Intervistë me Prof. Dr. Xhemil Bytyçit-njëri ndër urologët e parë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës

Kultura

Intervistë me Prof. Dr. Xhemil Bytyçit-njëri ndër urologët e parë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës

Nga: Prof. Dr, Xhemil Bytyç Më: 16 mars 2024 Në ora: 13:01
Prof. Dr, Xhemil Bytyçi

Njëri ndër kontribuesit e themelimit dhe zhvillimit të Klinikës së Urologjisë në Kosovë, Prof. Dr, Xhemil Bytyçi, flet për Buletinin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës. Mes tjerash, ai tregon se si kanë funksionuar në periudhat më të vështira, duke patur parasysh rrethanat e kohës së atëhershme, kush kanë qenë themeluesit e Klinikës së Urologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, cilët kanë qenë urologët e parë të kësaj klinike, ku është Urologjia sot në Kosovë dhe c dhe shumë çështje tjera, flet prof. dr, Xhemil Bytyçi, njëri ndër urologët e parë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Ai po ashtu, përpos të të qenurit një urolog i dalluar, krijimtarinë e tij e ka të pajisur edhe me atë letrare, ku ka të botuara disa vepra.

Këtë intervistë, prof. dr. Xhemil Bytyçi e fillon duke përfshirë periudhën kohore qysh prej viteve 1969-të, që prej fillimit të themelimit të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, e deri në ditët e sotme, në mënyrë që të prezantohet një historik i shkurtër për krijimin e klinikave fillestare.

Ai tregon se që nga ato vite kanë filluar hapat e themelimit të të gjitha klinikave, që nga  repartet e Spitalit të Përgjithshëm janë krijuar klinika themelore ndër ato hapësira të pakta të spitalit ekzistues. Njëherit, dua të theksoj se në atë kohë shumë, shumë pak kuadro shqiptare ka patur. Deri atëherë i gjithë Spitali  i Përgjithshëm, ka qenë i udhëhequr nga kuadrot serbe e malazeze. Është e rëndësishme ta theksoi edhe këtë se në vitin 1966, që nga largimi i Aleksandër Rankoviqit, ndryshon edhe skena politike e Kosovës. Me themel ndryshojnë edhe rrethanat politike në Kosovën e atëhershme, nga se shqiptarëve iu jepen më shumë të drejta nga se me 1969 nën patronatin e Universitetit të Beogradit themelohet edhe Universiteti i Prishtinës. Nga viti 1974 themelohet Universiteti i pavarur i Prishtinës. Në këtë vit themelohet edhe Fakulteti i Mjekësisë, me të gjitha njësit themelore të klinikave, veçmas edhe Klinika e Kirurgjisë në të cilën, ishin të inkorporuar të gjitha repartet- mini klinikat themelore. Në atë kohë, shqiptarët dukshëm i fituan të drejtat e tyre në mënyrë dinjitoze për udhëheqje  dhe zhvillim më adekuat të Fakultetit të Mjekësisë.

Për këtë periudhë kohore, sipas tij, fillon lulëzimi i arsimit në Kosovën e atëhershme. Për themelimin e Universitetit të Prishtinës dhe zhvillimin e mëtejshëm, shumë  intelektual dhe shumë mjekë të asaj kohe, i kanë bartur meritat kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të Fakultetit të Mjekësisë. Në ndërkohë, merren masa thelbësore  për transformimin e Spitalit të Përgjithshëm në klinika të veçanta edhe pse më kapacitet të vogël, por për fillim apo në pikënisje ishte i mjaftueshëm. Por se problemi kryesor ishte që të sigurohen kuadrot shqiptare për të gjitha klinikat që ishte e nevojshme të sigurohen me kohë.

Deri atëherë, sipas prof. dr. Xhemil Bytyçit, i gjithë kuadri mjekësor i Kosovës ishte shkolluar dhe përgatitur në qytetet Universitare të Fakulteteve të Mjekësisë, në ish Jugosllavi në numër të kufizuar si në Beograd, Zagreb, Lubjanë, Sarajevë dhe në Shkup. Dhe atëherë nga të gjitha qytetet e Kosovës mjekët u pranuan nëpër klinika ekzistuese. Duhet të përmenden disa prej themeluesve të Fakultetit të Mjekësisë, në ato kohë e që ishin, prof. dr Izedin Osmani, prof. dr Talat Pallaska, prof., dr. Musa Haxhiu, prof. dr Osman Imami,  e shumë e shumë mjek të tjerë.

Në Spitalin e atëhershëm të Prishtinës  drejtor ishte prof. dr. Izedin Osmani  dhe si koordinator Prof. Dr. Talat Pallaska. Këta bënë të mundshme pranimin e kuadrove shqiptare  nëpër klinikat kirurgjikale. Në maj të  vitit 1973. edhe unë u pranova në specializim të urologjisë për klinikën e Urologjisë. Nga spitali i Prizrenit u transferova në Prishtinë, për të vazhduar punën në Fakultetin e Mjekësisë në themelim e sipër.

Ndërkaq, në vazhdim të intervistës, prof. dr. hheksoi se në klinikën e Urologjisë, urologu i parë ka qenë dr. Shukri Hoxha, e që nga viti 1969 specializimin e urologjisë e kishte kryer në Zagreb. Urologu  i dytë kam qenë unë që nga viti 1973, në specializim, dhe i treti specializant i urologjisë  ishte dr Bujar Bukoshi. Në vitin 1977 me sukses e kam përfunduar specializimin e Urologjisë si dhe studimet postdiplomike nga lëmia e Epidemiologjisë së sëmundjeve joinfektive në parapërgatitje të temës së magjistraturës dhe doktoraturës. Doktoraturën e kam mbrojtur në vitin 1986 në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës me titull “Kontributi në etiologjinë e nefrolitiazës – Studim kliniko-epidemiologjik në regjionin e Kosovës”, dhe avancohem në gradën e doktorit të shkencave së mjekësisë. Me 1987 jam avancuar në kuadër arsimor, docent për lëndën e kirurgjisë.

Për fillim në klinikën e Urologjisë kemi patur vetëm 13 shtretër. Pas viteve 1973, jemi zgjeruar në 23 shtretër, që edhe sot klinika e Urologjisë po ato shtretër i ka. Kur klinika e Gjinekologjisë kaloi në klinik të re, klinika e Interno, klinika e ORL-së dhe klinika e Syve, kaluan po ashtu nëpër  klinika të reja, Kirurgjia u shtri në tërë ndërtesën e vjetër, nga që fatkeqësisht kjo ndërtesë nuk i përgjigjej kërkesave bashkëkohore dhe nuk i plotësonte nevojat për klinika të Kirurgjisë. Që atëherë nuk i plotësonte kushtet më elementare, dhe fatkeqësisht, edhe sot po ato hapësira kanë mbetur të kirurgjisë së Përgjithshme, edhe pse mund të themi se dukshëm është punuar. Dua të theksoj së edhe në ato kuadro ekzistuese në Urologji, në maksimum është punuar. Janë punuar edhe intervenimet më bashkëkohore të asaj kohe, sidomos të viteve 1980 e mëtej, deri në vinin 1990, kur filloi represioni dhe mbikëqyrja e serbëve mbi klinikat tona.

Sa i përket zhvillimit të sistemit shëndetësor, prof.. dr. Bytyçi, tha se   zhvillimi i mjekësisë në përgjithësi, sidomos në Fakultetin e Mjekësisë, nuk kanë qenë në nivel të duhur dhe nuk janë dhënë investime sa ka qenë e nevojshme, aq më pak për degët kirurgjikale në mjete dhe aparatura bashkëkohore. Politikat e zhvillimit kanë qenë jo të mira. Ato kanë shkuar në mënyrë të rreptë  pa planifikime të duhura zhvillimore. Mirëpo, nuk duhet të injorohet edhe fakti se që nga fillimi i 1974, e deri në vitin 1990, zhvillimi i kuadrit arsimor ka qenë në nivel. Janë dhënë mundësit që kuadrot arsimore të shkollohen në vende dhe qendra të ndryshme të zhvilluara në Beograd, Zagreb, Lubjanë, Sarajevë e në Shkup, por edhe nëpër qendra eminente jashtë vendit, ku kuadrot tona kanë kryer specializimet e tyre dhe studime postdiplomike, magjistraturat dhe doktorata, që ishte shumë me rëndësi për zhvillimin e kuadrit arsimor. Dua të theksoj edhe këtë se mjekët e gjeneratës së parë nga fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë, kanë përfunduar studimet në vitin 1974. Mjekët më të mirë në nivel të notave të larta, janë pranuar nëpër klinika tona në kirurgji. Gjithashtu edhe në klinikën e Urologjisë janë pranuar kuadro të reja. Që në vitet e 80-të, kanë ekzistuar ide që në kuadër të klinikës së Kirurgjisë të formohet njësia e kirurgjisë Eksperimentale, porse që atëherë e deri më sot, kjo ide ka hasur në vesh të shurdhër tek njerëzit udhëheqës. Theksoj se unë isha i gatshëm  të pranoj udhëheqjen e kësaj njësie të kirurgjisë  Eksperimentale, por se nuk ka patur vullnet e as mirëkuptim. Po ashtu,  arritja e vlerave shkencore në kirurgji, është bërë sidomos tek kirurgjia Eksperimentale, e cila është bazë kryesore në hulumtime shkencore, sidomos në kirurgji dhe në degë tjera të mjekësisë.

Sidoqoftë, sipas tij edhe në ata kushte, theksoj se në vitet 1987 deri 1990, janë kryer punë tejet të ndërlikuara dhe të rënda urologjike të llojeve të ndryshme të intervenimeve bashkëkohore. Për herë të parë, është kryer prostatektomia radikale te kërcënoma e prostatës. Pastaj, në Maj të viti 1990, në klinikën Urologjike, për herë të parë është kryer intervenimi më i rëndë dhe tejet mutilant i cystoprostatektomisë radikale, me formim të fshikzës ileale kontinente, sipas modifikimit të Hautmanit. Ky lloj operimi për herë të parë është kryer në Gjermani në vitin 1987, kurse në klinikën tonë urologjike, është kryer në vitin 1990, përderisa i njëjti pacient ka jetuar 25 vite pas intervenimit kirurgjikal. Duhet theksuar se edhe Endoskopia është punuar rregullisht nga viti 1979 – TUR i  prostatës dhe tumoreve të fshikëzës urinare, e po ashtu të gjitha llojet e  hipospadive.

Njëherit, në këtë intervistë, ai tregon edhe për kohën më të rëndë të punës. Ai theksoi se koha më e rëndë për të gjithë stafin mjekësor të Kosovës ishte shtatori i vitit 1990, kur nga serbet i gjithë stafi arsimor shqiptar u dëbuam nga klinikat tona ekzistuese. I gjithë kuadri kirurgjikal  u shpërnda në drejtime të ndryshme. U themeluan klinika Kirurgjike private në Prishtinë, në Prizren, dhe në qytete tjera të Kosovës. Që nga viti 1990 unë isha në Prizren dhe e hapa kliniken time private ‘’Uropriz’’, ngase edhe atje dukshëm është punuar dhe janë kryer intervenimet e sofistikuara, të cilat kanë funksionuar deri ne fund të luftës në qershor të vitit 1999. Gjatë kësaj kohe, nëpër shtëpia private  është mbajtur edhe procesi mësimor i Fakultetit të Mjekësisë. Pasi lufta përfundoi, të gjitha kuadrot mjekësore u kthyem nëpër vende të punës nëpër klinikat tona. Periudha 10 vjeçare e dëbimin të kuadrit shqiptar nga klinikat, ka lënë mbrapa zhvillimin e mjekësisë bashkëkohore, së paku për 50 vite të zhvillimit të tërësishëm të të arriturave.

Por me rikthimin e stafit mjekësor nëpër klinika, sipas prof. dr. Bytyçit, i cili e thotë me keqardhje, se klinikat ekzistuese filluan të mbushen me kuadro mjekësore me preferenca partiake. U pranuan shumë e shumë kuadro tjera mjekësore pa kurrfarë kritere që fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite ekzistojnë. Për shembull në Urologji eksitojnë 23 shtretër, por janë të pranuar  22 apo 23 mjekë urolog. Ekziston vetëm një sallë e operacionit, që është një absurd i kohës, edhe barrën kryesore e bartnin vetëm disa prej kuadrove mjekësore. Dua ta theksoj edhe një të vërtetë, se në atë kohë kanë qenë të përgatitur disa prej mjekëve të suksesshëm për kuadër arsimor me doktorate, por që edhe sot e 17-të vjet më parë nuk është zgjidhur asnjë kuadër arsimor. Edhe se unë jam pensionuar në 5.janar 2006, në klinikën e Urologjisë, dhe se ende nuk ka profesor. Rrjedha  dhe funksionimi arsimor shkon me autorizime. Arsyeja është tek katedra e Kirurgjisë, Dekanatit dhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës, që për këto vite nuk kanë arritur të sigurohet kuadri arsimor, e që është një gabim që s’mund ti falet neglizhencën, apo qëllimit tendencioz, i cili ka penguar zhvillimin adekuat të kuadrit arsimor në klinikën e Urologjisë, e po ashtu edhe në klinikat tjera.

E vërteta, siç thotë prof. dr. Bytyçi, ishte se zgjidhja e kuadrit arsimor me çdo kusht është penguar nga vet klinikat Kirurgjike, Dekanati e veçmas nga Rektorati Universitetit të Prishtinës. Prandaj, është koha e fundit që duhet ndryshuar dhe të ndërmerren drejtime të arsyeshme për zhvillimin e klinikave të kirurgjisë në përgjithësi.

Kurse, sa i përket punës klinike, ai shtoi se lirisht mund të them se është punuar me përkushtim që nga vitet e 80-ta, edhe më tutje ku janë kryer të gjitha llojet e intervenimeve klasike me qasje të hapur. Duhet cekur se në atë kohë kemi pasur vetëm 3-4 mjek anesteziolog. Në kliniken e Urologjisë, kryesisht intervenimet janë kryer me anestezion epidural, ngase gjatë qëndrimit tim në Zagreb, e pata perfeksionuar anestezionin epidural. Kjo metodë është aplikuar edhe në ortopedi. Në atë kohë anestezionin e përgjithshëm e jepnin teknikët e anestezionit, të cilët kanë patur eksperiencë të mirë dhe ishin dukshëm të suksesshëm. Sa i përket punimeve shkencore, deri më tani kam 110 punime profesionale dhe shkencore nga lëmia e urologjisë dhe kirurgjisë, të botuara nëpër revista profesionale të asaj kohe.

E theksoj se prof. dr. Gazmend Shaqiri, doajeni i Kirurgjisë së Kosovës, ka qenë ai që në çdo kohë i ka përkrahur të gjithë kirurgët dhe mua, sidomos në intervenimet delikate urologjike. Ai pa hezitim, gjithmonë ka ardhur në ndihmë dhe këtë e ka bërë nga vitet e 80-ta, por edhe pas luftës deri sa unë dhe të tjerët jemi pensionuar.

Investimet në këtë sektor, siç tha prof. dr. Bytyçi, janë më së të domosdoshme. Për mjekësinë kosovare, veçmas për degët kirurgjikale duhen investime të mjaftueshme materiale për të synuar një mjekësi bashkëkohore. Tani më, është më se e nevojshme që të krijohen klinika të reja, me hapësira të reja të ndërtuara me kapacitete të mjaftueshme, e sidomos me salla të mjaftueshme operative sikur në për botën e civilizuar. Është koha e fundit, sipas tij, që në klinikat e Kirurgjisë, veçmas në Urologji duhet të sigurohet Roboti, ngase në Urologjinë bashkëkohore në tërësi, ka ndryshuar qasja e intervenimeve kirurgjike të dikurshme, që më së tepërmi marrin formën e intervenimeve laparskopike manuale apo robotike. Për këto lloje të intervenimeve nikroinvazive, paraprakisht duhet të përgatitet edhe kuadri për punë të sofistikuara të këtij lloji, dhe se pushteti dhe Qeveria, duhet të bëjnë çmos për sigurimin e këtyre mjeteve për blerjen e këtyre pajisjeve.

Megjithatë, ai në fund thotë me shumë krenari se gjatë punës së tij si urolog ka përgatitur dhe i kam lënë 12 kuadro specialist të urologjisë, të cilët edhe më tej me sukses e kanë udhëhequr zhvillimin e urologjisë dhe disa prej tyre edhe më tej e udhëheqin klinikën Urologjisë.

Profili i Prof. Dr. Xhemil Bytyçi

Xhemil Bytyçi u lind në Billushë të Prizrenit, më 5 Janar të vitit 1941. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Prizren, ndërsa Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Universitetin e Beogradit në vitin 1968. Paralel me të absolvoi edhe në degën e Stomatologjisë, të po këtij Universiteti. Dr. Xhemili ka filluar të merret me shkrime letrare kur ishte gjimnazist. Qysh atëherë kishte filluar të shkruante vjersha, tregime dhe drama. Gjatë studimeve ishte aktiv në grupin letrar dhe muzikor të Shoqatës së njohur të atëhershme të Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Beogradit me emrin “Përpjekja”. Pas kryerjes së fakultetit, filloi të jepte mësim në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prizren. Në vitin 1973, nis punën në Klinikën e Urologjisë të Universitetit të Prishtinës. Specializimin e urologjisë e kreu në Spitalin “Rebro” të Zagrebit. Më 1986 mbron tezën e doktoratës në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës me titull “Kontributi në etiologjinë e nefrolitiazës – studim kliniko-epidemiologjik në rajonin e Kosovës” dhe avancohet në gradën e doktorit të shkencës së mjekësisë. Prof. dr. Xhemil Bytyçi ishte për shumë vjet pedagog i rregullt i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës me gradën më të lartë – profesor ordinar. Prof. dr. Xhemil Bytyçi është njëri ndër urologët më të njohur të Kosovës. Është i frytshëm në punën pedagogjike, shkencore e klinike. Ka marrë pjesë në shumë kongrese, seminare e simpoziume shkencore të karakterit kombëtar e ndërkombëtar. Ka të botuar mbi 110 artikuj, kumtesa, studime e punime në revistat e specializuara profesionale nga fusha e urologjisë dhe e kirurgjisë. Në këtë institucion mjekësor dhe arsimor punoi deri në kohën e pensionimit në vitin 2006. Edhe pas pensionimit vazhdoi ta kryejë me kompetencë të plotë etike-profesionale punën e mjekut specialist-urolog në Klinikën private “Uropriz” të Prizrenit dhe ende vazhdon punën si profesor i urologjisë në Spitalin privat “Aloka” dhe në Spitalin Special Urologjik “Vita – Hospital” në Prishtinë.

Krijimtaria Letrare

Sa i përket krijimtarisë time letrare, me shkrime është marrë si gjimnazist. Deri më tani i ka 34 vepra letrare të botuara, veçmas poezi, poezi haiku të zhanrit japonez, por edhe drama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat