Certifikohen 48 subjektet e para politike

Lajme

Certifikohen 48 subjektet e para politike

Më: 26 gusht 2021 Në ora: 16:24
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve filloi procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021. Në listën e subjekteve politike që u certifikuan nga KQZ-ja nuk ishin subjektet politike parlamentare dhe kjo pritet të ndodhë në mbledhjet e radhës.

Ky institucion mori vendim për certifikimin e 48 subjekteve politike, prej të cilave 18 parti politike, një koalicion, 17 iniciativa qytetare dhe 12 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar, që përfaqësojnë këto subjekte politike është rreth 550 kandidatë, prej të cilëve rreth 30 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të Komunave dhe më shumë se 500 kandidatë për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvende Komunale.

KQZ-ja mori vendim për moscertifikim të dy kandidatëve të pavarur për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvende Komunale, pasi të njëjtit nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Drejtori ekzekutiv i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim (ZRPPC), Yll Buleshkaj, tha se kandidatët e pavarur Xhavit Murati për Prishtinën dhe Ferat Hasani për Mitrovicën e Jugut, kanë qenë të dënuar për vepra penale në tri vitet e fundit.

Buleshkaj: Rekomandohet për moscertifikim Hasani dhe Murati

“Tash kemi dy kandidatë që rekomandohen nga Zyra të mos certifikohen. Janë dy kandidatë të pavarur: Fatmir Hasani dhe Xhavit Murati. Kandidati Ferat Hasani ka kërkuar që të certifikohet për Mitrovicën e Jugut ndërsa Xhavit Murati për Prishtinë. Arsyeja që nuk rekomandohet për të mos u certifikuar është se nga KGJK kemi pranuar informatat që të dy kanë vendime të formës së prerë në tri vitet e fundit për vepra penale. Pra, në respektim të shkronjës ‘q’ rekomandohet të mos certifikohen. Për shkak se janë kandidatë të pavarur nuk mund të zëvendësohen”, tha Buleshkaj.

Më pas, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, hodhi në votim dhe të gjithë anëtarët votuan kundër certifikimit të këtyre dy kandidatëve.

Radoniqi: Me 11 vota ‘për’ nuk certifikohen Hasani dhe Murati

“Kush është ‘për’ moscertifikim, për refuzimin e certifikimit, Fatmir Hasani. Me 11 vota "për", kandidati i pavarur Xhavit Hasani nuk certifikohet për zgjedhjet lokale 2021. 40:13 E kemi rekomandimin për moscertifikim të kandidatit të pavarur Xhavit Murati. Me 11 vota 'për' kandidati i pavarur Xhavit Mruati nuk certifikohet për zgjedhjet lokale 2021”, përfundoi Radoniqi.

Radoniqi njoftoi se për pjesën tjetër të subjekteve politike do të trajtohen në mbledhjet e radhës që sipas të gjitha gjasave pritet të mbahet ditën e shtunë.

Ndërsa, paraprakisht, kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, njoftoi për aktivitetet që janë duke u ndërmarrë ku u theksua 535 kërkesat për përgjigje në apele, prej tyre530 përgjigje janë për mospërfshirjen e votuesve në listën e votuesve jashtë vendit, ndërsa 5 kërkesa janë për përgjigjen në apele për mospërfshirje të kandidatëve.

Po ashtu, u tha se gjithsej 4402 votues kanë aplikuar për ndërrimin e qendrës së votimit.

Ndërsa në lidhje me lokacionet të cilat aktualisht janë qendra vaksinimi në të gjithë vendin, Ahmetaj tha se vetëm salla “1 Tetori” është shfrytëzuar më parë si qendër votimi dhe janë duke kërkuar zgjidhje se ku do të votojnë votuesit që më parë të drejtën e tyre e kanë ushtruar në këtë lokacion.

Ahmetaj: Po identifikojmë zgjidhje për sallën “1 Tetori”

“Pas analizimit dhe identifikimit po rezulton se vetëm salla “1 Tetori” e cila gjendet në Prishtinë është qendër votimi e miratuar nga KQZ. Ndërsa lokacionet e tjera nuk ndërlidhen me procesin e votimit që organizon KQZ. Aktualisht jemi në fazën e identifikimit të lokacionit më të afërt me qëllim që t'i bartim këta votues në një lokacion tjetër ku mund të jenë njëri prej fakulteteve të cilat gjenden në kompleksin universitar”, tha Ahmetaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat