i bëri gati.

Nga Naisusi i Dardanisë,

Gjergji u printe luftëtarëve,

drejt për në Krujë të Arbërisë,

për t'ngritur flamurin e të parëve.

Një çerek shekulli luftën fitoi,

kundër sulltanëve armiqëve t'zi,

nga toka e shqipeve prore i dëboi,

i ktheu të humbur për në Azi.

Shpata e tij lart kurdoherë,

kokën bajlozëve u preu,

si shqiponja me dy krerë,

Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në kopshtin tënd

 

E imja vashë si hyjneshë e bukur

Moj çikë dardane o gocë shqiptare

Sa më magjepse e më bëre të lumtur

Kur në mëngjes më dilje në dritare.

Se sa kjo botë na qenka e vjetër

Këtë askush sakt o shpirt s'e di

Veç ty të dua unë dhe askënd tjetër

Në majin e luleve tek ti do të vi.

Bashkë me lejlekun dhe dallëndyshen

Do kalojmë male, do kalojmë dhe dete

Se pa dashuri edhe lulet vyshken

Skifter do të bëhem e te ti do vete.

Kur mal e fushë mirë të jenë veshur

Me lule të bukura e me gjelbërim

Në kopshtin tënd do të futem heshtur

E do të të hidhem në përqafim.

Malli për ty nuk më le të qetë

Dhe as dashuria për Arbërinë

Pa ju të dyja ndjehem i shkretë

Prore t'ju bekoi - e lus Perëndinë.

 

Gëzuar Motër

 

Shumë vite më parë n'atë bukuri fshati

Në shtëpinë e vjetër themelet me gurë

Ti dredhje mëndafshin e pajën bëje gati

Dhe qëndisje nën dritën e llambës në mur.

Ato kohëra t'shkuara kurrë nuk harrohen

Atëbotë isha i vogël kur ti më këndoje

Ato këngë të bukura edhe sot më kujtohen

Se si në duar më mbaje dhe më përqafoje.

Kur shkurti bëhet pakëz më i gjatë -

Njëzet e nëntë ditë njëherë në katër vjet

Është Ditëlindja jote nga Perëndia uratë

Gëzim e lumturi paç ashtu siç do ti vet!

Sado që unë sot shpreh urimet më të dëlira

Nga thellësi e shpirtit për ty që t'dua pa masë

Por dashurinë për vëlla që e ka motërmira

- Ajo është më e madhja e të gjithë dynjasë.

Nga viti në vit, kështu kalon kjo jetë

Me përplot halle dhimbje por edhe gëzime

Larg prej teje e atdheut kurbeti po më tretë

Por kurrë s'ju harroj e dashur motra ime.

Për ty në mërgim unë sot do të ngre dolli

Duke të dëshiruar të mirat e kësaj bote

Nëse nuk mund të vi mos ma merr mëni...

Paç shëndet e mbarësi siç do zemra jote!

 

BACË

 

Burrë kolos i Truallit arbëror.

Atdhetar në altarë Shqipërie.

Cili arriti të prekë diellin me dorë?!

Është krenaria jonë e simbol pavarësie.

A s'është Adami i parë n'Bibël e Kuran?!

Dritë e vetme në shandan Dardanie.

Errësirën e natës njëqindvjeçare çan'

Misionar i kombit, Flamur e themel lirie.

Damarët tokës mëmë ia shterrën...

Egjarpërinjtë gjak, s'u ngopën kurrë.

Moisiu çau detin me shkop magjie.

Ademi ynë robërinë e theu si burrë.

Çerpikë s'lëkundi para asnjë krajlie.

I pari ndër të parët u shkri kandil Lirie.

T'jetojmë ne Bacë, se Ti: - S'vdes kurrë!

 

Ah...

 

Nëse ndjenë në shpirt kur ty të dhemb,

atëherë dihet që je i gjallë.

E nëse ndjenë kur dhembja tjetrit shpirtin i shemb,

atëherë je vërtet Njeri - të shkruan në ballë!

Se poetët Zoti i mbanë më afër vetës.

Kjo është një thënie shumë e vjetër.

Ata janë robër të dashurisë dhe të vërtetës.

Kjo është maksimë e saktë dhe s'ka tjetër.

Ah ore lum miku im njeri i mirë dhe poet!

Ti që dhembjen time bashkëndjeve.

Ty të mbuloftë me Bekim Perëndia vet!

Sa shpirtshëm përmes vargut e rrëfeve.

Pa titull

 

I ra gurit

- në dysh e çau.

I ra drurit

- në rrënjë e thau.

I ra njeriut

- në lot e lau.

Ia këputi zemrën

- krejt ia vrau...

Por e duroi

- edhepse shpirti i qau.

Përse ndaj kësaj qenieje krijesëmirë?

Sa e brisht

- po aq e dëlirë.

Kjo jetë tregohet e pa mëshirë ...?!

Edhe kur zemra fare i çahet.

Nuk dorëzohet

- por i fortë mbahet.

Qëndron lart, sa më s'ka.

As s'ka beden përmbi kala!

As s'ka lis që i bën ball!

Sa stuhi; e sa rrufe.

Sa shpirti i tij që duron mbi këtë dhe

Gjuha shqipe

 

Gjuhë e shenjtë, gjuhë amtare,

e atij Lekës të madh me nam.

E lashtë; - sa vet malet shqiptare.

Gjuhë e Perandorit Justinian.

Gjuhë e Teutës dhe Agronit,

që udhëhoqën një mbretëri.

Nga Adriatiku e Deti i Jonit.

Kur fund e krye ishte Iliri.

Gjuhë e Gjergj Kastriotit.

Me shpatë i doli ai zot Atdheut.

Je aq e bukur gjuhë e Zotit,

e stërnipërve t'Skënderbeut.

E Gjon Buzukut në Meshar;

e Lekë Matrëngës t'Sicilisë;

prej Zadrimës e Frangut t'Bardhë;

e Pjetër Budit të Gegërisë.

Gjuhë e Bogdanit të Prizrenit,

ku u mbajt Lidhja Shqiptare,

Dhaskal Todrit, Marin Barletit;

Nezim Beratit e Zyko Kamberit.

E Abetares së Veqilharxhit,

pishtarit t'urtë të diturisë,

e De Radës e Kristoforidhit;

Ali Asllanit të Toskërisë.

Gjuhë perëndie e Naimit,

Këtij bylbyli të shqiptarisë,

e Gjergj Fishtës dhe Eposit,

të Lahutës së Malësisë.

E Ndre Mjedës, Filip Shirokës.

Rilindasve, që kombin nderuan,

e Çajupit dhe Pashko Vasës.

Askush si këta më mirë s'i kënduan.

E atdhetar Pandeli Sotirit,

Mësuesit të parë të Arbërisë;

E Bacë Ademit dhe Trim Zahirit,

që i ndërruan faqen historisë.

Gjuhë e këngëve të trimërisë.

Për t'gjithë ata bij dhe bija,

që ranë në altarin e lavdisë

N'zemër prore i mbanë Shqipëria.

"Porsi kanga e zogut n'verë"

Fishta i madh kështu pati thënë,

E Naimi: "Sa e ëmbël sa e vlerë";

- Gjuhë për ne, je Diell dhe Hënë.

As s'ka gurrë që rrjedh më mirë!

As s'ka gjuhë që më bukur tingëllon!

Se sa gjuha shqipe e bekuar e dëlirë.

- Fjalë e sajë: shpirtin lëmon -

e zemrën gëzon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat