Bilal Alaj, mësimdhënës model dhe drejtues i aftë

Kultura

Bilal Alaj, mësimdhënës model dhe drejtues i aftë

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 14 mars 2024 Në ora: 09:54
Bilal Alaj

Se arsimimi është shpirti i kombit, këtë e kishte thënë që moti patrioti i shquar demokrat, personaliteti i rrallë e heroi i madh i kombit tonë, Hasan Prishtina. E meqë ishte pishtar i flaktë i arsimit shqip, ai edhe e kishte jetësuar këtë thënie me shkollimin e tij personal duke shkrirë tërë pasurinë e tij për arsimin shqip. Këtë rrugë të mësimdhënies e zgjodhi dhe e ushtroi me shumë dashuri, entuziazëm e përgjegjësi edhe mësuesi Bilal Alaj , nga fshati Katërkollë ( Anë të Malit), Komuna e Ulqinit. Shkollimin fillor e ka kryer në Shkollën Fillore “ Bedri Elezaga” në Katërkollë,, kurse Shkollën Normale në Prishtinë. Nuk u kënaq me kaq dhe diplomoi në Fakultetin e Mësuesisë , në Universitetin e Prishtinës.

Sikur e ka bekuar Zoti me profesionin e mësuesit!

Bilal Alaj ndjehet i lumtur që ëndrra dhe dëshira e tij për t’u bërë mësues iu plotësua, sepse ky profesion për të është i shenjtë, ashtu siç janë vet nxënësit me çiltërsinë, dashurinë dhe botën e tyre fëmijërore e të padjallëzuar. Profesionin e mësuesit e ka zgjedhur me dëshirën më të madhe prandaj shprehet : “ Sikur të ndodhte ajo që nuk do të ndodhë, përsëri do të zgjidhja profesionin e mësuesit”. Sikur e ka bekuar Zoti me profesionin e mësuesit! Në përvojën e tij shumëvjeçare gjithmonë ishte dhe mbetet parimi se të edukosh dhe të mësosh gjenerata të tëra nxënësish është mund e përkushtim, kënaqësi e dashuri, nder e krenari, por edhe detyrim dhe përgjegjësi e madhe.

Fillimet e punës me ditar në dorë

e mësimdhënies e filloi, pasi e mbaroi me sukses Shkollën Normale në Prishtinë , në paralelen e shpërndarë të SHF” Bedri Elezaga” të Katërtkollës, në fshatin Megjureç, ku mësimi zhvillohej në gjuhën joamtare ( serbokroate). Në këtë fshat të largët mësuesi i ri Bilal , me përgatitje të lartë profesionale, në shkurt të vitit 1972 mori për herë të parë ditarin në dorë. Për të ishte një ndjesi e rrallë dhe e papërshkruar, që iu krijua mundësia dhe pati fatin të kthehet në vendlindje dhe të punojë në shkollën, ku i kishte marrë mësimet e para, ku mësuesit e tij ia kishin shtuar dashurinë për dije, për gjuhën e atdheun, lashtësinë e kombit tonë, mësimet dhe shkathtësitë për jetën. Edhe pse prej atëherë kanë kaluar 52 vjet ende e ka të freskët dhe kurrë nuk do harrojë takimin e parë dhe njohjen me nxënës. Përshëndetja e ëmbël, buzëqeshja e çiltër , hyjnore e engjëllore e nxënësve e përcjellin dhe e shoqërojnë edhe sot.

Hapi rreze diturie në fshat dhe qytet

entuziast Bilal Alaj, pas dy vitesh pune në fshatin Megjureç dhe kryerjes së shërbimit ushtarak, përsëri punësohet në SHF “ Bedri Elezaga” në vendlindjen e tij, ku ka punuar deri në vitin 1978. Prej aty shkëputet nga arsimi dhe në vitin 1979 kalon në Ulqin, ku punësohet në Sekretariatin e Mbrojtjes Popullore. Në këtë sekretariat ka punuar gjashtë vite dhe ka përjetuar atë që nuk e kishte menduar asnjëherë, largimin nga puna dhe arrestimin , duke e akuzuar si nacionalist. Ky dënim i rëndë dhe i padrejtë që iu bë këtij personaliteti të shquar të arsimit i ndaloi atij të drejtën e punës, deri në kohën e ndryshimeve demokratike në Mal të Zi. Por, nuk ia theu fuqinë e madhe , moralin dhe dashurinë e tij të flaktë shpirtërore, që të vazhdojë të hapë rreze diturie tek nxënësit shqiptarë në fshat dhe qytet. Në vitin 1990 u punësua në SHF “ Marshall Tito” në Ulqin, ku ka punuar deri në vitin 2006.

Mësues i mirë dhe udhëheqës i aftë

Mënyra e sjelljes si mësues të Bilal Alajt vazhdimisht është shprehur me fjalë dhe veprime. Një nga parimet kryesore të tij në punën e mësuesit dhe drejtuesit, ka qenë disiplina e punës, të cilën ai gjithnjë e ka vlerësuar si një nga faktorët kryesorë të drejtimit të shkollës dhe klasës. Parimi i këtij mësuesi ambicioz , në punën e vet edukative -mësimore, ka qenë dhe është udhëhequr nga koncepti se një mësues i mirë duhet t’u mësojë nxënësve që ata të marrin përgjegjësinë për të mësuarit dhe të arrijnë t’i realizojnë objektivat që i vënë vetes.

Si mësues dhe edukator i mirë dhe drejtues i aftë i shkollës Bilal Alaj vazhdimisht është dalluar për inteligjencë, njohje të profesionit, kryerje të punës me ndërgjegje e dashuri për nxënësin, durim, qëndrim të drejtë dhe sinqeritet. Ai gjithnjë dhe gjithmonë i ka dashur nxënësit dhe shkollën, duke punuar me këmbëngulje e durim për mbarëvajtjen e tyre. Shumë nxënës që janë edukuar dhe mësuar nga “dora” e tij, janë dalluar dhe vazhdojnë të dallohen për vullnetin e mirë për të mësuar sistematikisht.

Të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij, që së bashku kanë punuar dhe kanë kontribuar në edukimin dhe arsimimin e nxënësve shqiptarë dhe në përmirësimin e kushteve të jetës sociale-ekonomike të fëmijëve me aftësi të kufizuara, natyrisht që vazhdojnë të ruajnë respektin e dashurinë për këtë njeri dhe intelektual të veçantë. Të flasësh për cilësitë njerëzore të Bilal Alajt , nuk mund të mos thuash se ai është një njeri modest, shembull i veçantë në komunikim, me nxënës, kolegë dhe bashkëqytetarët e vet.

Ta duam dhe ta respektojmë profesionin e mësuesit

Kjo thënie është porosia e këtij mësimdhënësi model, tashmë në pension, i cili gjithherë procesin edukativ e vuri para atij arsimor, duke menduar se njeriu i edukuar mirë mund të jetë i dobishëm për familjen e tij, për rrethin ku jeton e vepron, për kombin dhe atdheun. Ai shprehet se ky profesion është zbavitës, sfidues i vështirë dhe ekzistues. “ Toni Bler ka thënë: “Ashtu siç është arsimi sot është kombi nesër” , kurse Sami Frashëri ka thënë: “ Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon që të mbjellësh për gjithmonë mbill arsim e kulturë”. Këto thënie, vlerëson Bilali na këshillojnë ne mësuesve që nëse gabojmë në procesin edukativo-arsimor, ky gabim kurrë nuk do të përmirësohet . “ Prandaj ta duam, ta respektojmë dhe ta aplikojmë me shpirt ngrohtësinë e profesionit të mësuesit, sepse do të përfitojnë nxënësit tanë, që janë ardhmëria jonë”, na tha ai në përfundim të bisedës sonë.( Koha Javore)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat