Bordi i RTK-së rekomandon që të ketë barazi gjinore në të gjitha programet

Lajme

Bordi i RTK-së rekomandon që të ketë barazi gjinore në të gjitha programet

Më: 13 mars 2022 Në ora: 00:22
Foto ilustrim

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës iu ka rekomanduar të gjitha redaksive brenda këtij medium që të bëjnë përpjekje maksimale që të arrihet barazia gjinore e mysafirëve që ftohen në emisione dhe në udhëheqjen e programeve.

Ky rekomandim është bërë të shtunën, gjatë mbledhjes së bordit.

Arta Berisha, zëvendëskryetare e bordit tha se mosprezenca e grave si të ftuara në emisionet e RTK-së dhe mosudhëheqja e emisioneve prime-time nga gratë është e pakuptueshme.

Si Komision i skemës, kemi analizuar përmbajtjen e skemës programore, jemi munduar ta përcjellim përmbajtjen e RTK-së në mënyrë që të sjellim disa rekomandime që e ngritin cilësinë e skemës programore. Këto rekomandime pasi t’i miraton bordit i propozohen menaxhmentit. Rekomandimet ju shkojnë të gjitha programeve dhe redaksive. Sa i përket mysafirëve, ka mangësi të madhe ne prezantimin e grave, duke filluar nga lajmet dhe emisionet që janë në prime time. Është e pakuptueshme që gratë të mos jenë të ftuara si historiane, analiste e ekonomiste. Duhet të bëhet përpjekje për t’u gjetur ato. Vlen edhe sa i përket udhëheqjes nga gratë duhet, të jenë udhëheqëse në emisionet prime time dhe jo vetëm”, tha ajo.

Ndërkaq Driton Hetemi, anëtar i bordit tha se barazia gjinore duhet të arrihet edhe me përkrahjen e burrave.

Unë mendoj që barazia gjinore arrihet me përkrahjen e edhe të burrave. Në çdo diskutim në debate ku ka deputetë të ftuar, janë deputetët burra. Gratë ftohën në emisione në shumicën e kohës vetëm për 8 Mars ose me fol për sfidat e tyre. Nëse në emisione thuhet që nuk po mundem me gjetë gra që me i ftu, atëherë ata nuk po qasen si duhet”, tha Driton Hetemi.

Sot, bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka propozuar disa rekomandime për skemën programore.

Ata rekomanduan ndër të tjera që puna e Kuvendit të Kosovës të mbulohet me një emision të veçantë.

… Bordi i RTK-së ka kërkuar nga menaxhmenti që t’i inkorporojë rekomandimet në skemën programore që pritet të vijë për aprovim në bord në mbledhjen e radhës… Është me interes programor që të bëhet një zgjidhje adekuate në mënyrë që me një emision të veçantë të mbulohet puna e Kuvendit të Kosovës dhe jeta parlamentare në mënyrë përmbajtjesore nga një gazetar/e profesionist/e. Një emision javor kreativ, i kombinuar me biseda në Kuvendin e Kosovës, kronika për agjendën, projektligjet dhe efikasitetin e legjislativit, është i nevojshëm për RTK1”, thuhet në rekomandimin e Bordit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat