Serbia emëron politikanin pro-rus në krye të agjencisë së zbulimit

Lajme

Serbia emëron politikanin pro-rus në krye të agjencisë së zbulimit

Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 23:48
Aleksandar Vulin

Qeveria e Serbisë emëroi të enjten një politikan të palëkundur pro-rus në postin e shefit të agjencisë së spiunazhit të shtetit ballkanik.

Aleksandar Vulin, i cili shërbeu si ministër i Brendshëm i Serbisë në qeverinë e mëparshme dhe mbante postin e ministrit të Mbrojtjes më herët, mori detyrën e drejtorit të BIA-s, agjencisë serbe të zbulimit, njoftoi qeveria serbe në një deklaratë.

Si ministër i Brendshëm i Serbisë, Vulin vizitoi Moskën në muajin gusht, një vizitë e rrallë nga një zyrtar shtetëror evropian, që nënvizoi refuzimin e Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak te agresionit të saj në Ukrainë.

Ai i tha gjatë asaj vizite ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov se “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione dhe nuk është bërë pjesë e histerisë anti-ruse”.

Serbia, e cila kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, prej vitesh po shmanget nga rruga e saj drejt BE-së duke u orientuar drejt aleatit tradicional sllav, Rusisë, si dhe Kinës.

Aleksandar Vulin konsiderohet “njeriu i Moskës” brenda udhëheqjes serbe. Emërimi i tij në një post kaq të ndjeshëm të zbulimit shihet si një tjetër përçmim ndaj Perëndimit dhe thirrjeve të tij që Serbia të harmonizojë politikat e saj të jashtme me BE-në nëse vërtet dëshiron t’i bashkohet bllokut.

Emërimi zemëroi opozitën properëndimore të Serbisë.

“Emërimi do të ndërpres plotësisht” bashkëpunimin e BIA-s me agjencitë perëndimore të sigurisë dhe do të kontribuojë në “izolimin shtesë ndërkombëtar të Serbisë”, tha partia opozitare Lëvizja e Qytetarëve të Lirë në një deklaratë, duke vënë në dukje se Vulin “mbron hapur pozicionet pro-(Vladimir) Putinit” dhe se emërimi i tij e përcakton Serbinë “si aleatin e vetëm të Rusisë në Evropë”.

Marinika Tepiç nga Partie e Lirisë dhe Drejtësisë tha se është e bindur që emërimi i Vulinit “tregon se Serbia po shkon drejt diktaturës” në të cilën “do të lejohen të gjitha mjetet në luftën kundër kundërshtarëve politikë”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat