​Dhjetë emrat që pritet të zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe

Lajme

​Dhjetë emrat që pritet të zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe

Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 15:00
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme miratoi rekomandimin e kandidatëve të radhës për zëvendësimin e dhjetë (10) deputetëve të dorëhequr të subjektit politik “Srpska Lista”.

Bazuar në kërkesën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani të dorëzuar më 8 nëntor 2022, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke vepruar në pajtim me nenin 112 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetutese në lëndët KI45/20 dhe KI46/20, rekomandon nëntë (9) kandidatët e radhës nga subjekti politik “Lista Srpska” dhe një (1) kandidat nga subjekti politik GI Za Slobodu Pravdu i Opstanak – GI SPO, të certifikuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021:

1. Slavko Simiq propozohet të zëvendësohet me Milan Kostiq nga Lista Serbe,

2. Igor Simiq propozohet të zëvendësohet me Zoran Maksimoviq nga Lista Serbe, 3. Miljana Nikoliq propozohet të zëvendësohet me Olivera Zdravkoviq nga Lista Serbe,

4. Zoran Mojsiloviq propozohet të zëvendësohet me Milan Joksimoviq nga Lista Serbe,

5. Verica Çeraniq propozohet të zëvendësohet me Ksenija Bozoviq nga Lista Serbe,

6. Branislav Nikoliq propozohet të zëvendësohet me Rados Mihajloviq nga Lista Serbe,

7. Milosh Pervoviq propozohet të zëvendësohet me Nenad Radenkoviq nga Lista Serbe,

8. Ljubinko Karadzhiq propozohet të zëvendësohet me Svetislav Jokiq nga Lista Serbe,

9. Jasmina Dediq propozohet të zëvendësohet me Biljana Maksiq nga Lista Serbe,

10. Dragana Antonijeviq propozohet të zëvendësohet me Cvetko Veljkoviq nga GI SPO.

Në mbledhjen e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me dorëheqjet e zyrtarëve të lartë komunalë të zgjedhjeve në komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi propozoi që të mos ketë nguti për aprovimin e dorëheqjeve të zyrtarëve serbë në veri.

“KQZ ka me qenë në gjendje me organizuar zgjedhje kudo në Kosovë, por pak më vonë, edhe pse ndoshta ka me qenë e vështirë”, tha ai.

Edhe anëtari i KQZ-së Sami Kurteshi theksoi se dorëheqjet e tyre nuk duhet pranuar, pasi që sipas tij nuk kanë pasur asnjë arsye për veprimet e tyre.

Kurteshi nga radhët e LV-së, shtoi se dorëheqjet e tyre ligjërisht nuk janë të drejta.

Kështu që kjo pikë e rendit të ditës nuk u hodh në votim për miratim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat