Shtyhet gjykimi për shpërthimin në Zhur

Lajme

Shtyhet gjykimi për shpërthimin në Zhur

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 14:31
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, me kërkesën e përfaqësuesit të të dëmtuarit Artur Mrasori, avokatit Besnik Berisha dhe përfaqësuesit të të dëmtuarës Merita Qunaj, avokatit Blerim Mazreku, të cilët kërkuan kohë për përgatitjen e fjalës përfundimtare, është shtyrë seanca për shpërthimin në Zhur.

Në këtë rast, Arben Gashi dhe Iran Badalli, po ngarkohen se kanë vendosur mjet eksplodues në shtëpinë e të akuzuarit Badalli në fshatin Zhur, me rastin e bastisjes nga Policia, mjeti kishte shpërthyer ndërsa kishte mbetur i vdekur polici, S.Th, ndërsa të dëmtuarit Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyqi, si dhe fëmija S.B., kanë pësuar lëndime të rënda trupore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundërshtime për shtyrjen e seancës ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Badalli, avokati Valdrin Gashi, i cili ka kërkuar që kërkesa e avokatëve Berisha dhe Mazreku për shtyrjen e seancës, të refuzohet.

“Kjo shkon në dëm të të mbrojturit tim, sepse i njëjti në ditën e djeshme i ka mbushur 3 vite e gjysmë që ndodhet në Qendrën e Paraburgimit dhe konsideroj se arsyet për shtyrjen e kësaj seance të theksuar për kolegët parafolës nuk duhet të merren parasysh sepse në seancën e kaluar i akuzuari Arben Gashi deklaroi se do të mbrohet në heshtje”, ka thënë avokati Gashi.

Paraprakisht, avokati Berisha ka kërkuar nga gjykata që t’i sigurohet e drejta e marrjes në pyetje për të akuzuarin Gashi, pasi që sipas tij e drejta e mbrojtjes në heshtje nuk mund të shfrytëzohet pjesërisht dhe në mënyrë selektive.

Mirëpo, i akuzuari Gashi pas konsultimit me mbrojtësin e tij, avokatin Esat Gutaj tha se qëndron pranë deklarimit se dëshiron të shfrytëzojë të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, pas aprovimit të kërkesës së palës së dëmtuar për përgatitje të fjalës përfundimtare këtë seancë e ka shtyrë, kurse atë të radhës e ka caktuar të mbahet më 4 shtator 2023.

Sipas aktakuzës, dy të pandehurit Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të dytë të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli në fshatin Zhur, Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor S.Th, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi si dhe fëmija S.B., kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, në dispozitivit II të aktakuzës, thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.

Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat