Çanak: Vulin është spiun i Rusisë, do të ketë sanksione të tjera

Lajme

Çanak: Vulin është spiun i Rusisë, do të ketë sanksione të tjera

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 20:44
Aleksander Vulin

Një ditë pas sanksioneve të SHBA-së ndaj shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, ka reaguar Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundi thotë se Vulin u sanksionua vetëm për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë dhe jo për çështje të tjera. Ndërsa politikani socialdemokrat, Nenad Çanak ka paralajmëruar se do te ketë edhe individë të tjerë serbë që do të sanksionohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Është njëri nga njerëzit më të besueshëm të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Madje i pari i Serbisë, ia besoi Aleksandar Vulinit pozitën e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, që njihet ndryshe si BIA.

Mirëpo shefi i inteligjencës së Serbisë është futur në listën e sanksioneve amerikane.

Sipas, zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit, Vulin është i përfshirë në një sërë aktivitetesh kriminale.

Nga Uashingtoni thonë se Vulin ka avancuar korrupsionin brenda institucioneve të Serbisë, si dhe mes tjerash ka lehtësuar aktivitetet malinje të Rusisë në rajon.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se ndaj drejtorit të BIA-s janë vënë sanksione vetëm për shkak të marrëdhënieve të tij me Rusinë.

“Unë nuk e vura re që kokaina u gjet në zyrën e Vulinit, por në Shtëpinë e Bardhë. Por mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim. Ndaj tij nuk janë vendosur sanksione për ndonjë krim, korrupsion, asgjë; ndaj tij janë vendosur sanksione për shkak të qëndrimit të tij ndaj Federatës Ruse. Edhe mua më kanë vënë sanksione gjatë viteve e 90-ta, por nuk jam mërzitur për atë punë”, u shpreh Vuçiq.

Në anën tjetër, politikani socialdemokrat Nenad Çanak ka treguar arsyet se pse në këtë moment është sanksionuar shefi inteligjencës serbe.

Çanak, ka paralajmëruar se do të ketë edhe individë të tjerë nacionalistë nga Serbia që do të sanksionohen nga Uashingtoni.

“Uashingtoni i vendosi këto sanksione ndaj Vulinit, sepse dëshiron ta largoi influencën e fortë që ka Rusia në Serbi. Nuk është vetëm Vulin cak i sanksioneve amerikane, në ditët në vijim do të ketë edhe individë të tjerë nga Serbia që do të sanksionohen. Shumë shpejtë Vuçiq do të jetë në një pozitë të palakmueshme. Ai do të duhet të zgjedhe mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose Rusisë. Nëse i zgjedh ato të parat, rrezikon seriozisht të likuidohet nga çarqet ruse. E sa i përket Vulinit, ai gjithnjë ka qenë spiun i Rusisë”, tha Çanak .

Disa prej opozitarëve në Serbi, kanë kërkuar që shefi inteligjencës serbe, Aleksandar Vulin të shkarkohet nga detyra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat