Për punëtorët e Telekomit, kontrata me Z-Mobilen tashmë ka marrë fund

Lajme

Për punëtorët e Telekomit, kontrata me Z-Mobilen tashmë ka marrë fund

Më: 29 korrik 2019 Në ora: 23:54
Ilustrim

Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, ka thënë se për punëtorët e kësaj ndërmarrje, kontrata me Z-Mobilen tashmë ka marrë fund.

Të hënën Bordi i Drejtorëve të Telekomit ka mbajtur një mbledhje të gjatë, por nuk ka treguar akoma nëse do të vazhdohet kontrata pas 30 korrikut. Pavarësisht çdo vendimi që mund të ketë marrë ky bord, sipas Balajt, tashmë punëtorët e konsiderojnë të përfunduar dhe më s’do të zbatojnë marrëveshje potenciale me Z-Mobilen.

“Kjo kontratë duhet të përfundohet më 30 korrik. Për ne gjithçka është e papranueshme. Çdo gjë që ndodh pas kësaj date është e papranueshme. Nesër është data e fundit dhe besoj fuqishëm që duhet të merret një vendim pozitiv për Telekomin sepse çdo vendim tjetër shkatërron edhe një herë Telekomin. Jemi për të mos vazhduar kontrata. U kemi bë apel të gjithëve edhe nga kjo studio edhe me shkresa zyrtare. Besoj se edhe bordi edhe menaxhmenti duhet me dalë me një vendim pozitiv për Telekomin e jo në disfavor. Nuk duhet të vazhdohet”, ka thënë Balaj në Interaktiv.

Sipas Balajt, kontrata mes Telekomit e Z-Mobilet ka qenë krim i organizuar dhe se me të duhet të merret Prokuroria e shtetit. Ai ka shtuar se pos grevës që ka nisur sot, punëtorët e Telekomit mund të ndërmarrin edhe masa tjera.

“Një ndër opsionet është të mos vazhdojmë më punë për Z-Mobilen. Pse të marr pagë nga Telekomi e pjesën më të madhe të shërbimeve që i sjellin fitim ia kryejmë ne Z-Mobilet nga Telekomi. Kam kontratë me Telekomin, është ndërmarrje publike dhe s’kryej punë për të tjerët”, ka thënë ai më tej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat